2023 është viti që lavjerrësi në industrinë e bukurisë u kthye në një estetikë më natyrale, më pak ndërhyrje invazive dhe më shumë trajtime. Përveç kësaj, liposuksioni dhe hunda mbetet i popullarizuar, ashtu si dhe përtëritja jokirurgjikale e fytyrës…
Me teknologjinë që përshpejton industrinë online dhe offline me një ritëm të paparë, krahas kohërave shqetësuese ekonomike, mjedisore dhe politike në të cilat jetojmë, 2023-shi nuk duket si asnjë vit tjetër, edhe për industrinë e bukurisë.
Duke u përshtatur me komoditetin e një pamjeje natyrale, të shpejtë për t’u bërë gati, stilet elastike të jetesës dhe të shpenzimeve të ulëta për ndërhyrje, po fitojnë terren në tregun shqiptar të bukurisë.
Kozmetikat natyrale dhe vegane gjithashtu vazhdojnë të rriten në popullaritet, pasi bota bëhet më e ndërgjegjshme mbi përbërësit dhe ndikimin e tyre të përgjithshëm mjedisor. Dhe me rritjen e inflacionit, konsumatorët po u japin përparësi më pak produkteve që ofrojnë rezultate më efektive, të personalizuara sipas preferencave dhe nevojave të tyre.
Botoksi duket të jetë zëvendësuar nga fillerat më pak invazivë, trajtimet dhe të tjera kujdese ”pa thikë”.
Operatorët në treg raportojnë rritje të shitjeve të kremrave më cilësorë, të trajtimeve joinvazive për fytyrën dhe trupin. Rhinoplastika mbretëron në kërkesat për ndërhyrje nga femrat dhe mbjellja e flokëve nga meshkujt.
Skerdi Faria, nga spitali “Keit”, thotë se, kërkesat më të larta dy vitet e fundit kanë qenë për Korrigjimet e formës së hundës dhe zmadhimi i gjoksit.
Këto janë dy operacionet më të kërkuara, por nuk mbeten pas edhe kërkesat për korrigjime të kapakëve të syve, lifting të fytyrës, rregullim të formës së veshëve apo ngritje të vetullave. Gjithashtu është rritur kërkesa për rikonturimin e formës së trupit nëpërmjet liposuction-it, si te femrat, edhe te meshkujt.
Sipas tij, rritja e kërkesave në fushën estetike nga të gjitha grupmoshat, ka ardhur prej disa faktorësh. “E para, zvogëlimi i stigmës: Ka pasur një zvogëlim të paragjykimeve lidhur me ndërhyrjet kirurgjikale estetike në shoqërinë shqiptare. Më shumë njerëz janë të hapur për të diskutuar për këto procedura dhe tregojnë më shumë dakordësi për ato.
Gjithashtu ka ndikuar rritja e kërkesës për lloje të caktuara të ndërhyrjeve: Në Shqipëri, ndërhyrjet më të kërkuara zakonisht përfshijnë rinoplastikën (korrigjimi i formës së hundës), liposukcionin (heqja e yndyrës së tepërt me anë të aspirimit), implantet e gjoksit, botox-i dhe injeksionet e plota të lëkurës.
Duke pasur disa shërbime, duke u rritur konkurrenca e duke parë punime të ndryshme në spitale të ndryshme, konsumatorët kanë mësuar se ku të drejtohen. Frikërat për pamje jashtë natyrales kanë kaluar”- thotë dr. Faria.
Nga spitali DAVinci raportohet se këtë vit ka një tendencë të dukshme të përqendrimit në pamjen natyrore të rezultateve. Sipas tyre, shumë pacientë kërkojnë rezultate sa më të natyrshme, duke u përpjekur të shmangin ndryshimet e dukshme ose të tepruara në pamjen e tyre.
“Informacioni dhe ndërgjegjësimi mbi ndërhyrjet kirurgjikale estetike është rritur nëpërmjet mediave sociale dhe burimeve të tjera online. Shqiptarët janë më të informuar dhe të ndërgjegjshëm lidhur me opsionet dhe rezultatet e mundshme të këtyre procedurave.
Gjithashtu, çmimet kanë qenë mesatarisht të mira, duke e bërë të mundur që një i ri, i cili nuk e pranon dot më pamjen e tij me hundën e madhe apo veshët e dalë, të ketë mundësi ekonomike për ta ndryshuar këtë. Psikologjikisht, ndikon pozitivisht në jetën e tyre” – thonë mjekët e DaVInci.
Dr. Lida Hoxha, nga “DermoLife”, thotë se trajtimet më të kërkuara para verës janë ato hidratuese dhe mund të bëhen në të gjithë muajt, edhe në verë. Sipas saj, tendenca e viteve të fundit ka qenë përqafimi i trajtimeve joinvazive.
