Studimi: Ngacmimet në internet, ja sa persona sulmohen në ditë - Business Magazine Albania

Studimi: Ngacmimet në internet, ja sa persona sulmohen në ditë

Në një sondazh në Evropë, Azi dhe Kanada, studiuesit zbuluan se dhuna e bashkëmoshatarëve dhe ngacmimi kibernetik janë probleme kryesore për fëmijët e moshës shkollore  dhe ato po përkeqësohen.Pavarësisht nëse është fizik apo psikologjik, bullizmi dhe forma të tjera të dhunës së bashkëmoshatarëve mes të rinjve nuk janë asgjë e re. Në fakt, tendencat e përgjithshme janë të qendrueshme.

Por një studim i 44 vendeve në Evropë, Azinë Qendrore dhe Amerikën e Veriut tregon një rritje të bullizmit kibernetik që nga viti 2018.

Studimi “Sjellja shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore” (HBSC) botuar në fund të marsit (27.03.2024) nga OBSH/Evropë (Organizata Botërore e Shëndetësisë) identifikon “digjitalizimin në rritje të ndërveprimeve të të rinjve” si shkakun kryesor të bullizmit kibernetik.Në një deklaratë për media të së njëjtës ditë, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se raporti ishte “një alarm zgjimi”. “Me të rinjtë që kalojnë deri në gjashtë orë në internet çdo ditë, edhe ndryshime të vogla në shkallën e ngacmimit dhe të dhunës mund të kenë implikime të thella për shëndetin dhe mirëqenien e mijëra njerëzve”, tha Kluge, duke theksuar si pasoja të mundshme vetëdëmtimin dhe vetëvrasjen.

Gjetjet kryesore të studimit

Studiuesit u bënë thirrje pjesëmarrësve të studimit – adoleshentët 11, 13 dhe 15 vjeç – të raportojnë sjelljen dhe përvojat e tyre me ngacmimin. Mesatarisht, më shumë djem, sesa vajza pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatarëve të paktën 2-3 herë në muaj gjatë “dy muajve të fundit” (para kohës së anketimit).

Dhe “prevalenca e përgjithshme e bullizmit kibernetik” ishte më e larta në moshën 13 vjeç dhe “dukshëm më e lartë” midis djemve të të gjitha moshave, shkruajnë autorët e studimit.

Ata vunë në dukje se mes djemve të anketuar, 15-vjeçarët në Lituani raportuan prirjen më të lartë për ngacmimin kibernetik të të tjerëve. Midis vajzave, 13-vjeçarët në Rumani kishin më shumë gjasa për t’u përfshirë në një sjellje të tillë.

Nga ana tjetër, rreth një në 10 djem dhe vajza raportuan se ishin ngacmuar në shkollë të paktën dy ose tri herë në muaj gjatë dy muajve të fundit.

 

“Në përgjithësi, 15% e adoleshentëve thanë se ishin ngacmuar kibernetikisht të paktën një ose dy herë në dy muajt e fundit (15% e djemve dhe 16% e vajzave)”, shkruajnë autorët e studimit.

Një në 10 adoleshentë raportoi se ishte përfshirë në përleshje fizike të paktën tri herë në 12 muajt e fundit (14% e djemve dhe 6% e vajzave).

Ngacmimi kibernetik: Një çështje gjinore?

Studiuesit thanë, se kontatuan që djemtë shfaqnin një tendencë më të lartë ndaj agresionit dhe përfshirjes në përleshje fizike sesa vajzat.

Si djemtë dhe vajzat shfaqin një prevalencë të ngjashme për bullizmin kibernetik. Por studiuesit konstatojnë, se ngacmimi kibernetik është në rritje mes vajzave të moshës 11 dhe 13 vjeç.

Si e përkufizon studimi bullizmin kibernetik?

Në sondazh, studiuesit pyetën të rinjtë nëse ata kishin dërguar (ose kishin marrë pjesë në dërgimin e) “mesazheve të menjëhershme, postimeve në mur ose e-maileve, ose postimit ose ndarjes së fotografive, ose videove në internet pa leje”.

Autorët thanë, se ndërsa ngacmimi kishte qenë “tradicionalisht” ndaj personit midis bashkëmoshatarëve, “format virtuale të dhunës së bashkëmoshatarëve janë bërë veçanërisht të rëndësishme që nga fillimi i pandemisë COVID-19, kur bota e të rinjve u bë gjithnjë e më virtuale gjatë kohës së izolimit.”

Reduktimi i bullizmit kibernetik

Studiuesit thonë, se shpresojnë që gjetjet e tyre do të përmirësojnë të kuptuarit e ngacmimit të adoleshentëve dhe dhunës së bashkëmoshatarëve në të gjithë Evropën, Azinë Qendrore dhe Kanada dhe do t’u mundësojnë ekspertëve të “shënjestrojnë ndërhyrjet në mënyrë efikase”.

Kjo do të përfshinte “strategji të ndjeshme ndaj gjinisë” për të trajtuar dhe reduktuar problemin e ngacmimit dhe programe për të promovuar arsimimin dixhital, ndjeshmërinë dhe zgjidhjen e shëndetshme të konflikteve.

Në një email për DW, Joseph Hancock i HBSC shkroi: “Suksesi kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm midis të gjitha palëve të interesuara. Ne u bëjmë thirrje individëve, familjeve, shkollave, komuniteteve dhe qeverive të punojnë krah për krah për të siguruar që të gjithë adoleshentët të kenë mjedise të sigurta dhe mbështetëse për t’u zhvilluar.” dw

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0