Genti Zotaj: Implementimi ka më shumë vlerë së idetë - Business Magazine Albania

Genti Zotaj: Implementimi ka më shumë vlerë së idetë

Fituesi i Elevator Lab 2019 me produktin AILend, ka folur për BusinessMag duke rrëfyer përvojën e tij si sipërmarrës në fushën e FinTech dhe rrugëtimin e kompanisë që ai drejton suksesshëm në disa shtete të Europës.

Kush është Genti Zotaj?

Sipërmarrës, me një eksperiencë të gjatë në fushën e financës, teknologjisë dhe analitikës. Themelues i Green Leaf, AiLend dhe GReg, kompani me një shtrirje ndërkombëtare në industrinë Reg-tech dhe Fin-tech. Përtej sipërmarrjes, ka qenë i angazhuar si konsulent në projekte rreth teknologjisë dhe të dhënave për disa nga grupet më të mëdha bankare në Evropë si Unicredit, Sber Bank, Erte Group etj. 

Misioni i Ailend është garantimi lehtësisht i aksesit në kreditim të drejtë për këdo, kurdo që i nevojitet. AILend ndihmon në thjeshtëzimin e komunikimit mes Bankave dhe Klientëve dhe heq nevojën për ndërveprim fizik në degët e bankave duke marrë parasysh kohën në të cilën jetojmë me COVID 19. Kjo, duke përdorur teknologji të avancuar dhe inteligjencë artificiale që ndihmojnë për një kredi dhënie të shpejtë, të përballueshme dhe të lehtë. 

– Vitin e kaluar, me Ailend ishit fitues i Elevator Lab Challenge 2019. Mund të na tregoni fillimisht cilat ishin motivet tuaja të pjesëmarrjes në këtë kompeticion?

Duke njohur seriozitetin e bankës Raiffeisen dhe fakti që dy produktet tona, AiLend një ndër to, lidhen me shërbime financiare, Fintech, Elevator Lab mu duk si një mundësi e mirë për të ndarë vizionin tonë në tregun vendas. Fatmirësisht, u zgjodhëm fitues ndër më tepër se 20 startup-ve në Kosove dhe Shqipëri.

– Çfarë përfaqëson Ailend dhe kujt i shërben?

Parimi ynë është përdorimi i teknologjisë në funksion të nevojave të njerëzve. Në rastin e AILend është lehtësimi dhe edukimi mbi kreditë për këdo, kurdo që i nevojitet.

AiLend I adresohet nevojës së klientit duke folur gjuhën e tij dhe lehtëson komunikimin me bankat. Për shembull, një person ka nevojë për shtëpi dhe kredia është mjeti për të plotësuar këtë nevojë. Në këtë rast, ne e trajtojmë klientin dhe nevojën e tij si primare duke larguar zhargonin bankar nga komunikimi. Në krahun tjetër largojmë ose minimizojmë nevojën për ndërveprim fizik mes klientit dhe bankës duke bërë të mundur që komunikimi dhe shkëmbimi i dokumenteve të ndodhë online.

Ka një perceptim rreth bankave tradicionale si të shtrenjta, ndërkohë që shërbimi i tyre është ndër më të lirët në treg. Fakti që perceptohen si të shtrenjta vjen edhe nga vështirësia për ti aksesuar, duke qenë se ka rregulla të diktuara në mënyrë strikte nga Banka e Shqipërisë. 

Kjo situatë, krijon një hapësire që shfrytëzohet nga ato që njihen si “Shark Loans”, ose “Peshkaqenët e Kredisë” që kanë interesa marramendëse. Në rastin më të mirë mund të quhen abuzuese dhe në më të keqin në kufijtë e paligjshmërisë.

AiLend, ka teknologjinë dhe filozofinë e duhur për të ndihmuar bankat tradicionale të kenë shpejtësi dhe siguri në vendimmarrje duke plotësuar kërkesat e Bankës së Shqipërisë në njërin krah por dhe duke shërbyer shpejt nevojën për kapital të klientëve.

