Ligj i ri për turizmin synon të promovojë Shqipërinë si vend autentik - Business Magazine Albania

Ligj i ri për turizmin synon të promovojë Shqipërinë si vend autentik

Pushtimi i plazheve pa leje, vendosja e shezlongjeve dhe çadrave më shumë se sipërfaqja për të cilën është marrë leja, fshehja e numrit të pushuesve, vendosja e yjeve nëpër hotele sipas dëshirës së pronarëve, mosregjistrimi si njësi akomoduese, mungesa e vrojtuesve në plazhë dhe mossigurimi i punonjësve etj., do të jenë subjekt i gjobave të rënda që shkojnë nga 50 mijë lek deri 400 mijë lekë.

Këto masa parashikohen në projektligjin e ri që qeveria ka hartuar “Për Turizmin”, i cili, sipas qeverisë, ka për qëllim të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës autentik për vizitorët, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.

Ndryshimet e propozuara, sipas drafit që publikon rtsh.al, kanë për qëllim të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, nëpërmjet rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse.

Mbrojtja e konsumatorëve është një nga çështjet që synohet të përmirësohet nga ndryshimet e propozuara.

Informaliteti

Por nga ana tjetër, ky projektligj ka si qëllim të rëndësishëm reduktimin e informalitetit, duke parashikuar rregullime ligjore për kategori të reja të strukturave akomoduese, të cilat aktualisht operojnë në treg, por janë të paregjistruara dhe të pastandardizuara.

Ndryshimet janë orientuar drejt lehtësimit të procedurave të ushtrimit të veprimtarive turistike, me qëllim krijimin e një klime miqësore me biznesin, pa cënuar standardet e ofrimit të shërbimit.

“Gjithashtu, nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet riorganizimi i institucioneve përgjegjëse në fushën e turizmit në varësi të ministrisë përgjegjëse të turizmit. Ndryshimet e propozuara synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit  përgjatë gjithë vitit dhe me shtrirje në të gjithë territorin e vendit, duke ofruar alternativa të tjera nëpërmjet zhvillimit të turizmit natyror dhe kulturor, përkrah atij të diellit dhe detit. Kjo mundëson zhvillimin e turizmit edhe në zona të thella malore, apo zona të tjera të cilat deri tani nuk janë të përfshira në hartën turistike të vendit, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarive të reja turistike siç janë agroturizmi, veprimtaritë sportive rekreative, etj.”, thuhet në dokument.

Në ligjin ekzistues të turizmit është evidentuar mungesa e masave administrative për mosrespektimin e kushteve ligjore për ushtrimin e një sërë veprimtarish.  Në këtë projektligj synohet saktësimi dhe parashikimi i masave administrative për të gjitha veprimtaritë turistike.
Lexo: 10 librat më të shitur të muajit shtator 2023

Pse po bëhen ndryshimet ligjore?

Qeveria argumenton se rishikimi i  Ligjit “Për turizmin”, vjen si rrjedhojë  e evidentimit të problematikave dhe mangësive si më poshtë:

– Operimi si struktura akomoduese në mënyrë informale i dhomave, apartamenteve dhe vilave, duke cënuar konkurrencën me subjektet formale, cilësinë e shërbimeve etj;

– Humbja e koherencës së disa funksioneve të parashikuara për t’u siguruar nga  Degët Territoriale të Turizmit si dhe nevoja për përmirësimin e funksioneve dhe përgjegjësive të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit;

– Mungesa në destinacion e një strukture koordinuese me  pushtetin vendor, bizneset e grupet të interesit, në hartimin dhe zbatimin e planeve e programeve të turizmit;

– Nevoja e një procesi efektiv mbi propozimin dhe përzgjedhjen e projekteve- në fushën e turizmit për financim, duke synuar krijimin e një ambienti nxitës për kërkesë – propozime inovative nga çdo individ apo entitet;

– Domosdoshmëria për të ripërcaktuar, lehtësuar dhe definuar saktësisht disa procese që lidhen me certifikimin e udhërrëfyesve turistikë, licencimin e operatorëve turistikë dhe agjencive të udhëtimit, parashikimin, përmirësimin dhe lehtësimin  e kritereve për ushtrimin e veprimtarisë turistike si “Agroturizëm”, “Stacion plazhi” si dhe nevojën për transparencën e çmimeve dhe të procesit të ankimit nga çdo subjekt turistik që i nënshtrohet përcaktimeve të këtij ligji;

