Në një kohë kur modelet tradicionale të lidershipit shpesh nënvizojnë energjinë e ashtuquajtur “mashkullore” vendosmërinë e fortë, kontrollin dhe strukturën e ngurtë — një valë e re drejtuesish po sjell një qasje më njerëzore, më të ndjeshme dhe gjithashtu më efektive. Një ndër shembujt më domethënës vjen nga Sarah O’Leary, CEO e kompanisë femtech Willow, e cila thekson se “nuk kemi nevojë për më shumë energji mashkullore në vendin e punës, por për më shumë ndershmëri, empati dhe fleksibilitet.”
Sipas saj, ndërtimi i besimit brenda një ekipi është çelësi për funksionimin e suksesshëm të një organizate. Kjo përfshin krijimin e një kulture që vlerëson autonominë dhe mirëkuptimin. Tek Willow, kompania që prodhon pajisje inovative për nënat si pompë gjiri të veshshme dhe pa rrjedhje, fleksibiliteti nuk është një përjashtim, por një standard. Stafi nuk është detyruar asnjëherë të rikthehet fizikisht në zyrë me urdhra të rreptë. Kjo liri nuk është parë si rrezik për produktivitetin, përkundrazi, është përforcuar si një element që e shton atë.
“Kur fëmijët e mi kanë koncert në shkollë në orën 10:00 të mëngjesit, unë do të shkoj. Dhe do të rikthehem më vonë për të vijuar me punën time. Kjo nuk më bën më pak efiçente, përkundrazi, më bën më e përkushtuar,” thotë O’Leary. Si nënë e dy fëmijëve, ajo e di fort mirë se sa e rëndësishme është të mbështetësh punonjësit që janë edhe prindër.
Lexo edhe:Silicon Valley dhe fundi i punës njerëzore: A po përpiqen të na zëvendësojnë të gjithëve?
Kjo qasje ka sjellë rezultate. Willow sapo ka hyrë në një fazë të re zhvillimi me blerjen e kompanisë britanike Elvie, një tjetër markë inovative në fushën e shëndetit të gruas, duke parashikuar rritje të të ardhurave me 50%. Kompania ka gjithashtu iniciuar bashkëpunime sociale, si partneriteti me platformën Canopie, ku u dhuruan një milion orë mbështetje për shëndetin mendor të nënave.
Për O’Leary, roli i CEO-së nuk ka qenë thjesht një synim personal. Ajo nuk është udhëhequr nga ambicia për pushtet, por nga përkushtimi ndaj misionit të kompanisë. “E ndjeva që isha personi i duhur për këtë detyrë, sepse e njihja mirë operacionin tregtar dhe mund ta kombinoja me zhvillimin e produktit,” thotë ajo. “Të jesh CEO është një përgjegjësi, po aq sa është një titull prestigjioz.”
Ajo thekson se çdo udhëheqës duhet të jetë i sinqertë me veten për motivimet që ka. “Ky rol nuk është thjesht për shkëlqim. Je i pari që përballesh me sfidat dhe pyetjet e vështira. Organizata sheh nga ti për drejtim në çdo situatë të vështirë.”
Në fund të ditës, modeli i ri i lidershipit që po përqafohet nga drejtues si Sarah O’Leary dëshmon se përkushtimi, empatia dhe fleksibiliteti nuk janë dobësi, por gurët e themelit të suksesit në biznesin modern.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.