– Si ka qenë deri më sot rrugëtimi i këtij produkti dhe në cilën fazë jeni tani?

Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë për të mos thënë se ka qenë e vështirë. Shprehja 

“Në qoftë se mund t’ia dalësh në New York, mund t’ia dalësh kudo” është qesharake për mendimin tim. Ndërkohë më e drejtë do ishte të thoshim “N.q.s. mund t’ia dalësh në Tiranë dhe vende të ngjashme, mund t’ia dalësh kudo.” 

E quaj veten me fat që një bankë e madhe Ndërkombëtare si Raiffeisen ka vlerësuar punën dhe vizionin tonë. Jemi ne fazën e testimit te brendshëm të platformës që do pasohet dhe me lëshimin në treg të saj në një datë të afërt. Duke qenë se në treg në fillim do jemi me bankën Raiffeisen do ia lëmë partnerit tonë te deklarojnë datën.

Ndërkohë paralelisht kemi ecur dhe në tregun ndërkombëtar ku jemi prezentë si kompani por edhe nëpërmjet partnerëve ndërkombëtarë. Mund te vazhdoj pafund me këtë histori që më duket si pjesë e një ‘puzzle’ të madh që plotësohet çdo ditë me një copëz të re.

– Jeni kompani qe keni marrë investime deri më tani? Apo jeni duke u vetëfinancuar?

Ne jemi një kompani që kemi refuzuar financime. Me fjalë të tjera jemi vetëfinancuar. Ka disa arsye për këtë. 

Zgjedhja jonë ka qenë ajo e një natyre hibride, ku kemi ndërtuar partneritete të cilat mbulojnë aktivitete të shtrenjta për ne, në tregje si Luxembourg, Zvicër apo Singapor. Por në krahun tjetër ndërton një marrëdhënie të shëndetshme ku si ne, si këta partnerë kanë “skin in the game” dhe angazhohen për suksesin e bashkëpunimit. 

Shpesh nëpër startupe përmenden shifra si 1 milion, 2 milion apo edhe 10 milion euro financim; një realitet qe tingëllon shumë bukur në televizion por është krejt ndryshe kur e shikon nga afër. Këto marrëdhënie, shpesh janë të komplikuara ku zgjedhja e një investitori të gabuar përfundon me ndërtimin e një marrëdhënie toksike, “skllavërie” dhe ndryshim vizioni për kompanitë. Në krahun tjetër investimi në kompaninë e gabuar çon në blerjen e Macbook Pro të fundit, zyra në qendër e shpenzime të pajustifikuara. Rrallë, këto marrëdhënie janë të suksesshme. Shpresojmë për ne të jetë e tillë kur të ndodhë.

Që kur e kemi filluar këtë punë, interesi ynë nuk ka qenë një “exit” por çdo gjë e bëjmë sepse e duam. Kjo sjellje ka dhënë rezultat duke qenë se sot, ashtu si në rastin e partneritetit me Raiffeisen, të tjerë partnerë ndërkombëtarë na janë afruar dhe kemi ndërtuar marrëdhënie biznesi të cilat rriten dita ditës.

– Si ka ndikuar tek zhvillimi i produktit Ailend dhe tek shtrirja e tij në disa territore jashtë vendit pjesëmarrja dhe të qenit fitues i Elevator Lab?

AiLend është një platforme për të cilën i gjithë ekipi është shumë krenar. Ne e kemi nisur dhe ndërtuar çdo copë kodi në Shqipëri me besimin e madh që mund të krahasohemi me kompanitë më të avancuara në Botë. Por ky besim nuk ka qenë gjithmonë lart. Ka pasur momente kur e kemi treguar punën tonë me kompleksin e inferioritetit që diktohet edhe nga fakti që ka shumë paragjykim në tregjet ndërkombëtare rreth të qenurit një startup teknologjik shqiptar. Me kohën, e kemi gjetur veten dhe tashmë, bashkë me Raiffeisen Elevator Lab, ka dhe kompani të tjera që i janë bashkuar rrugës sonë, si startupe ashtu edhe ndër ato që quhen ‘BIG4’, që suportojnë rritjen tonë në tregje ndërkombëtare. 

