Nga shafrani te sherebela, ja bimët mjekësore që janë burim të ardhurash - Business Magazine Albania

Nga shafrani te sherebela, ja bimët mjekësore që janë burim të ardhurash


Tregu i bimëve mjekësore vijon të ruajë tendencën rritëse, jo vetëm në tregjet globale, por edhe në vend. Aktorët e tregut parashikojnë se rritja në 2018-n do të jetë 7-8%, edhe pse janë goditur fort për shkak të zhvlerësimit të valutave. Sfidat për këtë sektor, që është gjenerator punësimi në zonat rurale, janë të shumta. Lufta për tregje me fqinjët, që përfitojnë subvencione më të larta, është e fortë. Ata janë në përpjekje të vazhdueshme për të orientuar fermerët, të cilët vijojnë të kultivojnë në mënyrë kaotike…

Rudina Hyka u zhvendos përpara tre viteve nga alpet dhe klima malore e Zvicrës, në kodrat e Kepit të Rodonit. Me vete solli bulbet e bimës më të shtrenjtë që ka njohur njerëzimi, shafranit. Bima e shafranit prodhon një erëz kualitative, e cila mbillet në parcela të kontrolluara dhe nuk është kulturë masive. E veçanta e kësaj bime është se gjenetika e saj është e pandryshuar prej 5000 vitesh.

Lexoni: Biznesi i mbjelljes së shafranit vendos rrënjë në Shqipëri

Ëndrra e një kultivuesi të shafranit është që të arrijë objektivin prej 1 kilogramësh. Fillimisht, Rudina e ndërmori këtë nismë duke synuar tregun vendas dhe aktualisht ajo ka individë që kërkojnë erzën për qëllime vetjake. Vetëm 1 gramë e kësaj bime kushton mesatarisht 30 euro. Për të prodhuar një kilogram shafran (i cili ka një vlerë të përafërt 30 mijë euro) nevojiten rreth 200 mijë bulbe.

Në kodrat e Kepit të Rodoni, Rudina ka mbjellë një sipërfaqe prej 4,250 metra katrorë tokë dhe numëron afërsisht 70 mijë bulbe të kësaj bime. Ajo ka zgjedhur një sipërfaqe toke të virgjër, të pakultivuar më parë nga dora e njeriut, e cila mundëson një prodhim bio të shafranit. Në vitin e parë të prodhimit, rreth 60% e bulbeve lulëzojnë, i cili rritet më tej në vitin e dytë dhe të tretë, deri sa stabilizohet dhe bie pas vitit të katërt.

Rudina është angazhuar vetë në këtë aktivitet, ajo punëson herë pas here sipas nevojës së sezonit, gra nga zona përreth. Puna për grumbullimin e erzës së shafranit kërkon kujdes dhe proceset janë delikate.

Për Rudinën, ecuria e këtij aktiviteti ka qenë pozitive. Së fundmi, ajo po përpiqet që të lidhë kontrata me tregun jashtë, për të cilin thotë se vështirësitë janë të mëdha. Nuk është e lehtë të depërtosh në një treg ku konkurrenca është e lartë.

Tregu i bimëve mjekësore në Shqipëri ka njohur rritje të vazhdueshme, veçanërisht në eksporte. Mbi 90% e bimëve mjekësore që kultivohen, grumbullohen dhe përpunohen në vend janë të destinuara për tregun e huaj, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Janë qindra lloje bimësh, të cilat grumbullohen në zona rurale nga mijëra individë. I gjithë sektori po gjeneron vende pune dhe po fuqizon banorët e zonave rurale.

Gjenerator punësimi

Rreth 90 mijë individë janë të punësuar indirekt në industrinë e bimëve mjekësore dhe aromatike. I gjithë sektori numëron me mijëra të punësuar direkt. Filip Gjoka, administrator i kompanisë Filipi dhe njëkohësisht president i shoqatës, thotë se e gjithë industria është një gjenerator punësimi për zonat rurale. Vetëm në kompaninë e tij ai numëron mbi 100 të punësuar direkt me kohë të plotë dhe 3500 familje që nxjerrin të ardhura nëpërmjet punësimit sezonal në kompaninë e tij.

Edhe Gjergji Çibuku, administrator i kompanisë Çibuku në Korçë, ndër më të mëdhatë në vend, ka të punësuar direkt rreth 20 individë, ndërsa indirekt janë të punësuar mbi 1000 individë të zonës që grumbullojnë bimë mjekësore.

