Që prej vitit 2012, qeveria ka integruar në buxhet financimin e politikave për barazinë gjinore. Ministria e Financave, në një intervistë të posaçme, referoi se këtë vit, fondi buxhetor që adreson politika me bazë gjinore është 74.4 miliardë lekë (73 milionë euro), ku 38% e tij shkon për të mbështetur masat në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe 8%, për politika gjinore në fushën e arsimit. Por ende nuk ka përllogaritje se sa kanë ndikuar fondet buxhetore në mbylljen e hendekut gjinor
Që prej vitit 2012, Ministria e Financave, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën e UN WOMEN në Shqipëri, ka ndërmarrë nismën e integrimit të parimeve të Buxhetimit të Përgjithshëm Gjinor (BPGJ) në proceset e programimit të buxhetit vjetor dhe atij afatmesëm.
Rrjedhimisht, më 18 korrik 2012, Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi Vendimin Nr. 465 “Për integrimin e pikëpamjes gjinore në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA)”.
Vendimi shënjoi fillimin e përpjekjeve për integrimin e parimeve të buxhetimit gjinor në procesin e buxhetimit, me qëllim lehtësimin dhe/ose eliminimin e pabarazive gjinore në fusha të ndryshme të jetës së vendit, ku veprojnë politikat publike.
Në strategjinë e menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, si dhe në të gjitha dokumentet që kanë pasuar më tej këtë strategji, buxhetimi i përgjithshëm gjinor ka qenë pjesë e pandashme e reformave të financave publike, që janë promovuar dhe zbatuar në praktikë.
Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor përbën shtyllën e tretë të strategjisë kombëtare të barazisë gjinore dhe si e tillë, adreson çështje gjithëpërfshirëse dhe të ndërsjella në të gjithë fushat.
Parimi i Barazisë Gjinore është përfshirë në Parimet e Sistemit Buxhetor të përcaktuara në ndryshimet e kryera në 2 Qershor të vitit 2016, në Ligjin nr.9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në ligjin “Për Financave Vendore”. Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor tashmë është pjesë e rëndësishme e procedurave dhe praktikave të përgatitjes së buxhetit, si dhe monitorimit të zbatimit të tij, sidomos në nivelin qendror të qeverisjes. Përpjekje të vazhdueshme janë bërë dhe vijojnë të bëhen për përfshirjen efektive të tij edhe në procedurat dhe praktikat e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit në nivel vendor.
Që prej 2015, numri i programeve buxhetore që përfshijnë elemente të politikave me ndjeshmëri gjinore është rritur, duke rezultuar tashmë në 76 të tilla nga 131 programe buxhetore gjithsej në nivel qendror, të cilat përkthyer në shifra alokimesh buxhetore, shkojnë nga 1% e shpenzimeve të përgjithshme publike në 2015, në rreth 10% në vitin 2024.
Përpjekjet e bëra në ndërtimin e politikave publike të përgjegjshme dhe efektive gjinore kanë rezultuar dhe në ngritjen dhe funksionimin e një sistemi të fortë të planifikimit të integruar, i cili përforcon lidhjen midis Planifikimit Strategjik dhe Proceseve të Buxhetimit Afatmesëm. Kjo lidhje sigurohet nëpërmjet sistemeve informatike siç është IPSIS, i cili do të lehtësojë planifikimin dhe koordinimin e politikave, si dhe do të sigurojë lidhjet e politikave publike me sistemin informatik financiar të buxhetimit afatmesëm (AFMIS), një qasje shumë e kërkuar nga Ministria e Financave, duke mundësuar në të njëjtën kohë aplikimin e BPGJ-së dhe përmes tij.
Këto dy sisteme gjithashtu do t’i mundësojnë Qeverisë të gjurmojë më mirë alokimet dhe shpenzimet për zbatimin e SDG5 (Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm 5) dhe të masë progresin kundrejt treguesit SDG 5c.1, i cili është treguesi kryesor i BPGJ-së.
Për më tepër, këto sisteme na lejojnë të zhvillojmë objektivat gjinore dhe treguesit kryesorë të performancës (TKP), dhe në fund t’i lidhim ato me buxhete të përshtatshme. Në kuadër të buxhetimit me pjesëmarrje, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë zërin e qytetarëve, sidomos grave dhe vajzave nga grupet më vulnerabël, proceset pjesëmarrëse dhe Buxheti për Qytetarët me ndjeshmëri gjinore janë vetëm disa nga nismat institucionale të Ministrisë së Financave, në mbështetje të kauzës së barazisë gjinore në Shqipëri./Monitor
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.