Gratë apo burrat?! Kush e do më tepër librin? - Business Magazine Albania

Gratë apo burrat?! Kush e do më tepër librin?

Një studim i ri i kryer në vend ka sjellë të dhëna për leximin në Shqipëri.

Në shqyrtim janë marrë dy kampione, një kampion prej 289 të intervistuar me telefon dhe një kampion prej 25 mijë lexuesish. Nga ky sondazh thuhet se 82% përqind e shqiptarëve lexojnë. Të pyetur se sa libra janë lexuar në vit, përqindjet janë këto 49% lexojnë më pak se 12 libra në vit, 26% lexojnë deri në 24 libra në vit, 15.9% deri në 36 libra në vit dhe 7.3 % mbi 48 libra në vit.

SONDAZHI
Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim ka realizuar një sondazh për të vlerësuar standardet e leximit në Shqipëri. Në kuadrin e projekti “Libri dhe Leximi, – vlerësime dhe matje”, – i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, u bënë sondazhe në grupime rastësore individës dhe grupime lexuesish gjatë periudhës 1 tetor – 3 nëntor 2023, përmes të cilëve synohej që të vlerësohej shkalla e leximit dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me shprehitë e leximit, mënyra sesi lexohet, buxhetet që shpenzojnë çdo vit lexuesit, leximi në gjuhë të ndryshme, etj. Për realizimin e këtij projekti Qendra “Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim” pati mbështejen e On Solution, një kompani e specializuar në fushën e matjes së kënaqësisë së konsumatorit dhe Bukinist.al, platforma më e madhe online e librit shqip.

Organizata ka synuar që të masë shkallën e leximit në vend, për të cilin ka kontribuar direkt “On Solution” dhe të analizojë në detaje natyrën e lexuesit, shijet e tij, gjuhët e leximit, shkallën e lexuesit, buxhetet që shpenzohen për blerje librash, zhanret e pëlqyera, marrëdhëniet me botuesin, libraritë dhe bibliotekat, sfidat e leximit, etj., ku ka kontribuar direkt Bukinist.al me të dhënat e platformës së saj, në të cilën janë të regjistruar mbi 75 mijë persona brenda dhe jashtë vendit. Në këtë sondazh dalin të dhëna edhe për leximin mes gjinive. Këto matje synojnë të përcjellin prirje dhe dukturi të leximit në Shqipëri, – dhe për këtë arsye janë të mirëpritura vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet nga ana e ekspertëve të fushës. Këtij studimi i mungon një matje në grupmoshat deri në 16 vjeç, por që Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim po punon me partnerët dhe do të bëjë së shpejti një vlerësim edhe për këtë grup-moshë lexuesish.

 

 

Sipas intervistave që janë bërë, 82% përqind e shqiptarëve lexojnë. Në një kampionim me 289 intervistues të rastësishëm, ku 43% janë të vendosur në Tiranë dhe 57% në qarqet e tjera si Durrësi, Korça, Shkodra dhe Elbasani, janë përzgjedhur intervistues të moshës 16 vjeç e lart, të cilët janë pyetur: “A lexoni libra?” 18% e të anketuarve (52 persona) janë shprehur se nuk lexojnë libra. Në grupin e të intervistuarve që nuk lexojnë, 57% përqind shprehen se nuk kanë kohë, 33% parapëlqejnë mediume të tjera si TV, gazeta, Internet, 6% nuk kanë interes dhe vetëm 2% e justifikojnë mosleximin me pamundësitë financiar. Shumica e individëve në Shqipëri e nisin procesin e leximit gjatë shkollës fillore (44%) dhe 37% gjatë periudhës së kopshtit, konkretisht në moshën 3-5 vjeç. 12% e personave e nisin leximin në moshën 11-15 vjeç dhe 7% e të anketuarve janë përgjigjur se e nisin mbi moshën 20 vjeç.

