Profesioni: Specialiste në fushën e marketing – turizëm
Pozicioni aktual në kompani: Administratore
Hobi: Udhëtimet, leximi, sporti
1. Çfarë është Dedikoj.com? Përse këtë emër? Si funksionon?
Dedikoj.com është një platformë online që mundëson porosinë dhe dërgimin e dhuratave, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Dedikoj, është një lajtmotiv i dëshirës për të shprehur dashurinë, mirënjohjen dhe vlerësimin për miqtë dhe të afërmit nëpërmjet dhuratave, duke mbetur kështu një kujtim – një dedikim. Dedikoj është emocioni dhe përkushtimi që i shton vlerë dhuratës. Ky është synimi, premtimi dhe puna jonë.
Është shumë e thjeshtë të jesh pjesë e Dedikoj. Kushdo mund të vizitojë website-n tonë www.dedikoj.com ku të përzgjedhë produktin që dëshiron për ta bërë dhuratë tek dikush (ose pse jo edhe vetes ). Platforma të ndihmon të vendosësh të gjitha të dhënat e nevojshme për dërguesin dhe marrësin duke ofruar mundësinë e pagesës online. Stafi i Dedikoj, kujdeset për gjithçka tjetër, nga përgatitja e dhuratës deri në dërgesën e saj në formë surprize. Kur dhurata arrin tek i zoti, ne i dërgojmë porositësit një foto nga momenti i dorëzimit duke i përcjellë kështu emocionet e marrësit.
2. Si ju erdhi ideja fillestare? Përse vendosët të shisni online?
Ritmi i jetës së përditshme në një qytet si Tirana dhe në mbarë Shqipërinë ka marrë zhvillim marramendës. Gjithashtu, shumë prej nesh kanë zgjedhur të jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë duke lënë pas njerëzit e dashur. Themelimi i Dedikoj.com është shtyrë nga dëshira e madhe që kam për të mos lënë jetën e shpejtë, të pengojë realizimin e dëshirës së secilit të përcjellë emocione nëpërmjet dhuratave dhe suprizave. Si dëshmojmë edhe nga eksperiencat në Evropë dhe botë, komunikimi online për një biznes afron distancat dhe shkurton kohë. Platforma online i shërben fare mirë qëllimit dhe filozofisë së Dedikoj.
3. Kush është profili i klientit tuaj? Meshkuj apo femra, ka kriter moshe apo zone gjeografike ku janë të vendosur?
Klienti ynë je ti. Dhuratat realizohen nga çdokush dhe për këdo. Nuk ka një moshë, gjini apo zonë gjeografike që dominon ndaj të tjerave përsa i përket profilit të klientëve tanë. Kjo është edhe filozofia e të punuarit me anë të një platforme online. Është shumë emocionuese të shohësh si nxënës të shkollave fillore kërkojnë të bëjnë kartolina për shokët/shoqet e tyre dhe është po aq emocionuese t’i mundësosh dikujt të surprizojë miqtë e tij jashtë Shqipërisë. Një pjesë e konsiderueshme e miqve të Dedikoj, janë bashkëkombasit tanë që jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe zgjedhin platformën tonë për të transmetuar urimet dhe emocionet e tyre te të afërmit në Shqipëri.
4. Cili ishte produkti i parë që shitët? Ndonjë fakt interesant lidhur me shitjen tuaj të parë?
Ka qenë një surprizë shumë e këndshme që kemi realizuar për një vajzë, Xhulin. Një djalë nga Kosova që kishte mësuar rastësisht për ne, nëpërmjet profilit tonë në Facebook, na kontakton duke na shkruar: ‘dua të realizoj dhuratën më të bukur që keni bërë ndonjëherë, është për të dashurën time‘.
Përgatitëm një kompozim me trëndafila të kuq dhe në qender shkruam inicialet e vajzës dhe përvjetorin e saj me disa çokollata.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të nr. 7 të Business Magazine Albania. Për të shfletuar revistën klikoni këtu.
Momenti i dorëzimit ishte më emocionuesi. Dhuratën e dërguam në shtëpinë e vajzës, e cila në momentin kur hapi derën u befasua dhe u emocionua aq shumë sa filloi të qante nga gëzimi. Kjo ishte përvoja e bukur e dërgesës sonë të parë, duke na shtuar dëshirën të bëjmë gjithmonë më shumë.
