Shqipëria është ngjitur në renditjen e saj në ‘Indeksin Global të Ekosistemit së Startup-eve’ për vitin 2023, i publikuar nga ‘Startup Blink’. Renditja globale tregon se vendi ynë është pozicionuar në vend të 74-tët, duke fituar 1 pozicion krahasuar me edicionin e vitit 2022, i cili e rendiste në vend të 75-të. Ky indeks synon të nxjerrë në pah vendet më të mira për fillimin e bizneseve. Gjithashtu, tregon se ku ekzistojnë bashkësitë më të lulëzuara të sipërmarrjeve dhe rendit ekosistemet fillestare të mbi 1000 qyteteve dhe 100 vendeve.
Sipas raportit, Shqipëria përmirësoi renditjen e saj me 1 pozicion, duke përfituar nga rënia e Bjellorusisë. Në mënyrë të ngjashme, Shqipëria u përmirësua me 1 vend duke u renditur e 19-ta në Europën Lindore dhe vazhdon të ruajë pozicionin si e 9-ta në renditje mes vendeve të Ballkanit.
Ekosistemi i vetëm shqiptar i renditur në këtë indeks, Tirana, pati një fitim modest prej 2 vendesh në Indeks dhe pozicionohet e 459-ta në nivel global. Tirana ruajti pozicionin e saj si ekosistemi i 35-të në Europën Lindore dhe e 12-ta në Ballkan. Sipas raportit, edhe pse tendencat e këtij viti janë pozitive, Shqipëria ka potencial për të performuar më mirë se kaq.
Po ta fokusojmë analizën vetëm ne vendet e Ballkanit Perëndimor shohim se Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë para nesh në renditje në vend të 51-të dhe 70-të, ndërkohë që kemi lënë pas Bosnje Hercegovinën e pozicionuar në vend të fundit, pra në vend të 100-të, për vitin 2023. Kosova për këtë edicion ka dalë nga renditja, ndërkohë një vit më parë ishte e vendosur në vend të 96-të. Në vend të parë në rang global në këtë indeks renditen vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Kanadaja, Suedia dhe Singapori.
Në raport thuhet se ekosistemi i bizneseve në Shqipëri është ende në fazat e hershme, megjithatë ka përpjekjet e sektorit publik dhe privat për të nxitur zhvillimin e startup-eve dhe sipërmarrjes. Mes rrjeshtash thuhet se Shqipëria ka një bazë talentesh premtuese në fushën e teknologjisë dhe komuniteti lokal i startup-eve është plot entuziazëm duke ofruar sisteme të ndryshme mbështetëse me ndihmën e organizmave ndërkombëtare si BERZH apo edhe të tjera. Për më tepër, raporti tregon se Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen është një organ qeveritar që synon të ndihmojë sipërmarrjen në vend.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.