Duke ju referuar sondazhit, 43% e të intervistuarve shpenzojnë 5 000 – 10 000 lekë në vit për të blerë libra, shifër që përkon identik me numrin e librave që lexojnë çdo vit, përafërsisht 10-12 libra. 30% e të intervistuarve janë përgjigjur se harxhojnë 2000 – 5000 lekë në vit dhe vetëm 11% e tyre (25 persona) thonë se shpenzojnë më shumë se 10 000 lekë. Paradoksalisht, mbi 60% e personave që kanë marrë pjesë në sondazhet tona e shohin çmimin e librit si të përballueshëm (shiko grafikun). Gati gjysma e lexuesve që morën pjesë në sondazhin e organizuar nga IKEZH në bashkësinë e personave të regjistruar tek Bukinist.al thonë se lexojnë deri në 12 libra në vit, 26.3% e tyre lexojnë deri në 24 libra në vit dhe vetëm 7% lexojnë mbi 48 libra në vit, duke arritur kështu standardet e një lexuesi shumë të mirë. Sot çdo kinez lexon në një mesatare 4-5 libra në vit, çdo amerikan 5-6 libra në vit dhe në vende si Japonia, Finlanda, Suedia, etj., këto tregues janë më të lartë. Duke ju referuar standardeve të UNESCO-s, në Shqipëri ka një shkallë lexueshmërie të ulët. Sipas të dhënave të INSTAT, çdo vit blihen 1 1160 000 libra, – një shifër kjo larg reales, nëse marrim në konsideratë shkallën e informalitetit që ka tregu i librit. Por, duhet thënë se në Shqipëri ka shumë punë për të bërë për promovimin e librit dhe leximit, duke e nisur këtë që nga fazat e hershme (madje UNICEF rekomandon për leximin e foshnjës që në fetus), ku vogëlushët të bien në kontakt me librin që në çerdhe apo në kopësht dhe të nxitet kultura e leximit edhe në familje.

Statistika më provokuese ka të bëjë me leximin në raportet gjinore. Mbi 58% e lexuesve në Shqipëri i përkasin gjinisë femërore dhe rreth 42% janë meshkuj. Kjo e dhënë ka dalë nga analiza e detajuar e bashkësisë së lexuesve tek Bukinist.al përmes një vëzhgimi të detajuar (shiko grafikun). Libraritë fizike mbeten vendet ku shqiptarët pëlqejnë t’i blejnë librat (51%), 23.7% në libraritë online dhe rreth 22% ende pëlqejnë që të presin panairet e mëdha për të marrë libra. (shiko grafikun). Bibliotekat e kanë humbur peshën e tyre gjatë viteve të fundit. Vetëm 29% e lexuesve pëlqejnë që të marrin libra në biblioteka. Mësuesit/pedagogët, miqtë dhe libraritë online mbeten rekomanduesit më të mirë për dikë që është në kërkim të leximit.

Në ndryshim nga situata kudo në botë, ku rreth 35% përdorin format e-pub, shqiptarët ende pëlqejnë librin në formatin fizik. 82% e tyre duan ta prekin librin. Rreth 18% e personave që kanë marrë pjesë në sondazh lexojnë në formatin digjital, elektronik apo audiobook. (Shiko grafikun). Ky indeks sjell një prirje të pazakontë që po ndodh me gjuhën e leximit të librave, duke pasqyruar një fenomen kërcënues jo vetëm për tregun e librit shqip, por edhe për gjuhën dhe kulturën shqiptare në një të ardhme të afërt. Vetëm 44.5% e lexuesve duan libri shqip, ndërsa 32.6% edhe në anglisht, dhe 22.9% edhe në gjuhë të tjera. Shqiptarët dikur kanë qenë lexues të dhënë pas fictionit, por tashmë po e braktisin atë, duke u dhënë më shumë pas non-fiction. Rreth 2/3 e tyre duan të lexojnë të dy llojet e librit. (shiko grafikun). Mes zhanreve të romanit, pjesëmarrësit në sondazhin tonë thonë se pëlqejnë romanin psikologjik 24.5%, sagën 23.1%, romancën 20% dhe ka një rritje të ndjeshme të zhanrit të misterit dhe thrillerit (mbi 19%). Për më shumë shiko grafikët.

