"Sipërmarrësit e së Nesërmes," intervistë me fituesit e konkursit kombëtar të TBU » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 13/04/2016

“Sipërmarrësit e së Nesërmes,” intervistë me fituesit e konkursit kombëtar të TBU

Share
nga Xhulia Vasili
Pri 13, 2016
Studied at Faculty of Economy, UT Content Editor Biznesi at Business Mgazine
lexo me teper >

Intervistë me “Sipërmarrësit e së Nesërmes,” sot studentë në TBU dhe njëkohësisht të punësuar në Raiffeisen Bank, Deloitte dhe NOA

Arlinda Basha nga Fieri: Fituese e vendit të parë në konkursin kombëtar “Sipërmarrësit e së Nesërmes” 2013. Aktualisht studente në vitin e tretë në programin Bachelor në Administrim Biznesi, profili Financë & Kontabilitet. E punësuar në Raiffeisen Bank Albania.

Orges Deda nga Durrësi: Fitues i vendit të dytë në konkursin kombëtar “Sipërmarrësit e së Nesërmes” 2012. Aktualisht student në programin Master Shkencor në Administrim Biznesi. I punësuar në Deloitte Albania and Kosova.

Xhulja Deliu nga Tirana: Fituese e vendit të dytë në konkursin kombëtar “Sipërmarrësit e së Nesërmes” 2013. Aktualisht studente në programin Bachelor në Administrim Biznesi, profili Financë & Kontabilitet. E punësuar në NOA.

1. Çfarë ju bindi të merrni pjesë në konkursin kombëtar “Sipërmarrësit e së Nesërmes” të TBU?

Arlinda: Pjesëmarrja në konkurs, përtej sfidës ndaj maturantëve të tjerë të shkollave të ndryshme nga i gjithë vendi, ishte sfidë ndaj vetes sime. Të mësoja dhe të aftësohesha më shumë rreth fushës së ekonomisë/biznesit ishin ajo çfarё unë dëshiroja të ndërmerrja në lidhje me karrierën time.
Orgesi: Si maturant, isha i pavendosur mbi zgjedhjen time për vazhdimin e studimeve. Konkursi ishte një mundësi konkrete për të qartësuar vetëveten. Kisha dëgjuar që TBU ndryshe nga shkollat e tjera, i mundësonte studentëve të saj çdo vit praktika pune në bizneset më të mëdha e të suksesshme të vendit.
Xhulja: Dëshira për t’u sfiduar dhe për të testuar vetëveten në krijimin dhe drejtimin e ekipit, në gjenerimin e idesë së biznesit, dhe prezantimin përpara jurisë profesioniste.

2. Me çfarë ideje biznesi u prezantuat në konkurs?

Arlinda: Ideja konsistonte në ndërtimin e një kompleksi turistik në pyllin e Semanit (Fier), ideuar në mënyrë që të gjithë grupmoshave t’iu jepej mundësi për t’u argëtuar dhe relaksuar në natyrë.
Orgesi: Ndërtimi i një ferme “Bio” me qëllim prodhimin dhe tregtimin e produkteve të freskëta në tregun shqiptar me katër aktivitete të ndërthurura me njëra-tjetrën si: i. sera, ii. fabrika e prodhimit të vajit të ullirit, iii. fabrika e prodhimit të verës dhe iv. pularia.
Xhulja: Ideja e biznesit nënkuptonte ndërtimin e një poçarie, nisur nga tradita e banorëve të vendlindjes sime.

3. Në opinionin tuaj, çfarë e bëri fituese idenë tuaj të biznesit?

Arlinda: Bashkëpunimi në ekip, ideja reale e biznesit dhe mënyra e prezantimit përpara jurisë.
Orgesi: Ideja inovative e biznesit si katër aktivitete zinxhir që ndihmonin zhvillimin e njëra-tjetrës.
Xhulja: Strukturimi i mirë i idesë së biznesit sipas udhëzimeve të marra për hartimin e planit të biznesit.

4. Çfarë gjetet të veçantë gjatë studimeve në TBU?

