Turizmi dhe energjia i japin hov tregut të qirasë financiare - Business Magazine Albania

Turizmi dhe energjia i japin hov tregut të qirasë financiare

Rritja e sektorit të turizmit në dy vitet e fundit po i jep shtysë edhe tregut të qirasë financiare. Portofoli i qirasë financiare u rrit me ritme dyshifrore për të dytin vit radhazi në 2022, ndërsa sipas aktorëve të tregut, zgjerimi ka qenë edhe më i lartë në pjesën e deritanishme të këtij viti

Tregu i qirasë financiare (leasing-ut) u rrit me ritme më të shpejta vitin e kaluar.

Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë dhe të bankave tregtare të angazhuara në këtë produkt, portofoli i qirasë financiare në fund të vitit 2022 arriti vlerën e 11.7 miliardë lekëve, ose rreth 103 milionë eurove.

Vlera e portofolit u rrit me 10.6% krahasuar me vitin 2021. Ritmi i rritjes vjetore vitin e kaluar ishte i përafërt me rritjen e vitit 2021.

Turizmi dhe aktivitetet e lidhura me të po shënojnë rritje të shpejtë e cila po i jep efektet e veta anësore edhe në sektorët financiarë të lidhur me të.

Një nga bizneset kryesore që kanë mbështetur rritjen e leasing-ut në vitet e fundit është ai i makinave me qira, i lidhur drejtpërdrejt me shtimin e numrit të turistëve të huaj.

Ndikimi i turizmit në mënyrë të tërthortë është shtrirë edhe në sektorë të tjerë. Turizmi ka rritur kërkesën për taksi dhe flotat e reja janë të orientuara drejt automjeteve elektrike.

Blerja e tyre përbënin gjithashtu një kontingjent të rëndësishëm të kërkesës për financime me leasing.

Efekti i tërthortë i turizmit shtrihet edhe në sektorët e distribucionit dhe tregtisë, që kanë zgjeruar flotat e tyre të automjeteve.

Një segment tjetër në rritje është edhe ai i shërbimeve mjekësore, ku blerja ose rinovimi i pajisjeve po financohet në një masë të madhe me qira financiare.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tregun e qirasë financiare ushtrojnë aktivitet 11 institucione të licencuara për ofrimin e qirasë financiare.

Veç institucioneve financiare të veçanta, ky produkt ofrohet edhe nga disa banka tregtare në vend. Mbështetur në pasqyrat financiare, janë kryesisht Credins Bank dhe OTP Bank Albania që kanë vlera të rëndësishme të qirasë financiare në bilancet e tyre.

Disa prej tyre, fillimisht patën ngritur institucione të veçanta për qiranë financiare, por në vazhdim zgjodhën t’i mbyllnin këto institucione dhe ta përfshinin aktivitetin e leasing-ut brenda strukturave të bankës, me qëllim kryesisht uljen e kostove të aktivitetit.monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0