“Ajo që pacientët shpesh bëjnë gabim është se mendojnë se sa më shumë ujë që të pijnë, aq më shumë hidratohet lëkura e tyre: kapaciteti i hidratimit varet nga sa arrijmë të ruajmë ujin brenda vetë lëkurës.
Pirja e tepërt, mbi dy litra në ditë, dëmton veshkat dhe nuk të ndihmon. Molekulat që ndihmojnë në mbajtjen e ujit janë acidi hialuronik dhe kolagjeni. Me të dy këto elemente ka disa trajtime estetike ndër më të përdorurat vitet e fundit, për fytyrën kryesisht”.
Sot është e rrallë të shohësh një femër që nuk aplikon “elementet magjike”, të cilat përmirësojnë pamjen e jashtme, duke e tjetërsuar fytyrën dhe duke i dhënë bukurisë një tjetër kuptim. Po të marrim një mesatare prej 15 minutash në ditë përkushtim për kozmetikën, një femër llogaritet të shpenzojë 91 orë në vit, ose ndryshe 4 ditë në çdo vit të jetës së saj.
Klaudja Duzha nga “La Beaute” thotë se kërkesat dy vitet e fundit janë përqendruar në 3 trajtime kryesore: laseri për eliminimin e qimeve trupore, trajtime për heqjen e celulitit dhe masës dhjamore përmes aparaturave teknologjike dhe trajtimet e thella të fytyrës si dermapen, lift etj., pa produkte invazive, vetëm trajtuese. Kështu, ndërgjegjësimi për natyralen ka qenë në rritje.
Prof. dr. Rudina Thanasi, mjeke dermatolog-venerolog, pohon se ka ardhur koha e ndërhyrjeve estetike jokirurgjikale, duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e shqiptarëve që kërkonin rritjen e gjoksit apo buzëve në përmasa të mëdha, janë reduktuar.
Sipas saj, informimi ka sjellë që të kërkohen më shumë trajtimet pranë natyrales dhe këtë duhet ta përdorim si një aset edhe për të huajt, duke qenë se trajtime të tilla janë të shkurtra në kohë, si procedurë dhe në rikuperimin pas.
“Duhet të dihet se vetë botox-i kohën e përgjysmimit e ka 14 ditë, eliminohet plotësisht për 28 ditë nga trupi.
Efektin estetik e ka nga 45 ditë deri në 6 muaj, sipas llojit të firmës prodhuese, zakonit të mimikës së pacientit, mjekimeve të tjera, që ka marrë përpara dhe pas injektimit me botox dhe zonës gjeografike (zonë e nxehtë apo e ftohtë).
Ndaj, dhe trajtimet e fytyrës me Botox-in (Botulinium Toxina) mund të përdoren si tërheqje edhe për të huajt, duke qenë se është alternativa më e leverdishme për pacientin me rrudha mimike. Është një metodë shumë elegante, joinvazive dhe pa nevojë për kohë rikuperimi”, – thotë dr. Thanasi.
Pranë qendrës “Nisa Esthetic” pohojnë se, për zonjat me të ardhura mbi mesatare, të cilat sigurojnë mbi 50 mijë lekë të ardhura në muaj, prirja për trajtime është për kujdesin e lëkurës së fytyrës. Problemet e fytyrës janë përparësi edhe për vajzat adoleshente, të cilat, në këtë rast, me portofolin e prindërve priret të zgjidhin çështjen e akneve, apo puçrrave.
Mbipesha është gjithashtu shqetësim për moshat e reja. “Prej më se dy vitesh, vihet re interesimi i moshave të reja mbi 20 vjeç që kërkojnë me çdo kusht të kujdesen e të parandalojnë shtime të mëdha në peshë apo celulit të gradës së tretë”, thotë estetistja Anisa.
Kostot
Kostot e ndërhyrjeve kirurgjikale estetike në Shqipëri ndryshojnë në varësi nga lloji i procedurës, reputacioni i kirurgut, vendndodhja e klinikës dhe çështjet e tjera të lidhura me ofrimin e shërbimeve kirurgjikale.
Është e vështirë të japim çmime të sakta pa të dhëna specifike, por mund t’ju jap disa shembuj të përgjithshëm të kostove të zakonshme të disa ndërhyrjeve kirurgjikale estetike në Shqipëri:
Rinoplastika (korrigjimi i formës së hundës): Kostot për rinoplastikën në Shqipëri mund të ndryshojnë nga 1000 deri në 3000 euro ose më shumë, në varësi të kompleksitetit të rastit dhe reputacionit të kirurgut. monitor
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.