Arlinda: Praktikat profesionale të përvitshme dhe eventet e ndryshme. Të jesh student në TBU ke avantazhin të integrohesh herët në praktikë profesionale pranë bizneseve partnere të cilat ofrojnë edhe mundësi punësimi. Me dëshirën për t’u informuar në mënyrë aktive kam zgjedhur të jem pjesëmarrëse në të gjitha eventet formuese që organizohen për studentët si: seminare speciale, leksione të hapuara, takime me sipërmarrёs, vizita studimore, etj.
Orgesi: Mënyra e organizimit të mësimit dhe modeli i pedagogut të përzgjedhur. Pedagogët e angazhuar janë profesionistë të fushave përkatëse më të cilët ke mundësinë të diskutosh mbi problematikat reale dhe rastet studimore të përditshme nga eksperienca e tyre. Organizimi në grupe pune për lëndë të ndryshme ndihmon në zhvillimin e aftësive të menaxhimit dhe lidershipit.
Xhulja: Disponibiliteti dhe fleksibiliteti që TBU krijon për studentët. TBU është një familje e madhe që funksionon si rezultat i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

5. Ndërsa shumica e tё rinjve kërkojnë veçse një diplomë, pse ju keni sakrifikuar për të përvetësuar dije dhe aftësi?

Arlinda: Një diplomë ka më shumë vlerë kur është e shoqëruar me dijet dhe aftёsitë e tua. Ato janë çelësi që hapin dyert e suksesit dhe të cilat nuk të braktisin kurrë. Unё kam zgjedhur që të kërkoj suksesin dhe kush mund të jetë shoqërues më i mirë sesa aftësitë dhe dijet e mia.
Orgesi: Vendi i punës mbahet nga ai që “di”, jo nga ai që “ka” sepse fundja çdo biznes kërkon aftësinë, e cila do të testohet dita-ditës me punë. Nëse diploma është çelësi që hap dyert e punës, aftësia është ajo që na mban ne brenda kësaj “shtëpie”.
Xhulja: Kam zgjedhur të investoj te vetja, duke përvetësuar dije dhe aftësi. Mendoj se janë dy faktorё esencialё për dikë që aspiron të ketë sukses në profesion.

6. Si ju shërbeu formimi juaj në TBU në aplikimet për punë dhe punësimin aktual?

Arlinda: Studimet në TBU janë themeli i formimit tim profesional. Në te tre vitet e studimit në TBU kam pasur mundësi të jem në kontakte me njerëz që vijnë nga bota e biznesit dhe institucioneve të ndryshme financiare. Kjo gjë më ka ndihmuar mua të integrohem lehtë në këto shoqëri. Studimet cilësore dhe gërshetimi i procesit mësimor me praktikat profesionale që në vitin e parë akademik, me kanë ndihmuar të nis karrierën e punësimit në Raifeisen Bank.
Orgesi: Ishin njohuritё e fituara, dhe praktikat profesionale të zhvilluara gjatë 3 viteve, si dhe suporti nga Zyra e Karrierës në TBU në mënyrën se si duhet të përgatitemi në një intervistё apo si të menaxhojmë situatat e ndryshme që na jepen në punë, të cilat kanë ndikuar në punësimin tim në Deloitte Albania.
Xhulja: TBU të ofron mundësi për praktikë profesionale çdo vit në biznese të suksesshme, dhe kjo gjë të ndihmon të zhvillosh potencialin tënd dhe të kuptosh ku t’i dëshiron të punosh në të ardhmen, si dhe të favorizon në krijimin e kontakteve me drejtuesё të kompanive. Përmes eksperiencës së fituar nga praktikat e realizuara kam arritur të punёsohem në kohë mjaft të shkurter në NOA.

7. Çfarë i sugjeroni maturantëve pjesëmarrёs të këtij viti në konkursin “Sipërmarrёsit e së Nesërmes”?

Arlinda: Në konkurse ekipore është shumë e rëndësishme ndarja e detyrave bazuar në aftësitë dhe njohuritë e secilit anëtar. Kujdesuni të ndërtoni një ekip unik!
Orgesi: Në juri do të gjeni sipërmarrës të suksesshëm të cilët janë aty për t’ju dëgjuar dhe mbështetur nëse ideja juaj e biznesit është inovative. Përfitoni nga ky moment!
Xhulja: TBU vlerëson me rigorizitet çdo përpjekje të pjesëmarrëseve, prandaj kushtojini kohë dhe vëmendjen e duhur planit të biznesit që do të prezantoni. Përpiquni që të gjeni një ide inovative dhe ta prezantoni sa më qartë!
Arlinda, Orgesi dhe Xhulja: Nëse jeni ambicioze, nëse doni të ecni përpara bazuar në meritat tuaja, nëse pëlqeni të studioni për administrim biznesi dhe doni që ta shihni veten sipërmarrës apo punonjës i ardhshëm në kompanitë më të suksesshme të vendit, zgjidhni TBU.

Për konkursin “Sipërmarrësit e së Nesërmes” Edicioni i VI-të dhe “Juristët e së Nesërmes” Edicioni i II-të, ndryshe nga më parë, skuadrat kanë mundësi të sigurojnë financimin e idesë së biznesit përmes fondit të Balfin Group, partner i projektit.

 

/Business Mag Albania