Kompanitë ajrore nuk duhet të vendosin një tarifë shtesë për bagazhet e dorës. Bëhet fjalë për një parim të sanksionuar që në 2014-n nga një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe i ritheksuar me forcë ditët e fundit nga Parlamenti Evropian.
Në një rezolutë të miratuar nga institucioni me seli në Strasburg, ligjvënësit evropianë kërkojnë me zë të lartë norma uniforme sa i takon përmasave dhe çmimeve të bagazheve.
Çështja rrjedh nga strategjia e aplikuar nga kompani të shumta “low-cost” për t’i vendosur kosto shtesë çmimit të biletave ajrore, vlera e të cilës publikohet vetëm në fund të procedurës së blerjes.
Rezoluta, e udhëhequr nga euro-deputeti Hordi Kanjas i partisë Evropa e Re, iu referohet në veçanti normave të kontestuara mbi bagazhet e dorës, që e bëjnë edhe më të komplikuar për konsumatorët përballjen me çmimet.
Dhe këto praktika, ka vënë në dukje Parlamenti Evropian, krijojnë vështirësi të mëtejshme në momentin kur një pasagjer duhet të përdorë kompani të ndryshme ajrore me të njëjtat bagazhe.
Por manovra për të fshehur kostot shtesë ka të bëjë edhe me tarifat e lidhura me caktimin e vendeve në avion, me sigurimet në rast se humbasin bagazhet dhe me rimbursimet e biletave.
“Çdo ditë, mijëra udhëtarë evropianë që marrin një avion detyrohen të pranojnë kushte absurde. Kërkesa për pagesën për bagazhin e dorës dhe ajo për të pasur një vend pranë familjarëve përbëjnë degradimin e një tregu transportesh që nuk respekton më të drejtat e pasagjerëve”, ka deklaruar euro-deputetja italiane Maria Anxhela Danci, e cila ka nënvizuar nevojën për të vendosur rregulla të përbashkëta edhe për transportin e kafshëve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.