Post Startup Grind Tirana, Lona Alia drejt sipërmarrjës triliona dollarëshe - Business Magazine Albania

Post Startup Grind Tirana, Lona Alia drejt sipërmarrjës triliona dollarëshe


Lona Alia, vajza që na bëri për vete me çiltërsinë dhe thjeshtësinë e saj ishte e ftuara e këtij fundviti në Startup Grind Tirana, në aktivitetin e organizuar në ambientet e ICTSLab.

Lona e lindur dhe rritur në Tiranë, në një familje që i futi sipërmarrjen në gjak që në vogëli shkoi në Tokën e Premtuar, SHBA në vitet ’95-‘96 për të realizuar ëndrrat e saj. Fillimi ishte i vështirë në një vend të huaj, ku jo çdo gjë ishte si nëpër filma, por me punë dhe vullnet ajo ia doli mbanë dhe sot është përballë suksesit.

Që e vogël me një pasion për gjuhët, Lona flet 7 gjuhë të huaja dhe ka udhëtuar në rreth 77 vende dhe lista e vendeve vazhdon të shtohet. Është kurioziteti për të zbuluar botën, për të përqafuar kultura dhe takuar njerëz të rinj, që e ushqen pasionin e saj të udhëtimeve.

Lona mban një diplomë në marketing dhe biznes ndërkombëtar në universitetin George Washington. Gjatë universitetit ajo ndoqi një karrierë si modele, por pas përballjes me botën e startup-eve dhe sipërmarrjes hoqi dorë.

Amerika është një nga vendet që më ka plotësuar të gjitha dëshirat dhe nuk mund të them që është një vend i keq. Aty ti ke shumë hapësirë që të bëhesh ai që do pa asnjë paragjykim nga njerëzit që je shqiptare,” shprehet Lona për vendin që i dha suksesin e shumëpritur.

Pas MBA u transferua në Silicon Valley dhe ishte pikërisht ky momenti që u has me botën e startup-ve dhe aty mori një kthesë jeta e saj.

Sot Lona ka një objektiv të qartë. Pas 10 vitesh synon që kompania e saj të zërë një të tretën e tregut botëror të modës, çka përkon me 4.5 trilion dollarë. e nisur nga sukseset e saj deri më tani, objektivi është i mundur.

Lona na tregon se nëse dëshironi që të keni një sipërmarrje, Silicon Valley është vendi më i mirë, pasi aty mund të marrësh fonde nga Venture Capitals, aty ku ajo vetë mori financimin. Gjithashtu nuk lë pa përmendur dhe fuqinë e network. Çdonjëri prej nesh duhet të bëjë network, të takojë njerëz, të flasë me njerëz dhe të krijojë lidhje, pasi fuqia e network të hap shumë dyer.

Style Lend ishte idea e saj e dytë me anë të së cilës mori pjesë tek Startup Weekend, ku dhe fitoi çmimin e parë e që arriti të fitonte financim tek akseleratori më prestigjoz në botë Y-Combinator, duke qenë e para shqiptare dhe për më tepër femër që ka fituar.

Gjatë një udhëtimi për të zbuluar veten në vende të ndryshme se çfarë, Lonës i erdhi idea që të krijonte një aktivitet ku femrat mund të shkëmbejnë veshjet e tyre me njëra-tjetrën pa qenë nevoja t’i blejnë ato.

Pas dy intervistave intensive me Paul Graham, bashkë-themelues i Y-Combinator Lona arriti të pranohej aty. Kur Uber po shfrytëzon makinat që të përdoren, pse jo, Style Lend të shfrytëzojë veshjet që femrat nuk përdorin.

Edhe pse në një ekosistem të dominuar nga meshkujt Lona arriti të merrte financimin dhe të arrijë këtu ku është sot.

“Fillimi me Style Lend ishte i vështirë,” thotë Lona. “Provonim shumë gjëra derisa gjenim atë që përshtatej me tregun dhe modelin tonë të bzinesit. Style Lend u jep mundësi femrave të japin dhe të marrin rroba me qera. Pra, aty mund të marrësh rroba me qera për një event apo aktivitet pa shpenzur shume para”.

Tashmë një kompani online edhe në menaxhim, Style Lend ka përqafuar këtë inovacion të ri, ku dhe puna mund të bëhet remote, pa qenë nevoja për një zyrë fizike. Style Lend funksionon vetëm në Amerikë si biznes, por qëllimi në të ardhmen është që të përhapen akoma më shumë.

Lona ndau me të pranishmit disa këshilla:

“Së pari, shkoni pas pasionit tuaj, sepse vetëm ashtu mund të filloni një sipërmarrje tuajën dhe të keni sukses në atë drejtim.”

“Së dyti, nuk ka rrugë të shkurtra. Mos prisni që nesër do të bëheni i famshëm apo milioner. Çdo sipërmarrje apo punë ka nevojë për shumë vite që të investosh. Gjërat nuk bëhen brenda natës.”

“Së treti, në qoftë se doni të bëni diçka për veten tuaj do iu sugjeroja të përqafoni dhe të punoni me teknologjinë. Vetëm ajo do iu hapë dyert.”

E pyetur se çfarë duhet të bëjnë njerëzit dhe sipërmarrjet në një treg të vogël si Shqipëria që të kenë sukses Lona thotë: “Izraeli është një vend shumë i vogël se Shqipëria dhe është një nga vendet më të para të sipërmarrjes, ata bëjnë miliona para dhe kanë target Amerikën apo vende të tjera. Nuk ka rëndësi se sa vend i vogël mund të jesh, teknologjia të jep mundësinë të shesësh shërbimet e tua kudo në botë.”

“Unë,” thotë Lona, “do investoja në teknologji, prandaj dhe i mëshoj fort kësaj, që edhe të rinjtë në Shqipëri të përqafojnë teknologjinë.”

Një tjetër këshillë që Lona dha ishte ndarja e idesë tuaj me të tjerët. Këtu në Shqipëri njerëzit kanë frikë ta ndajnë idenë e tyre me të tjerët, pasi kanë frikë se mos ua vjedhin, por duhet pasur parasysh se ajo që bën ndryshimin është mënyra se si ti e ekzekuton idenë dhe jo vetë idea.

Lexoni: Lona Alia, vajza shqiptare vjen të na tregojë historinë e saj të suksesit nga Silicon Valley në Startup Grind Tirana

Business Magazine Albania ishte mbështetës i këtij eventi, si partner mediatik, ashtu si për të gjitha eventet e organizuara nga Startup Grind Tirana. Kjo është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet, por për të gjithë të rinjtë, të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Ai organizohet në më shumë se 250 qytete dhe 100 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themelues lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm, të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e përfituara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.

BusinessMag iu fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0