Nuk kishte si të mungonte edhe këtë të Enjte paneli i jurisë:
1. Artan Dulaku është themelues i “Edil al Group”, i Qendrës Tregtare Kristal, ETC, rrjetit supermarkatës Conad, Tring Digital, Vizion +. Ai është investitor në kompani ndërtimi, është koncesionari i Ford, Ranger Rover dhe lista e tij e investimeve vazhdon të rritet duke u bërë një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri. Çdo sipërmarrje e tij ka pasur sukses, të cilat vazhdojnë të rriten edhe sot duke sjellë cilësinë në tregun shqiptar.
2. Gentian Daci administrator dhe CEO i “ABCom Itd”, një ndër kompanitë lider në ofrimin e shërbimeve të elekomunikacionit, ka fituar çmimin si “Menaxheri më i mirë i vitit” në #ICAL13. Prof.Asoc. Genti Daci, lindi në vitin 1972. Studimet e larta i kreu ne Universitetin Politeknik të Tiranës në Degën Inxhinieri Elektronike dhe Elektrike në vitet 1990-1995. Në kuadër të projektit Tempus, diplomën e zhvilloi në Universitetin Politeknik të Athinës NTUA. Në vitin 2003 fiton titullin Doktor për fushën e Rrjetave në drejtimin e Implementimit të teknikave IPv6. Në fund të vitit 2011 bëhet Prof.Asoc pas një sërë botimesh dhe artikujsh të botuar si brenda dhe jashtë vendit. Genti Daci është titullar në fushën e Rrjetave Kompjuterike dhe Sistemeve të Shfrytëzimit.
3. Donika Mici është CEO e “Donianna & Mici sh.p.k.” një nga bizneset fason më të suksesshme në Shqipëri. Kompania e themeluar në Qershor të vitit 1992 është ndër më të mëdhatë eksportuese dhe prej disa vitesh ka dalë si prodhuese, duke dhënë një shembull pozitiv, jo vetëm për mbylljen e ciklit në industrinë me material porositësi, por edhe gjetjen direkt të tregjeve.
4. Besnik Leskaj është CEO i “AbKons”, një kompani konsulence financiare, e themeluar në vitin 2006. Ai ka mbi 15 vite eksperiencë në menaxhim në sektorin privat dhe publik. Kompania është rritur me hapa të shpejtë në sektorë të ndryshëm të industrisë të tilla si: energjia dhe burimet natyrore, transporti, zhvillimi urban, administrimi publik dhe agrikultura.
5. Samir Mane është President i Grupit BALFIN, një ndër grupet private investuese më të mëdha në Shqipëri dhe rajon. Portofoli i investimeve të Grupit Balfin mund të kategorizohet në aktivitete për zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjet me pakicë, menaxhimi i hapësirave tregtare apo industriale dhe shërbime, telekomunikacion, fincancim i konsumatorëve, industria minerare, turizëm dhe agrikulturë. Balfin Group është një aktor kryesor në tregjet shqipëtare dhe ato ndërkombëtare duke vepruar në 10 vende. Balfin Group ka krijuar një reputacion të tij si Grupi më aktiv dhe inovator falë ideve të suksesshme të investimeve, të cilat kanë transformuar dhe revolucionarizuar jo vetëm tregun por edhe sjelljen e konsumatorëve. Sot, me zyrat qëndrore në Tiranë, Grupi Balfin është prezent me aktivitetin e tij përtej kufijve të Shqipërisë, në Austri, Maqedoni, Mali i Zi, Dubai, Kosovë, Greqi, Itali, Hong-Kong dhe Amerikë.
Këtë here ishin 7 gjysëmfinalistë që ndanë se ku kishin arritur me punën e tyre, çfarë kërkonin në këtë fazë dhe planin financiar të tyre. Pas një periudhe këshillimi dhe mentorimi me tre mentorë Gerti Boshnjaku, Gladiola Dona dhe Arta Gubardhi, ata vijnë më të përgatitur dhe më të sigurtë se kurrë në këtë fazë gjysëmfinale. Në fund të çdo prezantimi anëtarët e jurisë bënë pyetje, komente si dhe përgëzuan gjysëmfinalistët për projektet e tyre.
– E para në këtë gjysëmfinale të dytë ishte Ejona Zaimaj me Projektin e saj “Ferma Amalthia”. Ylli Syla i kishte premtuar Ejonës ekspozimin e produkteve të saj në Panairin “Food and drink festival” nga Expo City. Këtë herë ajo prezantoi planin e biznesit të saj, ku tregoi se kishin hyrë në prodhim dhe disa lloje djathrash. Ejona kërkonte ngritjen e një laboratori për analizimin e ushqimit që dhitë përdornin dhe analizimin e qumështit që futet në prodhim. Zoti Saimir Mane i ofroi Ejonës shitjen e produkteve të saj nëpërmjet rrjetit të supermarketeve Spar.
