Startup Grind Tirana në eventin e tij të radhës, i cili u zhvillua në ambientet e Protik Innovation Center kishte të ftuar Z. Kadri Morina. Në këtë event morën pjesë mbi 40 pjesëmarrës me qëllimin dhe dëshirën për të dëgjuar të gjithë eksperiencën e tij si sipërmarrës i suksesshëm në Shqipëri.
Ne si staf i Business Magazine Albania ishim pjesë e këtij eventi, ashtu siç do të jemi edhe në të gjitha eventet e tjera të organizuara nga Startup Grind Tirana, jo vetëm si partner mediatik por edhe për të mësuar më shumë mbi botën e sipërmarrjes. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet por për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.
Kadri Morinaj e nisi rrugën e tij të sipërmarrjes në vitin 1990, kur ai filloi kompaninë e tij të parë “Euro-Alba”. Pas njëfarë kohe, ai kishte në pronësi një nga objektet më të famshme në Tiranë, Bar Restorant Piazza.
Gjatë periudhës kohore 2000 – 2004 fusha e tij e interesit ka qenë në sektorin bankar, ku ai ka investuar në disa banka private në Shqipëri.
Në vitin 2004, Z. Morinaj hyri në industrinë e sigurimeve, duke blerë “Dukagjini – Kompania e Sigurimeve” dhe në vitin 2006, ndryshoi emrin e saj duke e kthyer atë në “EUROSIG”, marka aktuale, e cila është një emër kryesor në industrinë e tanishme.
Eurosig, pati një rritje të shpejtë dhe e zgjeroi aktivitetin e saj në 22 degë dhe në mbi 230 agjenci përfaqësuese në territorin e Shqipërisë.
Në vitin 2016, Eurosig pati një sukses të madh, duke blerë 100% të aksioneve të kompanisë së parë të sigurimeve në Shqipëri, INSIG. Ajo ofron vlerën më të lartë në këtë fushë me një shumë prej 16 milionë euro.
I ftuar nga komuniteti i Startup Grind Tirana, në një intervistë me Aneida Bajraktari, ai ndau me të pranishmit momente domethënëse të karrierës së tij dhe përcolli mesazhe mjaft të rëndësishme dhe plot vlera për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen dikush në jetë.
Çfarë ndodhi në Startup Grind me Kadri Morinaj po i shtjellojmë duke prezantuar disa nga thëniet më të komentuara pas intervistës mes pjesëmarrësve.
Intervista nisi duke treguar për jetën, shkollimin, prindërit e tij dhe të gjitha vështirësitë që kishte hasur në ato kohë.
“Të vije nga Kukësi në Tiranë në ato kohë ishte si të shkosh sot nga Shqipëria në Australi”, tregon ai.
“Isha shumë i apasionuar në leximin e librave, të të gjitha llojeve, madje dhe atyre të ndaluar dhe kam filluar të lexoj që kur kam qenë në klasën e 4-ët.”
“Dëshira ime më e madhë në atë kohë ishte të bëhesha ushtarak por nuk më pranuan pasi nuk i plotësoja kushtet e tyre. Kështu që papritur dhe pa kujtuar përfundova në rrethin e Hasit, për të mbaruar shkollën për veteriner.”
“Atherë nuk kishte mundësi dhe ecnim përpara ndërsa sot keni mundësi por nuk i realizoni.”
“Gjithmonë kam dashur që të eci përpara në jetë, të jem 3 hapa përpara të tjerëve.”
“Njeriu në jetë duhet të jetë atraktiv dhe shumë i sinqertë.”
“Unë do të arrij atë që i kam dhënë qëllim vetes.”
“Në jetë nuk duhet të jetë ëndërr paraja, duhet të jetë ëndërr puna.”
“Biznesi fillohet me punë, puna të sjell para, paraja të sjell punë, kënaqësi, dashamirësi.”
I pyetur nga Aneida për kompaninë EuroSig ai thotë:
“Të gjithë ata që e nisin një biznes nuk e dinë se ku do përfundojnë. Unë e nisa biznesin tim të parë duke blerë dhe shitur patate dhe sapunë dhe përfundova në një industri krejtësisht tjetër.”
Përsa i përket stafit të tij, Kadri Morina shprehet:
“Punonjësit duhen motivuar dhe duhen respektuar. Unë i kërkoj llogari punonjësve të mi deri në atë pikë sa ata justifikohen por në momentin që unë largohem të mendojnë ‘Shefi kishtë të drejtë’, pavarësisht justifikimit që ka dhënë.”
“Të rinjtë sot duhet të kenë iniciativë për të filluar një biznes por jo të marrin para borxh për ta nisur atë.”
“Edhe në momentin që ti mendon se ke rënë në fund të detit, ju garantoj se del diçka, nën iniciativën tuaj dhe ngrihesh avash avash. Por nuk shkon aty ku ke qenë por shkon 10-fish më shumë.”
“Mos e kërko gabimin te shoku, prindërit apo dikush tjetër, kërkoje së pari tek vetja jote.”
Në fund, si çdo radhë u bënë shumë pyetje nga pjesëmarrësit, duke mësuar edhe më shumë prej tij. Me dashamirësi Kadri Morina u takua me të gjithë të pranishmit me të cilët diskutoi për idetë e tyre.
Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 200 qytete dhe 98 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.
Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.
BusinessMag iu fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.
Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.