I riu kolumbian kërkon të ndryshojë Shqipërinë - Business Magazine Albania

I riu kolumbian kërkon të ndryshojë Shqipërinë


Kur përmendin fjalën Kolumbi apo kolumbian, mendja na shkon menjëherë tek droga apo trafikant, por kjo vjen si pasojë e paragjykimeve që na janë ngulitur në mendje nga media.

Në Tiranë ne kemi takuar një të ri kolumbian që nuk ka aspak të bëjë me këtë imazh dhe që ka ëndrra për Shqipërinë.

Shqipëria ka shumë burime natyrore dhe premton për zhvillim në terma afat-mesëm dhe afat-gjatë. Nuk më shqetësojnë statistikat e papunësisë. Të tilla janë në rajon, Europë e botë. Mua më shqetëson mentaliteti. Klima shoqërore”, thotë Alessandro Camacho.

Ai është një djalosh kolumbian rreth të 25-ave, i cili ka ardhur në Shqipëri prej pak kohësh dhe jeton me të dashurën e tij shqiptare Xhenin, e cila ka mbaruar masterin në Informatikë prej një viti dhe është e papunë.

Kishim një projekt-ide dhe e propozuam në një kompani të huaj që operon në Shqipëri. Patëm shansin të takonim drejtorin, i cili ishte shtetas i huaj. Ne ia shpjeguam projektin. Ai e pëlqeu dhe na këshilloi ta detajonim. Kështu bëmë. Nisa të merrem me kërkimin, anketimet nëpër universitete lidhur me çështjen, gjetëm inxhinierët dhe punonjësit e tjerë me të cilët do të realizonim projektin. Ne bëmë gjithçka. Pasi ua dorëzuam projektin, minimalisht prisnim të na telefononin për të na thënë që nuk jemi të interesuar për projektin tuaj. Ata nuk telefonuan kurrë. Mendoj se problemi qëndronte tek stafi shqiptar. Sekretarja me të cilën lidhëm urën e komunikimit nuk na kërkoi më,” thotë Xheni.

Për të, në Shqipëri nuk ka respekt dhe etikë për tjetrin dhe vendin e punës. “Njerëzit duhet të ndryshojnë mentalitetin! Në Turqi ndryshon krejtësisht klima. Ata të respektojnë në maksimum. Ke një milion pyetje për të bërë në një zyrë, ata u përgjigjen të një million pyetjeve të tua me qetësi dhe buzëqeshje,” tregon Xheni.

Çifti i të rinjve ka një kontratë punësimi me një kompani të madhe në Stamboll. Xheni dhe Alessandro janë në dilemë për të zgjedhur mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Ndërsa Xheni ndjehet e demoralizuar nga klima shoqërore, Alex gjen shpresën dhe ka çelësin e ndryshimit të Shqipërisë. “Unë jam për ndryshimin e mentalitetit, sjelljen. Duhen kërkuar mundësi në këtë vend. Të rinjtë duhet t’i krijojnë mundësitë, jo domosdoshmërisht të mjaftohen me kërkimin e një vendi pune. Nuk ka rëndësi se çfarë krijojmë, s’do të thotë të shpikim gjëra të mëdha, ato janë tashmë. Edhe duke krijuar gjëra të vogla ndryshohet jeta e shumë njerëzve. Për shembull, nëse ky lokal këtu do të gjente mënyrën se si do të mund të prodhonte falas energji, nuk do të shpenzonte e do të kujdesej edhe për ambientin,” thotë Alessandro.

Ajo që do të largohet nga Shqipëria për shkak të demoralizimit është Xheni.

“Kam 1 vit që jam diplomuar. Për disa muaj kërkova punë. Në një nga kompanitë që aplikova, më telefonuan pas tre muajsh. Por kjo është absurde. Pas tre muajsh njeriu lëviz, nuk qëndron në të njëjtin vend. Ata morën për intervistë pas 3 muajsh dhe sërish nuk ishte i sigurtë ai vend pune. Pas kësaj mendova se do të ishte më mirë të lëvizja në një vend tjetër për mundësi të tjera. Shkuam në Turqi. Kemi një kontratë pune në Stamboll,” rrëfen Xheni.