– Mungesa e mbledhjes së të dhënave statistikore të plota, të vërteta dhe në kohë reale;

– Mungesa e sigurimit të  përgjegjesisë ndaj palëve të treta për subjektet që operojnë në  turizëm;

– Nevoja për vendosjen e standardeve dhe rritjen e sigurisë në shtigjet që përdoren për ecje ose kalim përgjatë apo drejt vendndodhjeve të veçanta me interes turistik, me qëllim krijimin e eksperiencave rekreative.;

– Nevoja për të përmirësuar mënyrën e kontrollit të zbatimit të përcaktimeve ligjore nëpërmjet një tërësie masash për kundërvajtjet administrative nga ana e subjekteve.

Problematikat e identifikuara më lart, kërkojnë ndërhyrje ligjore që pasojnë me ndryshime dhe shtesa në ligjin 93/2015 “Për turizmin”, i ndryshuar.

Efektet e pritshme

Qeveria shpreson se me ndryshimet e bëra në ligj do të reduktohet  informaliteti, vendosja dhe ruajtja e standardeve, mbrojtja e konsumatorit, si dhe sigurimi i të dhënave statistikore për kapacitetet turistike dhe nga veprimtaritë e tjera turistike -referuar ligjit;

Përpos kësaj efekt pozitiv konsiderohet edhe krijimi i një klime të favorshme për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike nëpërmjet lehtësirave proceduriale; zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm drejt zonave turistike natyrore, rurale dhe muzeale; rritja e sigurisë së turistëve; gjithëpërfshirja e pushtetit vendor, subjekteve që ushtrojnë veprimtari turistike e grupeve të interesit  në hartimin dhe zbatimin e planeve dhe programeve për zhvillimin e  turizmit;  zhvillimi i turizmit gjithëvjetor nëpërmjet nxitjes së veprimtarive turistike në zonat rurale, natyrore, muzeale e historike.

Përkufizimet që shtohen

Në projektligjit, është parashikuar shtimi i përkufizimeve të disa termave si “Apartment”, “Bllok Apartamentesh”, “Vilë”, “Dhomë”, “Shteg turstik”, “Organizata e Menaxhimit te Destinacioneve (OMD), “Vrojtues plazhi”, “Hotel trashëgimi kulturore”, “Hotel i shpërndarë”, “Sipërmarrës turistik”, “Ujëra të brendshme”, “Zonë bregujore” dhe “Kalendari Turistik i Aktiviteteve Zbavitëse”, e cila, lind si nevojë e një vakumi ligjor në ligjin aktual.

Njësitë e vogla si apartamente, dhoma, vila e të ngjashme me to nuk janë objekt i ligjit aktual ndërkohë që këto janë struktura që ofrojnë akomodim për turistët. Parashikimi i tyre në ligjin e ri të turizmit do të reduktojë informalitetin dhe do të rrisë nivelin e standardit të shërbimit si dhe do të shërbejë në organizimin sa më të mirë në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve si dhe grumbullimit të të dhënave statistikore.

Përfshirja e këtyre strukturave si objekt i këtij ligji i është referuar modeleve të vendeve të rajonit, konkretisht Italisë dhe Malit të Zi.

Me qëllim zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, nxitjen  e veprimtarive turistike në zonat rurale, është parashikuar përfshirja e konceptit të shtegut turistik, si dhe në vijim do të bëhet rregullimi ligjor, i cili do të parashikojë standardet e sigurisë së shtigjeve turistike. Për përfshirjen e shtegut turistik si definicion dhe rregullimin e tij është bashkëpunuar me ekspertë gjerman dhe austriak, me eksperiencë në hapjen dhe mirëmbajtjen e shtigjeve.

Shtohet koncepti i vrojtuesit të plazhit, ujërat e brendshme dhe zona bregujore, me qëllim krijimin e standardeve bazë në ligjin e ri të turizmit, për të vijuar me rregullimin e posaçëm në aktet përkatëse nënligjore, në kuadër të rritjes së sigurisë si dhe përcaktimit të zonave të reja bregujore dhe të brendshme për ushtrimin e aktiviteteve të turizmit detar.