Duke ju referuar të dhënave, lexuesit shqiptarë nuk kanë dëshirë që të marrin pjesë në klubet e librit, dhe për të ndarë përvoja leximi me të tjerët. Vetëm 16.9% thonë se marrin pjesë në një klub libri. Një e dhënë interesante që ka dalë nga ky sondazh është se fushatat për promovimin e librit dhe leximit kanë ndikimin e tyre. Rreth 30% e tyre e pohojnë rëndësinë e tyre. (Shiko grafikun). Shqiptarët duan të lexojnë më tepër; dhe kjo konfirmohet edhe tek pyetja e fundit e sondazhit tonë: “Sa libra doni të lexoni gjatë vitit 2024?” Konkretisht, 37% e pjesëmarrësve në sondazhin tonë shprehen se duan të lexojnë deri në 12 libra, 25.9% deri në 24, 19.7% deri në 36 libra në vit dhe 17.4% mbi 48 libra. (Shiko grafikun). Të dhënat mbi shprehitë e leximit, gjuhët e leximit, shijet sipas kategorive dhe zhanreve apo mjetet që përdorin për leximin e librit janë nxjerrë nga një bashkësi prej rreth 25 000 personash, të cilët i dhanë përgjigjet e tyre përmes e-mail-it. Siç edhe shihet nga të dhënat e grafikëve, mbi 500 lexues kanë marrë pjesë duke ju përgjigjur pyeteve tona. Kjo bazë e të dhënave është më kontribuese për të vlerësuar më objektivisht këto parametra.

REKOMANDIME
Duke iu referuar të dhënave që dalin nga intervistat dhe sondazhi me lexuesit që ka zhvilluar Qendra “Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim” së bashku me dy partnerët e tij, On Solution dhe Bukinist.al konstatohet se në Shqipëri ka një nivel personash që lexojnë, por që shqiptarët mbeten lexues relativisht të dobët përsa i përket numrit të librave që lexojnë çdo vit. Prandaj është e rekomandueshme që:
1.Promovimi i librit dhe leximit të nisë që në fazën e hershme tek fëmijët, – duke nisur që nga çerdhet apo kopshtet. Të dhënat që dolën faktuan se shumica dërrmuese e nisin kontaktin me librin dhe leximin në moshën 7-10 vjeç, 11-15 vjeç dhe në moshë më të madhe.
2. Të zhvillohen fushata në nivel kombëtar dhe lokal, nga institucionet qendrore dhe vendore për promovimin e librit dhe leximit, sepse japin ndikimin e tyre, ashtu siç dëshmohet edhe tek pyetja “A kanë ndikim fushatat për leximin?”.

3. Në Shqipëri ka një përmirësim të nivelit të lexueshmërisë, gjë që nisi në periudhën e pandemisë, por tashmë fokusi duhet vendosur në politikat për krijimin e lexuesit cilësor, për lexuesit që lexojnë më shumë libra, – ashtu siç e dëshmojnë më së miri edhe të dhënat e sondazhit.

4. Të vitalizohet roli i bibliotekave për promovimin e leximit, sidomos të librit cilësor, ku një rol të rëndësishëm luajnë jo vetëm Biblioteka Kombëtare apo bibliotekat e qyteteve, por edhe bibliotekat e shkollave, të cilat mund të kthehen edhe në biblioteka komunitare.

5. Të mbështeten nisma për promovimin e librit shqip në të gjitha format, si tek libri elektronik, libri digjital apo libri në formën elektronike.

6. Klubet e leximit dhe nxitja e lexuesve të specializuar për të rekomanduar do të ndikojnë pozitivisht në sferën e librit. Madje, do të ishte tejet efektive edhe promovimi i leximit për kategori të caktuara si mësuesit apo edukatorët sepse përmes librit ata do të rrisnin aftësitë e tyre përshtatëse dhe do të ndikonin pozitivisht si rekomandues për lexim tek nxënësit në shkolla.

Indeksi i lexueshmërisë u përgatit nga Qendra “Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim”. Kjo organizatë është krijuar në vitin 2022 dhe ka drejtues ekzekutiv Dr. Albert Gjoka, i cili ka një përvojë të gjatë në menaxhimin dhe marketingun e librit si themelues dhe drejtues i Bukinist.al, platforma më e madhe online e librit shqip. IKEZH ka bashkëpunuar me dy partnerët e tij: “One Solution”, një nga kompanitë e Balfin Group, e krijuar në vitin 2020 dhe që ofron programe besnikërie, kërkime tregu dhe shërbime të kujdesit për klientet.

Bukinist.al është krijuar në vitin 2016 dhe ka në platformën e saj rreth 75 mijë lexues. I gjithë portofoli i lexuesve të tij ka shërbyer për të marrë të dhëna në lidhje me raportet gjinore, shprehitë e leximit, mënyrën e të lexuarit, etj.

Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim e realizoi këtë iniciativë me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me synimin për të vlerësuar shkallën e lexueshmërisë në vend dhe për të propozuar disa ide apo rekomandime përmes të cilave mund të përmirësohen politikat për promovimin e librit dhe leximit në Shqipëri.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0