Censi i Popullsisë dhe Banesave do të fillojë në datën 18 Shtator 2023 dhe do të zgjasë 6 javë njoftoi të mërkurën INSTAT.
Në një njoftim zyrtar INSTAT “Data e Cens 2023”, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë së bashku me Planin Vjetor të INSTAT, 2023.
Synimi i Cens është t’i sigurojë parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuar situatën demografike, ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Bizneset, po ashtu, kanë nevojë për të dhëna të Censit për të përcaktuar se ku mund të lokalizojnë dyqanet, për të vlerësuar forcën e mundshme të punës dhe për të vlerësuar tregjet e blerësve etj. Cens është i rëndësishëm sepse prodhimi i rezultateve të Cens çdo dhjetë vjet është një kërkesë në nivel botëror dhe ndihmon procesin e integrimit për t’u bashkuar me BE-në.
Të dhënat e Cens do të bëjnë të mundur zhvillimin e një regjistri statistikor ndërtesash dhe banesash dhe një regjistër statistikor të popullsisë banuese, i cili mund të shërbejë në të ardhmen si bazë për kryerjen e Censit bazuar në regjistra.
Njohja e numrit dhe strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë është jetike për Shqipërinë, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, si dhe brenda komuniteteve të ndryshme. Pa informacion kombëtar dhe lokal mbi popullsinë, karakteristikat e saj, arsimin, statusin në punësim dhe shëndetësi, shërbimet dhe bizneset tona publike nuk mund t’i shërbejnë komuniteteve tona sa më mirë që të jetë e mundur.
lexo : Google me përditësime të reja për sigurinë. Ja çfarë mund të bëni tani
Në vitin 2023, për herë të parë, përgjigjet do të regjistrohen nga anketuesit në tableta. Përgjigja do të marrë më pak kohë sesa përgjigjet për një pyetësor të bazuar në letër.
Cens kërkon informacion mbi karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike të individëve.
Kjo përfshin pyetje në lidhje me moshën, gjininë, marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes, vendin e lindjes, nivelin e arsimit, statusin e punësimit, etninë, fenë, aftësinë e kufizuar, si dhe kushtet e banimit. Ju duhet të përfshini cilindo që është banor i zakonshëm në Njësinë Ekonomike Familjare që po numërohet.
Kjo përfshin anëtarët e Njësisë Ekonomike Familjare (NJEF), shokët e dhomës, fëmijët kujdestarë dhe miqtë që zakonisht banojnë aty të cilët ndajnë një ekonomi pjesërisht ose plotësisht të përbashkët. Duhet të përfshijë gjithashtu njerëz që, për shembull, janë përkohësisht në spital ose jashtë vendit për një periudhë më pak se 12 muaj, por që normalisht jetojnë me ju.
Duhet të renditen gjithashtu personat që vizituan këtë NJEF gjatë natës së Cens dhe ish anëtarët e NJEF të cilët u zhvendosën jashtë vendit në dhjetë vitet e fundit. Punonjësit e INSTAT respektojnë rreptësishtë parimin e konfidencialitetit statistikor dhe ligjin për ruajtën e konfidencialitetit, për të trajtuar të dhënat me përgjegjësi dhe për të mbajtur private informacionin e të anketuarve.
Të dhënat e mbledhura mund të përdoren vetëm për qëllime statistikore, që do të thotë se informacioni individual nuk mund të identifikohet. INSTAT ka një program të fuqishëm që përfshin praktikat më të mira ndërkombëtare dhe standardet e sigurisë për anonimizimin e të dhënave.
Detyra e çdo qytetari është të marrë pjesë në Cens. Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Cens, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme.
Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “Preferoni të mos përgjigjeni”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.