Apple vlerësim “C” për kulturën e punës - Business Magazine Albania

Apple vlerësim “C” për kulturën e punës

Apple vlerësim “C” për kulturën e punës

Tim Cook nuk i shpenzon ditët e tij duke parë CV-të e aplikantëve, por, gjatë 11 viteve si CEO i Apple, ai ka arritur të përcaktojë se çfarë tiparesh nevojiten për të ecur përpara në këtë kompani.
Në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Federico II të Napolit, Cook u tha të sapodiplomuarve nga ky universitet i Napolit në Itali se ai kishte vënë re që suksesi i Apple varej nga kultura e kompanisë dhe nga personat që punësohen aty.

Për shembull, kompania zakonisht kërkon punonjës që kanë këto katër tipare: aftësinë për të bashkëpunuar, kreativitetin, kuriozitetin dhe ekspertizën.

“Kjo ka qenë një formulë shumë e vlefshme për ne,” tha ai, duke vënë në dukje se këto tipare kontribuojnë gjithashtu për të sjellë një kulturë ambicioze, por edhe mbështetëse në vendin e punës. “Nuk është se dikush shkon në një cep të kompanisë dhe zbulon i vetëm teknologji të reja.”

Në fjalën e tij, Cook i renditi aftësitë pikërisht sipas radhës së përmendur më lart. Ai tha se arsyeja pse bashkëpunimi është kaq i rëndësishëm, është sepse ai i përmban edhe të treja aftësitë e tjera.

“Ne kërkojmë atë ndjesinë themelore që, nëse unë ndaj idenë time me ty, ajo ide do të rritet, do të bëhet më e madhe dhe më e mirë,” tha Cook. “Dhe ky proces bashkëpunimi është mënyra se si Apple arrin të krijojë produktet e veta.”

Kjo ndjesi e bashkëpunimit sjell kreativitetin dhe kuriozitetin, pasi të tre këta faktorë janë të nevojshëm për të nisur me ide të reja ose për të përmirësuar idetë ekzistuese, tha ai.

“Ne kërkojmë njerëz që mendojnë ndryshe, që mund të shikojnë një problem dhe të mos mbeten te dogma se si është zgjidhur ai problem nga të tjerët,” tha ai. “Kjo mund të duket si klishe, por nuk ka pyetje të kota. Është shumë mirë kur dikush fillon të bëjë pyetje, siç do të bënte një fëmijë.”

Megjithatë, fakti nëse taktikat e punësimit të Apple sigurojnë vazhdimisht një mjedis pune pozitiv mbetet i hapur për t’u diskutuar. Këtë vit, Apple nuk arriti të ishte pjesë e listës vjetore të Comparably, e cila rendit kompanitë globale me kulturën më të mirë në vendin e punës. Ajo mori gjithashtu një vlerësim “C” për sa i përket kulturës në ambientin e punës, pavarësisht se u rendit në vendin e 14-të vitin e kaluar.

Apple gjithashtu ra me më shumë se 20 vende në renditjen vjetore të Glassdoor për kompanitë më të mira për të punuar në SHBA, duke rënë nga pozicioni i 31-të në atë të 56-të. Përshtypjet e punonjësve në të dyja këto vlerësime tregonin mungesën e një ekuilibri të mirë midis punës dhe jetës, orare të çrregullta dhe stres të lartë nga konkurrenca në ambientin e punës.

“Ne jemi dhe kemi qenë gjithmonë thellësisht të përkushtuar për të krijuar dhe për të ruajtur një ambient pune pozitiv dhe gjithëpërfshirës,” tha Apple në një deklaratë për New York Times, duke iu përgjigjur kështu ankesave të punonjësve për një kulturë “toksike”, të cilat filluan të shfaqeshin në shtator.

“Ne i marrim seriozisht të gjitha shqetësimet dhe kryejmë investigimet tona sa herë që ngrihet një shqetësim dhe, për hir të respektit për privatësinë e çdo individi të përfshirë, ne nuk i diskutojmë publikisht çështjet specifike të punonjësve.”

Kjo taktikë e punësimit nga Apple është përdorur për të paktën gjashtë vjet, sipas Cook. Në Utah Tech Tour, të mbajtur në tetor të vitit 2016, Cook tha se Apple kërkonte personat më të ndritur, më të vendosur, me një kuriozitet obsesiv, me fokusin tek ekipi dhe me një idealizm axhitues, për t’i pasur si punonjës të saj.

“Ne kërkojmë njerëz të zgjuar… por, ka shumë njerëz të zgjuar”, tha ai në një konferencë. “Ne kërkojmë njerëz që janë shumë bashkëpunues, sepse askush – madje edhe heronjtë me pelerinë – nuk mund të bëjnë gjithçka të vetëm.” / CNBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0