Post Startup Grind, Agron Shehaj: "Duhet të përqëndrohesh më shumë tek njerëzit dhe jo tek idea." - Business Magazine Albania

Post Startup Grind, Agron Shehaj: “Duhet të përqëndrohesh më shumë tek njerëzit dhe jo tek idea.”


Mbas një pushimi të shkurtër, Startup Grind Tirana rikthehet sërish në Protik Innovation Center me të ftuarin e radhës, Agron Shehaj. Në këtë event morën pjesë mbi 50 pjesëmarrës me qëllimin dhe dëshirën për të dëgjuar të gjithë eksperiencën e tij si personazh mjaft i suksesshëm dhe si sipërmarrës.

Ne si staf i Business Magazine Albania ishim pjesë e këtij eventi, ashtu siç do të jemi edhe në të gjitha eventet e tjera të organizuara nga Startup Grind Tirana, jo vetëm si partner mediatik por edhe për të mësuar më shumë mbi botën e sipërmarrjes. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet por për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Agron Shehaj është një prej sipërmarrësve novator më të suksesshëm në Shqipëri dhe më gjerë. Ai është themelues i disa prej kompanive të suksesshme brenda dhe jashtë vendit me fokus ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të marketingut online për tregjet europiane.

I ftuar nga komuniteti i Startup Grind Tirana, në një intervistë me Aneida Bajraktari, ai ndau me të pranishmit momente domethënëse të karrierës së tij si sipërmarrës dhe përcolli mesazhe të rëndësishme dhe plot vlera për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen dikush në jetë.

Çfarë ndodhi në Startup Grind me Agron Shehaj po i shtjellojmë duke prezantuar disa nga thëniet më të komentuara pas intervistës mes pjesëmarrësve.

Intervista nisi me një përshkrim të jetës së tij dhe vështirësive që kishte hasur në fillimet e tij.

“Unë kam lindur në Vlorë në vitin 1977 dhe vij nga një familje e thjeshtë dhe punëtore. Në moshën 13 vjeçare u larguam së bashku me familjen në Itali. Aty përfundova shkollën 8 vjeçare, shkollën e mesme dhe universitetin dhe dua ta theksoj jo me nota të mira.”

“Me kompaninë time të parë, IDS unë nuk zgjidha ndonjë problem por thjesht doja të vija në Shqipëri. Unë u nisa nga avantazhi konkurues që kishte Shqipëria. Shqipëria ka shumë të rinj të cilët flasin shumë mirë italisht. Kështu nisi IDS.”

I pyetur nga Aneida për krijimin e Local Web ai tha:

“Unë gjithmonë dua të jem 1 hap përpara të tjerëve dhe kështu ndodhi dhe me Local Web. Local Web është një agjenci marketingu dixhitale, e specializuar në promovimin online të biznesve të vogla dhe të mesme në Europë. Në vetëm tri vite, kjo kompani ndërkombëtare, renditet krah 5 kompanive më të suksesshme të marketingut online në tregun italian, fiton statusin prestigjioz të “Google Premier Partner” dhe hap zyrat e saj edhe në tregun britanik. Aty mund të bëjmë gjithçka,” thotë Agroni. “Ne jemi lider në Itali me Local Web, në tregun e marketingut dixhital.”

Për përballjen me Shqipërinë dhe tregun e saj të punës, në fillimet e kompanisë IDS ai shprehet:

“Në Shqipëri unë mendoj se sundon e keqja, ka një pakicë shumë të vogël që është ndryshe. Ata me të vërtetë janë shumë pak, por janë shumë të talentuar.”

“Unë ose do të përshtatesha ose do të krijoja një ishull ku nuk sundonin rregullat si jashtë, një vend ku nuk ekzistonte mashtrimi apo mungesa e korrektësisë. Ajo çfarë na dallon është pikërisht kjo. Unë flas dhe shpjegoj çdo gjë që bëj, kjo është ajo që më diferencon.”

“Në punë unë nuk duhet të jem i mirë, duhet të jem i drejtë.”

Një pikë tjetër e rëndësishme ku Aneida u ndal ishte pikërisht gjetja e stafit të duhur dhe komunikimi efikas me ta.

“Në fillim unë i marr të gjithë në punë, që të gjithë, është puna ajo që i seleksionon më të mirët. Rregullat dhe vetë puna bën dallimin midis atij që punon fort dhe përshtatet dhe atij që nuk përshtatet.”

“Unë mendoj se kam aftësinë për të drejtuar njerëz dhe kjo është pikërisht ajo çfarë duan ata, të drejtohen. Unë i çoj ata, aty ku ata nuk mendojnë se do të shkojnë ndonjëherë.”

“Detyra ime është ta shtyj së pari, të bëjë atë që është i gatshëm, më pas në nivelin e dytë në atë që ai mendon se mund të bëjë dhe së fundmi në atë që ai nuk mendon se mund ta bëjë, por që në fakt ai arrin ta bëjë.”

Në lidhje me marrdhënien e tij ndaj dështimit ai tha:

“Unë jam i terrorizuar nga dështimi dhe është pikërisht frika ndaj dështimit ajo që më jep energji për në vazhdimësi.”

“Rrugëtimi i sipërmarrësit është njësoj si të udhëtosh me varkë, duhet të kontrollosh gjatë gjithë kohës drejtimin, sepse fryn erë apo të marrin valët e detit.”

“Duhet të përqëndrohesh më shumë tek njerëzit dhe jo tek idea. Idea mund të jetë shumë e mirë, por në qoftë se e vendos në duart e njerëzve të gabuar ajo do falimentojë, në qoftë se idea është shumë e keqe, por njerëzit janë shumë të mirë, ata mund ta përshtatin dhe të dalë një ide fantastike.”

“Gjendja e rëndë në Shqipëri ofron në të njëjtën kohë edhe oportunitete. Gjithçka që ne shohim çdo ditë mund të përmirësohet. Çfarëdo që shihni mund të përmirësohet dhe të bëhet shumë herë më mirë.”

Më ka bërë shumë përshtypje një shprehje e Mit’hat Frashërit që kam dëgjuar kohët e fundit që thotë: “Shqiptarët do të fitojnë betejën kundër varfërisë, kur të mbarojnë betejën mes njëri tjetrit,” e përfundoi ai intervistën.

Në fund, si çdo radhë u bënë shumë pyetje nga pjesëmarrësit, duke mësuar edhe më shumë prej tij. Me dashamirësi Agron Shehaj u takua me të gjithë të pranishmit me të cilët diskutoi për idetë e tyre.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 200 qytete dhe 95 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.

BusinessMag ju fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0