Gratë marrin profesionet e burrave! - Business Magazine Albania

Gratë marrin profesionet e burrave!

Oksana thotë se po jeton me frymën pezull. COVID-19 i mori nënën dhe burrin e saj dy vjet më parë. Këtë pranverë, artileria ruse i mori babanë dhe djalin e saj të madh. “Jam zhytur në punë,” thotë ajo, 480 metra në periferi të Ternivkës, një qytet në Ukrainën lindore. Pjesa e bardhë e syve të saj shkëlqejnë në errësirën përreth. Pas kthimit në Bakmut, vendi i një prej betejave më të këqija të luftës, Oksana, 49 vjeçe, u bë mësuese kërcimi në një konvikt për fëmijët e varfër. Sot që shtëpia e mëparshme dhe vendlindja e saj janë shkatërruar, shkolla i është mbyllur dhe të afërmit e saj më të ngushtë kanë vdekur, ajo gërmon për qymyr.

Pasi rusët pushtuan vendin në shkurt 2022, Oksana (menaxherët e minierës kërkuan që mbiemrat e punëtorëve të mos publikohen) u arratis në Poloni, ku punoi si pjatalarëse dhe kuzhiniere në një restorant. Por ajo humbi Ukrainën. Miqtë i thanë se minierat e Ternivkës po kërkonin punëtorë të rinj, ndaj u regjistrua. Puna e saj e re paguhet më mirë sesa shumica, thotë Oksana, dhe ofron një pension të mirë. Puna gjithashtu e ndihmon atë të bllokojë kujtimet e vjetra, thotë ajo, duke u lehtësuar nga thyerja e qymyrit. “Dua të harroj gjithçka.”

Lufta ka kthyer përmbys jetën e ukrainasve të panumërt, si dhe tregun e punës në vend. Rreth 4,8 milionë njerëz kanë humbur punën pothuajse brenda natës kur Rusia sulmoi. Papunësia vlerësohet të jetë ulur në 18.4% në tetor të këtij viti nga më shumë se 30% në pranverën e 2022, por mbetet mbi nivelet e paraluftës. Sipas një studimi, 17% e punëtorëve të Ukrainës kanë ndryshuar profesionet që nga fillimi i luftës. Qindra mijëra janë rekrutuar. Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se të paktën 70 mijë ushtarë ukrainas kanë vdekur në luftë dhe se deri 120 mijë të tjerë janë plagosur. Ndërsa vazhdon apeli për më shumë ukrainas, po rritet kërkesa për punëtorë në sektorë ku mbizotërojnë tradicionalisht burrat.

Dhe ja, gratë e Ukrainës. Lufta dhe pushtimi kanë bërë të pamundur mbledhjen e të dhënave të sakta, por ka shenja që gratë po fuqizojnë gjithnjë e më shumë ekonominë e goditur të Ukrainës. Nga 36 mijë ndërmarrje të vogla dhe të mesme të regjistruara në Ukrainë deri më tani, 51% drejtohen nga gra, thotë Julia Sviridenko (o. Yulia Svyrydenko), ministrja e Ekonomisë së vendit. Më shumë gra kanë filluar të punojnë në industri, ndërtimtari dhe miniera. “Këtë do ta shohim në një shkallë më të madhe pasi të fillojmë rindërtimin,” thotë ajo.

Në vitet e ardhshme, Ukraina do të ketë nevojë për një ushtri mjekësh dhe psikologësh që të kujdesen për veteranët e luftës, përfshirë mijëra ushtarë të gjymtuar dhe të traumatizuar. Shumë, madje shumica e përkujdestarëve do të jenë gra. Sektorët e energjisë, transportit dhe mbrojtjes, të cilët pritet të luajnë një rol të madh në ekonomi pas luftës, gjithashtu do të detyrohen të tërheqin më shumë punëtore femra.