5. Si realizohet Blerja në platformën tuaj? Si arrini tek klientët tuaj?
Blerjet në Dedikoj.com mundësohen nepërmjet website-t ku paguhet me kartë krediti ose nëpërmjet llogarisë Paypal. Gjithçka është e ndërtuar për të ofruar siguri maksimale në porosi dhe pagesë. Dhurata e zgjedhur përgatitet me të gjitha detajet e kërkuara dhe i dërgohet marrësit në formën e një surprize, në adresën e shënuar në web. Një rol shumë të rëndësishëm kanë rrjetet sociale, si Facebook dhe Instagram. Një pjesë e mirë e porosive tona merren nëpërmjet tyre. Përvoja personale e çdo klienti është shumë e rëndësishme për ne. Pas platformës apo rrjeteve sociale qëndron një ekip që kujdeset në detaj për të përcjellë dedikim dhe për të afruar distancat me anë të dhuratës.
6. Çfarë konsideroni pikë të fortë në biznesin tuaj online? A ka konkurrencë?
Dedikoj.com është ndërtuar për t’i shtuar vlerë dhuratës. Kjo është një ndër pikat e forta të biznesit tonë. Është shumë e vështirë të përcjellësh ‘ndjesi‘ prapa një rrjeti gjigand informacioni – interneti dhe rrjetesh sociale. Ne kujdesemi për çdo klient me dedikim personal, për të kuptuar dëshirat e tij dhe për të percjellë emocionet e duhura. E gjithë kjo mbështetet nga një staf që ofron shërbim elitar dhe përzgjedhje produktesh cilësore. Personalizimi deri në detaje i dhuratave, mundësimi i dërgesave në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe jashtë saj, si edhe larmishmëria e produkteve së bashku me kreativitetin në përgatitjen e tyre, janë shtyllat e Dedikoj, duke e bërë të veçantë në treg.
Përsa i përket konkurrencës, mund të them se ajo ështe gjithnjë në rritje pasi bota e biznesit online është në hapat e saj të parë në Shqipëri. Kënaqësia që marrim çdo ditë nga klientët tanë, lumturia dhe gëzimi i tyre, janë motivimi ynë më i madh për të lënë gjurmën tonë në treg.
7. Në këtë biznes, cili rol ka më shumë rëndësi, zhvilluesi teknik apo zhvilluesi i biznesit?
Në një biznes me bazë online, këto role janë plotësuese dhe të domosdoshme. Është shumë e rëndësishme të kesh mbështetjen e duhur teknike për menaxhimin e website-t dhe është po aq e rëndësishme të administrosh dhe zhvillosh marrëdhëniet me klientin, stafin, mënyrat e duhura të marketingut, strategjitë afatgjata etj.
8. Shitjet online vs atyre tradicionale? Listoni 3 përparësi të shitjeve online, pra përse klientët duhet të blejnë online?
– Blerja online shkurton kohë dhe i jep vlerë dhuratës tuaj vetëm me një “klik“ ;
– Do të ketë gjithmonë “efekt surprizë“ si për blerësin edhe për personin që merr dhuratën ;
– Online, ofron mundësinë e pasurimit të dhuratës me sa më shumë detaje (mendoni nëse doni t’i shtoni disa tullumbace buqetës suaj të luleve, në sa dyqane do t’ju duhej të ndalonit)
9. Nga përvoja juaj në Tregtinë Online, mendoni se mund të kaloni kufijtë e Shqipërisë me këtë platformë? Plane për të ardhmen?
Nga përvoja mund të themi se i kemi kaluar kufijtë e Shqipërisë shumë më shpejt se mendonim. Një numër gjithnjë e në rritje i porosive tona, janë nga persona që jetojnë jashtë vendit. Shqiptarë ose te huaj, i realizojnë dhuratat për të dashurit dhe miqtë e tyre në Shqipëri nëpërmjet Dedikoj.
Gjithashtu, kemi shumë klientë që zgjedhin shërbimin tonë për dhuratat dhe surprizat që duan të realizojnë, me destinacion shtete të ndryshme të Europës dhe Botës.
E ardhmja është sfidë – të rritemi së bashku me zhvillimin teknologjik duke qenë në të njëjtin hap me kohën.
Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të nr. 7 të Business Magazine Albania. Për të shfletuar revistën klikoni këtu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.