Nëpërmjet konceptit të shtuar të sipërmarrësit turistik, synohet nxitja dhe zhvillimi i aktiviteteve të reja në fushën e turizmit nga subjektet tregtare, si dhe organizimi sa më i mirë i këtij sektori.

Përfshirja e konceptit të Hotelit të Shpërndarë dhe Hotelit Trashëgimi Kulturore vjen si rrjedhojë e nxitjes së zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në zonat turistike rurale dhe muzeale, së bashku me procedurën për njohjen e fshatit tradicional turistik, duke rivitalizuar ndërtimet e vjetra dhe duke i shndërruar ato në struktura akomoduese mikpritëse.

Kundërvajtjet administrative

 Kur nuk përbëjnë vepër penale, shkeljet e mëposhtme janë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, përkatësisht:

  1. Ushtrimi i veprimtarisë si strukturë akomoduese pa certifikatë kategorizmi, dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:
  2. nga 1 deri në 5 dhoma me 20 000-50 000 lekë
  3. nga 6 deri në 15 dhoma me 100 000 lekë;
  4. nga 16 deri në 40 dhoma me 200 000 lekë:
  5. nga 41 deri në 80 dhoma me 300 000 lekë;
  6. mbi 80 dhoma me 400 000 lekë.
  7. përdorimi i paautorizuar i shënjave dalluese në strukturën akomoduese, pa u kryer procesi i klasifikimit sipas nenit 45 dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  8. c) ushtrimi i veprimtarisë si agroturizëm pa certifikatën përkatëse dënohet me gjobë, bazuar në numrin e dhomave, si më poshtë:
  9. deri në 5 dhoma 50 000 lekë;
  10. mbi 5 dhoma 100 000 lekë.

ç) mos respektimi i kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit, sipas parashikimeve dënohet me gjobë 100 000 lekë;

  1. d) ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse, dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  2. dh) ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse, dënohet me gjobë 300 000 lekë;
  3. e) ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar kërkesat e përcaktuara, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

ë) ushtrimi i veprimtarisë pa kontratë ose pa plotësuar të dhënat bazë, dënohet me gjobë 100 000 lekë;

  1. f) ushtrimi i veprimtarisë pa certifikatë, dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  2. g) ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar kërkesën e përcaktuar dënohet me gjobë 20 000 lekë;
  3. gj) ushtrimi i veprimtarisë pa plotësuar kërkesat e përcaktuara dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  4. h) mosrespektimi i kushteve dhe kritereve dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  5. i) ushtrimi i veprimtarisë pa kontratën përkatëse, dënohet me gjobë 300 000 lekë;
  6. j) mosafishimi në mënyrë të dukshme i kërkesave të sigurisë në stacionin e plazhit, dënohet me gjobë 50 000 lekë.
  7. k) mosmirëmbajtja dhe ndotja e hapësirës së stacionit të plazhit, dënohet me gjobë 200 000 lekë.
  8. l) moszbatimi i kushteve minimale teknike sipas tipologjisë së plazhit dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  9. ll) moszbatimi i kërkesave për kushtet e higjenës dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  10. m) moszbatimi i kërkesave për sigurinë në stacionin e plazhit dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  11. n) mosplotësimi i kërkesave dhe kushteve për vrojtuesin e plazhit dënohet me gjobë 100 000 lekë;
  12. nj) ushtrimi i veprimtarisë si stacion plazhi jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë, dënohet me gjobë 150 000 lekë;
  13. o) mungesa e vrojtuesit të plazhit në stacionin e plazhit dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  14. p) mungesa e kontratës së sigurimit për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta nga sipërmërrësit turistik, dënohet me gjobë 200 000 lekë;
  15. q) mos zbatimi i detyrimeve të përcaktuara dënohet me gjobë nga 50 000 lekë;
  16. r) mosdeklarimi i të dhënave statistikore nga strukturat akomoduese për numrin e vizitorëve, numrin e netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, dënohet me gjobë 150 000 lekë;
  17. rr) deklarimi i pasaktë i të dhënave statistikore dënohet me gjobë 100 000 lekë;

Gjoba përbën titull ekzekutiv me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ, dhe vendoset nga struktura përgjegjëse inspektuese në Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin”. Gjoba paguhet brenda 10 ditëve nga data kur vendimi i dënimit me gjobë është bërë titull ekzekutiv, në përputhje me ligjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative. rtsh

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0