Ajo thotë se “sipas llogarive të bëra na leverdis më shumë të jetojmë në Tiranë”. Por mjedisi është shumë mbytës për të, shtoji edhe zhgënjimin prej ëndrrave të universitetit.

Kur je maturant – thotë Xheni – mendon se me të hyrë në universitet i ke zgjidhur të gjitha; është Universiteti që të përgatit për punën e do të bëjë lidhjet për ta gjetur atë. Por Universiteti nuk mban përgjegjësi as të mësojë nga ana praktike. Kur diplomohesh ti ndjehesh konfuze, sepse si fillim nuk di ku të kërkosh punë. E nëse të marrin, nuk di asgjë e të vjen turp tua thuash që shkolla nuk na ka përgatitur për këtë ditë,” vazhdon ajo.

Ndërsa për Alessandron, i cili mendon se e ardhmja e Shqipërisë është ekoturizmi, dëshirat e tij janë të lidhura me natyrën. Ai ka studiuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare në vendin e tij dhe ka marrë gradën Master në Turqi për Tregti Ndërkombëtare.

Dëshira ime është të kem një punë normale, të mbledh lekë, të blej një tokë në fshat, të ndërtoj shtëpinë atje dhe të mbjell tokën vetë. Dua të bëj projekte. Dua të mësoj gjuhën, të ndihmoj njerëzit, të ndryshoj mentalitetin, të flas me ambasadat për të sjellë projektet më të mira këtu,” flet me vendosmëri dhe seriozitet Alessandro.

Në vitin 2009 tregon ai, është përpjekur të bëjë një gjë të tillë në Kolumbi. Atje nuk kishte ambasadë turke. Përmes financimit të një biznesmeni, Alessandro realizoi ngritjen e ambasadës turke në Kolumbi brenda një viti.

Djaloshi kolumbian me 8 gjuhë të huaja, aktualisht i papunë do të ndryshojë mentalitetin e shqiptarëve. “Gjithçka ka të bëjë me trokitjen derë më derë për të takuar e folur me njerëz për t‘i ndihmuar. Në qoftë se dikush prodhon fruta; le të bëjë reçel dhe t‘i eksportojë. Ndoshta tingëllon shumë idealiste, unë jam idealist dhe besoj në idetë e mia. Në vendin tim ka funksionuar. Kur kam qenë në Universitet në Kolumbi ishte një vajzë në një gjendje ekonomike familjare shumë të rënduar. Kishte shtatë motra e vëllezër e jetonin në një vend për refugjatët të siguruar nga bashkia, pasi shtëpia e saj ishte djegur nga një zjarr që kishte rënë. Unë kisha në xhep bursën që më kishin akorduar si student i shkëlqyer. Ia dhashë të gjithën asaj për të vazhduar studimet për biznes dhe lidership. Jam i lumtur dhe krenar. Ajo mbaroi masterin, është profesoreshë aktualisht në universitet dhe po ndjek doktoraturën. Vajza më ka shkruar për të më falenderuar. Unë jam i lumtur që bëra diçka. Paratë nuk janë asgjë përpara lumturisë. Mua më mjafton një pjatë pilaf, disa kokrra fruta, ujë, një vend për të fjetur dhe kaq. Unë jam i lumtur,” thotë Alessandro.

Me gjithë ëndrrat në “xhep” dhe dëshirës për ndryshim, në fund të ditës do t’ju duhet të paguajnë pilafin, portokallet, ujin dhe krevatin ku do të thurin ëndrrat në afatgjatë. Dhe ata janë të ndërgjegjshëm për këtë. Me statusin e punëkërkuesit, Xheni dhe Alessandro janë të gatshëm të punojnë edhe në call center e të jenë vullnetarë në ndihmë të njerëzve, pavarësisht fushës së studimeve të tyre. Ata e pranojnë se në Shqipëri është e vështirë të jesh i lumtur për shkak të mentalitetit, klimës shoqërore. Por sërish ata kanë dëshirë të ndërtojnë jetën këtu.

/Shkruar nga Sabina Veizaj për CitizensChannel

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0