Miliarderi i parë shqiptar në listën e Forbes, Samir Mane, rrit pasurinë në 1.9 miliardë dollarë! - Business Magazine Albania

Miliarderi i parë shqiptar në listën e Forbes, Samir Mane, rrit pasurinë në 1.9 miliardë dollarë!

Miliarderi i parë shqiptar në listën e Forbes, Samir Mane, rrit pasurinë në 1.9 miliardë dollarë!

Pasuria e sipërmarrësit shqiptar Samir Mane ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit të fundit, duke konsoliduar më tej pozicionin e tij në renditjen globale të miliarderëve të publikuar nga revista Forbes. Sipas përditësimit më të fundit të kësaj reviste prestigjioze, pasuria neto e themeluesit të BALFIN Group vlerësohet tashmë rreth 1.9 miliardë dollarë, një rritje prej afërsisht 500 milionë dollarësh krahasuar me një vit më parë.

Ky zhvillim konfirmon një trend të qëndrueshëm zgjerimi për perandorinë e investimeve të ngritur nga Mane ndër vite. Ai u bë pjesë e listës së miliarderëve të Forbes për herë të parë në vitin 2025, duke hyrë në histori si biznesmeni i parë shqiptar që arrin këtë nivel të pasurisë dhe njëkohësisht i pari nga rajoni i Ballkanit që përfshihet në këtë klasifikim global, duke u renditur i 2177-ti në listën aktuale.

Sipas Ekofin, të dhënat më të fundit tregojnë se pasuria e tij ka vijuar të rritet falë zhvillimit dhe diversifikimit të aktiviteteve të BALFIN Group, një prej konglomerateve më të mëdha të investimeve në Europën Juglindore. Aktualisht Mane mbetet i vetmi përfaqësues nga Ballkani në listën globale të miliarderëve të Forbes.

Sipas Forbes, Mane është themelues dhe president i BALFIN Group, një grup investimesh me qendër në Tiranë që operon në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, duke përfshirë tregtinë me pakicë, pasuritë e paluajtshme, logjistikën dhe shërbimet financiare. Në portofolin e tij përfshihen disa nga qendrat tregtare më të mëdha në Ballkanin Perëndimor, rrjete të njohura të shitjes së pajisjeve elektronike, si dhe projekte të rëndësishme rezidenciale dhe turistike në Shqipëri dhe rajon.

Lexo edhe:Samir Mane, shqiptari i parë në listën e miliarderëve të Forbes

Sot BALFIN Group operon me një portofol të gjerë aktivitetesh që shtrihen përtej Shqipërisë. Përveç investimeve në retail dhe pasuri të paluajtshme në Ballkanin Perëndimor, grupi zotëron banka, parqe logjistike dhe projekte të mëdha zhvillimi urban. Sipas Forbes, investimet e tij përfshijnë gjithashtu projekte në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri, si dhe iniciativa infrastrukturore dhe arsimore në Shqipëri.

Për ekonominë shqiptare, prania e një sipërmarrësi vendas në listën globale të miliarderëve të Forbes përfaqëson një moment simbolik: një tregues të konsolidimit të kapitalit privat dhe të maturimit të një brezi biznesesh që tashmë operojnë në shkallë rajonale dhe ndërkombëtare.

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0