Kompania arabe premton ndërtimin e një kulle në fund të Bulevardit të Ri - Business Magazine Albania

Kompania arabe premton ndërtimin e një kulle në fund të Bulevardit të Ri


Privatizimet me ligj të veçantë dhe pa garë duket se po kthehen në modelin e rradhës të të bërit biznes në Shqipëri. Pas ligjit për ndërtimin e një porti privat në brigjet e Kavajës, të njohur si “Porti i Karpenit”, qeveria ka propozuar një projektligj të ri në kuvend në bazë të së cilit pret të marrë miratimin për t’i falur një kompanie arabe 25 mijë metra katrorë truall në Tiranë si dhe ta përjashtojë atë nga taksat e tatimet për deri 15 vjet në shkëmbim të ndërtimit të një kulle, në të cilën, raportohet se Bashkia e Tiranës do të marrë një sasi të papërcaktuar mjedisesh falas.

Projektligji, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë më 4 prill nga Këshilli i Ministrave, synon të autorizojë qeverinë të krijojë një grup ndërinstitucional që do të ketë për detyrë të negociojë drejtpërsëdrejti me kompaninë “Al Habtoor Investment LLC” nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhënien e tokës falas dhe lehtësive fiskale për ndërtimin e kullës që në projektligj quhet “Kulla Ikonike” e Tiranës.

Komisioni i Negocimi të Marrëveshjes sipas projektligjit duhet të kryesohet nga një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ndërsa në grupin negociator do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura e Shtetit.

Sipas relacionit, kompania e Emirateve ka kërkuar 25 mijë metra katrorë tokë falas, të cilat, me çmimet aktuale të tregut kushtojnë së paku 10 milionë euro si dhe “përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimin mbi fitimin apo çdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare”.

Forma e të bërit biznes “me ligj të veçantë” pa përdorur as ligjin e prokurimit publik dhe as ligjin për partneritetin publik-privat është një praktikë relativisht e re që po përdoret nga qeveria aktuale për të kryer biznes me asetet publike pa garë, qoftë kjo edhe garë sa për sy e faqe, siç janë zakonisht tenderët në Shqipëri. Dhe përveç problemit të garës, nisma ka gjasa të shkaktojë telashe të tjera për operatorët e tjerë në treg. Në Tiranë ka një numër operatorësh që kanë ndërtuar kulla apo hotele, ndërsa përjashtimi i një operatori të vetëm nga taksat e tatimet për 15 vjet ka gjasa që do të shkaktojë shtrembërime në kushtet e konkurrencës.

Ndërtimi i një kulle nuk është kurrë gjë e keqe në vetvete, me përjashtim të rasteve kur një kullë e tillë mbetet pa përfunduar, siç kanë mbetur pa përfunduar disa kulla të tilla në Tiranë, Durrës apo Vlorë. Arsyeja se pse këto kulla kanë mbetur pa përfunduar lidhet me faktin e thjeshtë se ndërtime të tilla janë paksa të parakohshme në kushtet e Shqipërisë, një vend ende i varfër me një treg shumë të kufizuar luksi. Në këto kushte, është e dukshme se pse investitori nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përveç interesit për të ndërtuar një kullë, kërkon që këtë kullë ta paguajnë shqiptarët, përmes taksave të falura. Kërkesa për t’u përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar p.sh, ka gjasa që bie ndesh edhe me parimin themelor të trajtimit të barabartë të tatimpaguesve. Trajtimi i diferencuar fiskal mund të justifikohet në rastet kur përfitimet i përkasin një sektori, por kurrsesi vetëm një projekti dhe një investitori.

Nga ana tjetër, nuk është e qartë nëse një sipërfaqe toke me përmasa 25 mijë metra katrorë është aktualisht nën pronësi publike në zgjatim të bulevardit, apo është nën pronësi private dhe qeveria ka ndër mend ta shpronësojë. Shpronësimi në Shqipëri justifikohet “për interes publik” dhe “përkundrejt kompensimit të drejtë”, parime me të cilat projekti aktual ka gjasa nuk përputhet. Ndërtimi i një kulle, sado ikonike të jetë, nuk mund të përbëjë “interes publik” dhe të paguhet nga taksat e të gjithë shqiptarëve.

burimi: lajmifundit

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0