Çdo copë e historisë, na bën shume krenar dhe na motivon për tu radhitur mes historive të suksesit shqiptar në botë. 

– A do ja rekomandonit startupeve të ndryshme shqiptare pjesëmarrjen në kompeticione të tilla? Cilat janë vlerat që mund të përfitojë një startup në periudha të ndryshme të zhvillimit të tij nga këto pjesëmarrje? Është thjesht çështje parash apo çfarë?

Elevator Lab dhe marrëdhënia me Raiffeisen Bank është ndër marrëdhëniet më profesionale që një startup mund të gjejë jo vetëm në Shqipëri por kudo. Do ia rekomandoja çdo startup-i, në çdo fazë të tij. Ka vetëm përfitime dhe asnjë humbje. 

Duhet te provosh shumë deri sa t’ja dalësh me sukses një herë. Do duhej një tjetër intervistë për të numëruar humbjet tona.

Lidhur me çështjen e parave mendoj qe është problemi më i vogël. Sot, ne mund të përballojmë te jemi edhe investitorë, por nuk do te investonim tek një kompani që problemin e shikon tek kapitali. Duhet të provosh që vlen dhe paratë do të vijnë. Një ide që vlen mund ta provosh duke punuar edhe pas pune, pas shkolle, dhe në qoftë se e do me të vërtetë atë që bën nuk e ndjen aspak lodhjen. Ky është kriteri numër 1, më pas kapitali vjen. 

– Një këshillë të fundit për të gjithë ata të rinj që mund të kenë një ide apo një ëndërr. Çfarë duhet të bëjnë me të? Ku duhet të frymëzohen? 

Puna e një sipërmarrësi është ndër më të vështirat dhe mbart me veten rrezikun për të dështuar në çdo moment. Por është edhe ndër më të bukurat, sepse krijon diçka që mund të ketë efekt në jetët e miliona njerëzve. 

Ajo që kam mësuar nga eksperienca është që implementimi ka më shumë vlerë së idetë. Implementimi është vështirësia. Shumë prej startupeve heqin dore kur gjërat bëhen serioze. 

Ka dite që ndihesh super e të tjera kur mendon që çdo gjë ishte e kotë. Nuk ka histori suksesi që vjen lehtë ndaj edhe shpesh herë ndodh që suksesi vjen kur ti nuk je i fokusuar tek ai, por tek produkti dhe vlera që po sjell në treg. 

 

Intervistoi: Gerti Boshnjaku

 

Rreth Elevator Lab:

Programi “Elevator Lab” është një program inovativ i cili për herë të parë u prezantua në qershor të vitit 2017 nga Raiffeisen Bank International (RBI) në Vjenë, pjesë e të cilit ishin edhe të gjitha bankat e rrjetit RBI, duke përfshirë këtu edhe Raiffeisen Bank në Kosovë dhe Shqipëri. 

“Elevator Lab” është bërë tashmë akseleratori fintech më i madh korporatë në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Prandaj, zbatimi i këtij programi edhe në Kosovë e Shqipëri paraqet një mundësi të veçantë për komunitetin fintech dhe startup që veprojnë në këto dy vende të konkurojnë dhe të përfitojnë një përvojë të re duke bashkëpunuar me profesionistë të fushave të ndryshme bankare. 

Deri më tani, kompanitë fituese të cilat kanë bashkëpunuar dhe kanë zhvilluar idetë e tyre si pjesë e programit “Elevator Lab” në Kosovë dhe Shqipëri janë: Symmetric, AR Vision, dhe AILend. 

Për më shumë informacion rreth këtij programi mund të vizitoni faqen e internetit: https://elevator-lab.com/bootcamps/regional-2/

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0