– I dyti që u prezantua ishte Olgert Elezi me Projektin e tij “My Procare”. Ai prezantoi planin e tij të biznesit. Tregoi se çfarë kishte bërë deri tani me këtë projekt. Kërkonte që për të dalë në treg i duhej partneritet me kompani telefonike në mënyrë që numri i mesazheve dhe interneti mos jenë të limituar, kërkonte partneritetit me qendrat mjekësore, me kompanitë e siguracioneve dhe marketing. Njëri nga anëtarët e jurisë Gentjan Daci i ofroi 3 vjet hostim falas për aplikacionet në serverat e ABCom si dhe do i mundësonte një takim me spitalin Amerikan.
– E treta në këtë puntatë ishte Hajre Dervishi me “Artizane të Natyrës”. Gerti Boshnjaku CEO i New Media Communications i kishte premtuar një faqe interneti, e cila është në ndërtim e sipër. “Artizane të Natyrës” është një biznes që ka qëllim ofrimin e produkteve natyrale të vendit tonë të prodhuara në mënyrë artizanale, qoftë këto produkte ushqimore apo kozmetike. Ajo që përbën fokusin kryesor janë produktet kozmetike, të cilat krijojnë një linjë që përdor çdo gjë që ofron natyra jonë nga Alpet, bregedeti dhe çdo vend i Shqipërisë. Është një iniciativë për të krijuar një biznes social, sepse ka në fokus bashkëpunimin me zonja nga krahina të ndryshme të Shqipërisë duke krijuar një urë lidhëse për to. Zoti Artan Dulaku i ofroi hapësirë tregtimi në një nga qendrat tregtare që ai zotëron. Gjithashtu ai i ofroi suport mediatik, reklamim në revistën “Living” dhe në Tring.
– I katëria ishte Aurel Hasani me “Urban Line”, aplikacioni pilot në qytetin e Shkodrës që shkurton kohën e pritjes së urbanit. Ai prezantoi planin e tij të biznesit si dhe kërkonte investim për zhvillimin e këtij projekti. Gentjan Daci i ofroi një vit hostim falas në serverat e ABCom për projektin e tij.
– E pesta në garë ishte Blerina Ago me “Albanian Adventure Resort”. Ajo prezantoi planet e saj për të ardhmen për këtë resort. Kërkonte që me anë të “Albanian Adventure Resort” të punësoheshin, trajnoheshin dhe rekrutoheshin të rinjtë. Ishte e hapur për mënyra të ndryshme partneriteti. Saimir Mane, CEO i Balfin Group, ishte i gatshëm ta shikonte këtë si mundësi bashkëpunimi. Gjithashtu dhe CEO i Abkons i premtoi mbështetje, ndërsa Gentjan Daci i premtoi shërbim interneti falas në këtë hapësirë.
– Vëllezërit Valentin & Kastriot Ndoji me projektin e tyre Kondensë Katalitike Qeramike për ngrohjen e ajrit ishin të gjashtët e kësaj puntate. Këtë pajisje ata e kishin patentuar në nivel kombëtar dhe pasi prezantuan plan biznesit e tyre ata kërkonin 5000 € për prodhimin e maketit, 10 mijë euro për patentim ndërkombëtar dhe investime të tjera për të ngritur infrastrukturën për prodhimin e kësaj pajisjeje.
– Ideja e fundit ishte “Sana Vita – për një jetë të shëndetëshme” nga Suela Horanlli. Një projekt mjaft i pëlqyer nga juria dhe mjaft me dobi për qytetin e Korçës. Pasi prezantoi plan projektin e saj ajo kërkonte investim për aparatura, bazë materiale dhe bashkëpunim me kompanitë e sigurimit.
Në fund të puntatës së dytë të gjysëmfinaleve, vetëm dy prej ideve arritën të kalonin në fazën finale: “Ferma Amalthia” nga Ejona Zaimaj dhe projekti “Albanian Adventure Resort” nga Blerina Ago.
“Do You Have an Idea?” i jep mundësi të gjithë atyre që kanë qëllim për t’i shërbyer njerëzve në nevojë apo t’ua lehtësojnë jetën, që të vijnë në program, ta paraqesin idenë e tyre përballë jurisë dhe të marrin fondin e nevojshëm për të bërë realitet planin e tyre të biznesit.
Business Magazine Albania ju fton që të merrni pjesë në këtë format televiziv për të ndarë me të gjithë idenë tuaj inovative të biznesit. Ndiqeni gjysëmfinalen tjetër të “Do you have an idea?” të Enjten në datën 2 Qershor në Vizion Plus.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.