Facebook dhe Instagram kufizojnë lajmet në Kanada -

Facebook dhe Instagram kufizojnë lajmet në Kanada

Kompania Meta, që ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, ka thënë se do të fillojë t’i kufizojë lajmet në platformat e saj për konsumatorët kanadezë pasi parlamenti i Kanadasë miratoi një projektligj kontrovers për lajmet në internet.

Projektligji detyron platformat e mëdha teknologjike të kompensojnë botuesit e lajmeve për përmbajtjen e postuar në faqet e tyre.

Meta dhe Google tashmë kanë testuar kufizimin e qasjes në lajme për disa kanadezë.

Në vitin 2021, përdoruesve australianë u ishte bllokuar shpërndarja dhe leximi i lajmeve në Facebook, shkaku i një ligji të ngjashëm.

Ligji për lajmet në internet i Kanadasë, i cili u miratua nga senatorët më 22 qershor, parashtron rregulla që u kërkojnë platformave si Meta dhe Google të negociojnë marrëveshje tregtare dhe të paguajnë mediumet për përmbajtjen e tyre.

Meta e ka quajtur ligjin “legjislacion me të meta thelbësore, që injoron realitetin se si funksionojnë platformat tona”.

Më 22 qershor, Meta tha se qasja në lajme do të bllokohet në Facebook dhe Instagram për të gjithë përdoruesit në Kanada para se ligji të hyjë në fuqi.

“Një kuadër legjislativ që na detyron të paguajmë për linqet dhe përmbajtjet që ne nuk i postojmë dhe që nuk janë arsyeja pse shumica dërrmuese e njerëzve i përdorin platformat tona, nuk është as i qëndrueshëm dhe as i zbatueshëm”, tha një zëdhënës i Meta për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Kompania tha se ndryshimet nuk do të kenë ndikim në shërbimet e tjera të këtyre platformave për përdoruesit kanadezë.

Lexo edhe: 13- Vjeçari nga Elbasani krijon një podcast

Google e quajti projektligjin “të papërshtatshëm” në formën e tij aktuale dhe tha se po tentonte të punonte me qeverinë për ta gjetur një “rrugë përpara”.

Qeveria kanadeze thotë se ligji i lajmeve në internet është i nevojshëm “për ta rritur drejtësinë në tregun kanadez të lajmeve digjitale” dhe për t’i lejuar mediumet në vështirësi të “sigurojnë kompensim të drejtë” për lajmet dhe linqet e shpërndara në platforma.

Një analizë e projektligjit, nga një mbikëqyrës i pavarur i buxhetit të parlamentit, vlerësoi se mediat mund të marrin rreth 230 milionë euro në vit nga platformat digjitale.

Në fillim të këtij muaji, ministri kanadez i Trashëgimisë, Pablo Rodriguez, i tha Reuters se testet e kryera nga platformat e teknologjisë ishin “të papranueshme” dhe një “kërcënim”.

Në Australi, Facebook rivendosi përmbajtjen e lajmeve për përdoruesit australianë pasi bisedimet me qeverinë çuan në disa ndryshime në ligj.

Të enjten, zyra e Rodriguez tha se ai ishte takuar me liderë të Google dhe Facebook këtë javë dhe kishte planifikuar diskutime të mëtejshme, por shtoi se qeveria do të ecë përpara me zbatimin e projektligjit.

“Nëse qeveria nuk mund të ngrihet për kanadezët kundër gjigantëve të teknologjisë, kush do ta bëjë?”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Grupet e industrisë së medias e përkrahën miratimin e projektligjit si një hap drejt drejtësisë në treg.

“Gazetaria e vërtetë, e krijuar nga gazetarë të vërtetë, vazhdon të kërkohet nga kanadezët dhe është jetike për demokracinë tonë, por kushton”, tha Paul Deegan, president dhe shef ekzekutiv i News Media Canada.

Ligji për lajmet në internet pritet të hyjë në fuqi në Kanada pas gjashtë muajsh./REL

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0