Shqipëri-Serbi në rrugën e re të biznesit - Business Magazine Albania

Shqipëri-Serbi në rrugën e re të biznesit


Iniciativat e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor janë në fokus të nxitjes nga Bashkimi Evropian si premisë për të përmirësuar jetën dhe ekonominë e qytetarëve në këto vende. Ekonomia, biznesi, investimet e huaja direkte, marrëdhëniet e afërta tregtare, heqja e barrierave doganore si dhe zhvillimi konkret i investimeve në fusha me interes të përbashkët do të sjellë më shpejt rajonin drejt integrimit me familjen europiane.

Në këtë pikëpamje samiti në prag që mbahet në Nish në 13 dhe 14 tetor me pjesëmarrjen e bizneseve nga Shqipëria dhe Serbia përbën një hap më tej në përafrimin ekonomik. Në Nish rreth 25 biznese shqiptare dhe po kaq dhe serbe do të jenë në një tryezë pune mes tyre, duke folur në piketat kryesore të sfidave të së ardhmes, por dhe duke pasur një rast të artë për të kontaktuar bilateralisht, aty ku përputhen qëllimet dhe interesat e sipërmarrësve nga të dy vendet. Një rol të veçantë në këtë drejtim ka luajtur Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Serbi.

Ky forum biznesi që do të organizohet në Nish të Serbisë, ka kohë që po planifikohet dhe si pikënisje ka pasur bashkëpunimin për eliminimin e barrierave tregtare në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Agjenda e këtij samiti mes partnerëve në rajon, është e frymëzuar nga iniciativa e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që ka vijuar me Konferencën e Vjenës dhe të Parisit. Komunitetet e biznesit janë shprehur hapur pro hapësirave konkrete për zgjerim të kontributeve. Në Samitin e Vjenës u promovua krijimi i forumit të sipërmarrjes në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë pikëpamje në fushën e biznesit do të ketë shkëmbim të informacionit mes Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës, duke krijuar një platformë dixhitale për komunitetet e biznesit që do të pasqyrojë në kohë reale zhvillimet ekonomiko tregtare, investimet konkrete, nevojat, trendet dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik. Krahas inaugurimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës do të organizohet dhe një forum i biznesit të dy vendeve. Jemi në rrethana të reja, kemi nevojë të bëjmë bilance ku jemi, çfarë nevojash kemi, ku mund të bashkëpunojmë, ku të orientohemi, ku të zgjerohemi etj. Shqipëria dhe Serbia kanë një volum tregtar eksport – importi që nxjerr në pah mjaft aspekte të pashfrytëzuara. Pala serbe është prezente në Shqipëri në fushën e tregtisë, por duan të zgjerohen shumë në turizëm po të kemi parasysh pozitën e tyre gjeografike dhe mungesën e daljes në bregdet.

Po kështu duan të fokusohen në transport, sidomos atë detar, në industrinë metalike, si dhe në industrinë agro-ushqimore. Sot që flasim ka sipërmarrës shqiptarë, të cilët janë orientuar në Serbi në fushën e ndërtimit, në agropërpunim dhe në transport. Iniciativat e zhvillimit ekonomik e tregtar ne Ballkanin Perëndimor me mbështetjen e kancelares Merkel dhe vendet e tjera të BE-së kanë hapur hapësira për komunitetet e biznesit. Sepse qeveritë miratojnë projekte me karakter rajonal, por zbatimin e tyre do t’a bëjë biznesi.

Pa ndërtimin e një infrastrukture kooperuese në rajonin tonë, pa ura të qëndrueshme komunikimi e bashkëpunimi mes nesh nuk mund të marrësh frute. Gjithçka është gati për të ndërtuar një plan veprimi për nxitjen e tregtisë e të bashkëpunimit ekonomik në rajon. Banka Botërore e ka koordinuar ketë punë përmes zyrave të veta në rajon dhe ka asistuar me ekspertizën e saj. Forumi i Nishit do të ketë një sërë diskutimesh mbi çështje të rëndësishme në fushën e energjisë, tregtisë, ndërtimit, turizmit, bujqësisë, manifakturës, agro-industrisë, produktet farmaceutike etj. Bizneset e të dy vendeve e kanë të qartë pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë. Zotimi i BE-së mbetet që t’i japë Ballkanit Perëndimor 1 miliardë euro deri më 2020.

