Aleksandër Bello është 24 vjeç, por përvoja dhe idetë e tij, nuk kanë lidhje me moshën. Është pa dyshim një mendje e ndritur, që e tejkalon moshën biologjike. I riu nga Tirana, prej afro 2 vitesh punon në kompaninë WhatsApp, në Karolinën e Veriut, në pozicionin e inxhinierit të software-ëve, mirëpo veç kësaj, kompania i ka besuar edhe një detyrë tjetër të rëndësishme: atë të identifikimit dhe përfshirjes së talenteve të reja në këtë fushë. Për një djalë që kishte studiuar në gjimnazin “Harry Fultz” në Tiranë, ishte e paimagjinueshme të bëhej pjesë e një kompanie gjigante.
Lexoni më shumë: Aleksandër Bello, shqiptari që punon prej dy vitesh në kompaninë globale, WhatsApp
I riu kosovar Benjamin Gecaj është futur në listën e personave që do të punojë për platformën sociale Instagram, falë një marrëveshjeje të arritur mes palëve. Benjamin ka arritur që për disa muaj të gjejë mangësi në sistemin e Instagram. Në këtë mënyrë fillimisht u shpërblye me 25 mijë dollarë, por më pas kompania ka kërkuar që studenti në fjalë të jetë pjesë e stafit të kompanisë. Benjamini është nga fshati Llaushë, i komunës së Skenderajt dhe ndjek studimet e vitit të parë në Shkenca Kompjuterike në kolegjin privat UBT.
Lexoni më shumë: Shqiptari nga Kosova shpërblehet me 25.000 $ dhe punësohet nga Instagram
Ardit Dine është ndër të rrallët inxhinierë të rinj shqiptarë që ka gjetur veten në Kinën e largët. Një mjeshtër i teknologjisë, krijues aplikacionesh që në moshë të re, ai po mbyll masterin në një prej universiteteve më të njohura kineze për teknologjinë e informacionit dhe tashmë është punësuar pranë një kompanie në zgjerim në Bihang. E ka nisur marrëdhënien me aplikacionet duke punuar me Nokian. Një aplikacion i Nokias, Livescore, mban emrin e tij. Atëherë ishte 17 vjeç dhe bashkëpunimin me kompaninë e ka mbajtur për disa vite, duke zhvilluar lojëra të ndryshme në telefon. Ofertat për të kanë qenë nga më të ndryshmet, por tani kompania ku punon e frymëzon. Dëshira e tij është ngjitja drejt Microsoft, por deri atëherë Ardit Dine ia ka dalë të jetë i riu që nëpërmjet teknologjisë të realizojë veten në vendin ku ajo ka më shumë kuptim.
Lexoni më shumë: Ardit Dine, talenti që po kërkohet nga gjigandët botëror të teknologjisë
Kompanisë së mirënjohur botërore, Samsung i është bashkaur si i punësuar Durim Klaiqi, një student shqiptar i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, në UBT. Aty ai mban pozicionin si Theme Designer, duke u bërë kështu shqiptari i parë që bëhet pjesë e stafit të kësaj kompanie. Klaiqi arriti të bëhet pjesë e kësaj kompanie pasi kishte përpiluar një portofol që jepte shembuj konceptual për stilin e dizajnit, e cila u vlerësua pozitivisht nga ekipi i Samsung në dy pika kryesore, dizajn kualitativ dhe një trajtë unike e dizajnit. Klaiqi është duke punuar në sektorin e kësaj kompanie, të quajtur “Samsung Themes”, i cili është një shërbim që ofron personalizimin e pajisjes Android, përmes ndërrimit të User Interface.
Lexoni më shumë: Edhe Shqipëria ka tashmë një të punësuar në kompaninë Samsung
Ervis Trupja e filloi karrierën e tij si mësues i lëndës së matematikës ku kuptoi më mirë fuqinë e mësimdhënies efektive. Pas një viti mësimdhënieje profesionale, ai vendosi të sfidojë veten në industrinë e teknologjisë gjithnjë në zhvillim dhe ndryshim. Ai kurrë nuk ndaloi së mësuari aftësi të reja rreth programimit. Herët, ai filloi krijimin e aplikacioneve thjesht për argëtim. Ky pasion ka çuar në vendimin e tij për të punuar me orar të plotë në fushën e teknologjisë. Krijimi i kurseve është mënyra më e mirë për të kombinuar urinë për njohuri rreth teknologjive të reja dhe pasionin për të mësuar.
Ai udhëton drejt Kalifornisë në zyrat e LinkedIn Corporation (LinkedIn) ku punon për kursin online çdo herë që do të publikojë kurse. Për kursin ka punuar i vetëm, duke qenë nën vëzhgimin e një menaxheri nga LinkedIn, i cili kontrolloi scriptet, ideimin dhe ecurinë e kursit.
Lexoni më shumë: Ervis Trupja, shqiptari që i bashkohet ekipit të LinkedIn
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.