Kultivuesit “kopjacë”

Në rrugën që lidh qytetin e Gramshit me fshatin e Sotirës nuk mund të mos ta vjedhin vështrimin ngastrat e panumërta në faqet e kodrave të mbjella me levandula. Faqet e kodrinave të asaj zone nuk kanë më ngjyrën e gjelbër tipike, por të purpurtën e levandulës. Gjegji, banor i fshatit Sotirë të Gramshit, tregon se u nxitën të mbillnin levandulën për shkak të çmimit të lartë. “Dikur levandulën e shisnin për 400 lekë për kilogram, sot vlera e një kilogrami është 50-100 lekë, në rast se gjendet një blerës,” tha Gjergji, banor i zonës.

Filip Gjoka, president i Shoqatës, e shikon këtë si një problem të industrisë. Fermerët e zonave rurale, nxitur nga një kërkesë momentale e tregut, nxiten të mbjellin masivisht kultura, të cilave iu bie çmimi në mënyrë drastike.

Një rast i tillë, si ai i levandulës, është edhe sherebela. Gjoka shpjegon se fermerët, për shkak të çmimit të lartë në një moment, u nxitën të mbillnin masivisht sherebelë. Më pas çmimi ra në tregjet ndërkombëtare. Problemi tjetër me kultivimin e sherebelës ishte se ajo dëmtoi markën e sherebelës së egër autoktone shqiptare.

Lexoni: Sipërmarrësi Halit Avdiaj furnizon të gjithë Europën me bimë mjekësore

Gjoka thotë se hasin shpesh vështirësi që të bindin fermerët se çfarë të mbjellin. Ai argumenton se fillimisht duhet që kompanitë të sigurojnë tregjet jashtë, duke lidhur kontrata dhe më pas, të orientohet prodhimi.

Edhe për Arif Daçin, administrator i kompanisë AgroHerbal, rënia e çmimit për kultura të caktuara ka ardhur si pasojë e mbjelljes pa planifikim dhe kontrollim të kulturave të caktuara. Daçi dha si shembull mbjelljen e sherebelës, e cila në një moment piku të kërkesës nga jashtë, u mboll masivisht në çdo vend të Shqipërisë, nga veriu deri në fushat e Myzeqesë në Lushnjë, me farë dhe fidanë jocilësorë. “Në këto raste, kur palët nuk janë të mirorientuara, krijohen stok dhe prishet cilësia,” tha z. Daçi.

Tendencat e tregut

Numërohen me qindra lloje të ndryshme të bimëve që kompanitë shqiptare eksportojnë. Si çdo biznes, edhe ky ka uljet dhe ngritjet e veta, tregon Arif Daçi, por e rëndësishme është që kërkesa nga klientët e huaj është rritur. Mbi 96% e produktit është e destinuar për tregjet e huaja.

Aktualisht, sipas presidentit të Shoqatës, Filip Gjoka, ka kërkesë për sherbelën, çmimin e së cilës e parashikon në rritje këtë vit, për rigonin, i cili po mblidhet si kulturë masive në Belsh dhe në Koplik. Në këtë të fundit, fermerët po e kultivojnë duke përdorur pleh organik dhe cilësia do të jetë e lartë.

Kujtim Zere, nga Albanian Herb sh.a., thotë se çmimi për një kg të rigonit varion nga 250 – 300 lekë për kilogram. Kërkesa për erëza sipas tij është rritur, duke qenë se përdoren masivisht në kulinari.

Lexoni: La Amerikën për Shqipërinë dhe bimët e saj të mrekullueshme aromatike, ja historia e Emiland Skorës

Tendencë në rritje të kërkesës ka pasur edhe për bimët që përdoren në farmaceutikë, duke qenë se po kërkohen gjithnjë e më shumë ilaçe me bazë bimore, si dhe bimët që përdoren për çajëra. Aktorët shpjegojnë se me rritjen e informacionit tek individët në vend është rritur edhe kërkesa për bimë mjekësore. Kujtim Zere thotë se ka filluar të rritet kërkesa edhe brenda vendit, ka shumë pika supermarketesh që tregtojnë bimë mjekësore.

Shkruar nga Ledina Loga për Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0