Ndaj edhe në këtë këndvështrim, bizneset me mbështetjen e qeverive duhet të hartojnë projekte bindëse për partnerët europianë. Sipas analizave ekonomike tregtia mes Shqipërisë dhe Serbisë, kanë njohur vetëm rritje. Të dhënat për import-eksportet mes dy vendeve tregojnë rritje galoponte, megjithëse kjo rritje ka pësuar luhatje të mëdha për shkak se një pjesë e mirë e tregtisë është e përqendruar në pak mallra. Shqipëria importon nga Serbia energji elektrike, ushqime, produkte kimike, metale e materiale ndërtimi ndërsa eksporton drejt Serbisë energji elektrike, ushqime (përgjithësisht zarzavate) dhe materiale ndërtimi e metale. Përveç energjisë së importuar në linjën Beograd-Podgoricë-Shqipëri, vendi ynë ia shet, përgjithësisht disa kompanive serbe që dominojnë tregun energjetik të Ballkanit, energjinë e prodhuar më tepër në kaskadën e Drinit në periudhat me shumë reshje. Importi tjetër i rëndësishëm i Shqipërisë nga Serbia është ai i skrapit. Rritja më e qëndrueshme e importeve të Shqipërisë nga Serbia i përket grupit Ushqim, Pije dhe Duhan.

Importet e drithit nga Serbia zunë pjesën më të madhe të importeve. Serbia zë një të pestën e të gjitha importeve të drithit në Shqipëri. Shqipëria importon nga Serbia energji elektrike, ushqime, produkte kimike, metale e materiale ndërtimi ndërsa eksporton drejt Serbisë energji elektrike, ushqime (përgjithësisht zarzavate) dhe materiale ndërtimi dhe metale. Ne besojmë se forcimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë pritet të krijojë një klimë mjaft të favorshme edhe për të ecur përpara procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Tregtia mes Shqipërisë dhe Serbisë është duke u zhvilluar me ritme të shpejta. Disa biznese shqiptare po vendosen në Serbi dhe disa firma serbe po veprojnë në Shqipëri. Mes dy vendeve janë nënshkruar 63 marrëveshje të vjetra e të reja, por të gjitha ato po ecin mjaft ngadalë, në arsim, në arte dhe të tjera. Porti i Durrësit për shembull është porti më i afërt dhe më i rëndësishëm për Serbinë. Të gjitha këto janë mundësi për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta, sepse të dy vendet duhet t’i tregojnë Berlinit dhe Brukselit se sa kanë përparuar në proceset e integrimit rajonal së pari. Normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe është i nevojshëm nga pikëpamja e integrimit europian të dy vendeve dhe shoqërive. Nga të dhënat e Institutit të statistikave, Serbia kryeson në listën e 6 vendeve të Ballkanit për importet tona.

Vitin e kaluar importet nga Serbia përbënin 64% të importeve të Shqipërisë nga vendet me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë. Marrëveshja e nënshkruar një ditë më parë mes Serbisë dhe Shqipërisë në fushën doganore, pritet të ndikojë pozitivisht në shmangien e evazionit fiskal në administratën doganore. Samiti i Nishit shënon një fillim të ri në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë, jo vetëm në progresin e marrëdhënieve tona politike dhe ekonomike, por gjithashtu edhe në progresin e marrëdhënieve midis të gjitha vendeve të rajonit tonë.

Perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të dala nga konfliktet e zgjatura ndëretnike, nëpërmjet liberalizimit të tregtisë ndërrajonale, do t’i ndihmojë mjaft për të rritur bashkëpunimin e tyre të përbashkët politik dhe ekonomik. Pra siç shihet qartë kapërcimi i problemeve aktuale si dhe zgjidhja e çështjeve të hapura, e cila është një prej objektivave kryesore në axhendën e BE-së, shërben për të krijuar një të ardhme më të mirë për këtë rajon kaq të brishtë.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë bërë vende anëtare ose potencialisht vende kandidate por fakti që i gjithë rajoni i Ballkanit të bëhet pjesë e BE-së, fatkeqësisht është larg nga realiteti. Procesi i anëtarësimit ka nevojë si për përpjekjet e vendeve kandidate ashtu si edhe për vullnetin e anëtarëve dhe institucioneve të BE-së për të pranuar të porsaardhurit në familjen e tyre të madhe europiane.

 

burimi: gazdita

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0