Në kompleksin e minierave pranë Ternivkës, ushtria ka rekrutuar 600 burra, rreth një e dhjeta e forcës së vet totale të punës, thotë drejtori, Dmitro Zabielin (o. Dmytro). Për të kompensuar mungesën janë bashkuar rreth 300 gra. Miniera kishte punësuar gra para luftës, por asnjëra nuk punonte nën tokë. Më shumë se 100 nga punëtorët e rinj tani po e bëjnë këtë. Oksana operon dhe një tapet që transporton qymyr në sipërfaqe. Gratë e tjera po punojnë si inspektore sigurie dhe elektriciste. Akoma më shumë po vijnë. Olena, me burrin ish-minator, që tani komandon një togë afër Luhanskut, po stërvitet të operojë trenat që lidhin seksione të minierës. Ana (o. Anna), e cila kohët e fundit mbushi 18 vjeç, do të kujdeset për kafazet që mbajnë minatorët midis niveleve. Ternivka është shumë larg frontit të parë, por zona është goditur nga raketat ruse. “Është shumë e frikshme,” thotë Ana. “Por për sa kohë që jam nëntokë nuk mund ta dëgjoj.

Lexo edhe:Disa shprehje që duhet t’ia thoni me patjetër vetes çdo mëngjes!

Minierat e qymyrit janë punë e rrezikshme dhe e mundimshme. Lufta e ka shtuar edhe më shumë. Gjatë ndërprerjeve të energjisë si pasojë e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase dhe dimrit të kaluar, minatorëve të Ternivkës u duhej të ecnin deri në 7 km dhe më pas të ngjiteshin 680 metra duke përdorur shkallët e shpëtimit për të dalë në sipërfaqe. Falë gjeneratorëve të rinj, minierat tani mund të mbajnë mjaft gjatë në funksion trenat dhe ashensorët për të siguruar një dalje më pak të tmerrshme.

Ukraina ka njëfarë tradite kur bëhet fjalë për barazinë gjinore. Shkalla e pjesëmarrjes së grave në forcën e punës ka ardhur duke rënë. Ra nga 54% në 1990 në 48% në prag të pushtimit. Gratë janë shumë të përfaqësuara në arsim, punë shtëpiake dhe turizëm, profesione në të cilat pagat kanë tendencë të jenë të ulëta. Hendeku gjinor i pagave është ngushtuar nga 26% shtatë vjet më parë në 18.6% sot, por mbetet mbi mesataren e BE-së (12.7% në 2021). Deri në vitin 2017, kur u shfuqizua përfundimisht, ligji që daton nga epoka sovjetike u kishte ndaluar gratë 450 profesione, duke filluar nga shoferi i kamionëve deri tek saldatori. Një vit më pas, Ukraina u dha grave në forcat e armatosura të njëjtat të drejta si ato të ushtarëve meshkuj. Rreth 43 mijë gra aktualisht janë duke shërbyer në forcat e armatosura, përfshirë 5 mijë në pozicione luftarake.

Stereotipat vazhdojnë. “Gratë duhet të ndjekin ambiciet e tyre në fusha të tjera,” mendon Zabielini, drejtori i minierës, nga zyra e tij. “Një grua është rojë e shtëpisë dhe e familjes.” Por ai pranon që miniera me siguri nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të punësojë më shumë prej tyre. Shumë burra nuk do të kthehen më nga fronti dhe Ukraina do të duhet ta mbajë ushtrinë të madhe edhe pasi të mbarojë lufta. “Fqinji ynë,” thotë ai, duke iu referuar Rusisë, “nuk do të shkojë askund.

Oksanës i mungon jeta e saj e mëparshme dhe puna e saj e vjetër, por ajo nuk ka ndërmend të largohet nga e reja. Ajo është mësuar me zhurmën, errësirën dhe pluhurin dhe për zbritjen e gjatë nëntokësore, thotë ajo. “Nuk është më aq e frikshme sa lufta.

/The Economist

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0