Drejtoresha e Yunus Social Business: “Shqipëria është shndërruar në qendrën tonë kryesore në Ballkan” - Business Magazine Albania

Drejtoresha e Yunus Social Business: “Shqipëria është shndërruar në qendrën tonë kryesore në Ballkan”


 

1. Kush është Saskia Bruysten?

Unë jam bashkëthemeluese dhe drejtore ekzekutive e Yunus Social Business që prej 4 vjetësh. Me Muhammad Yunus kam 7 vjet që bashkëpunoj dhe qëllimi ynë është të rrisim numrin e sipërmarrësve që merren me biznes social. Karrierën time e kam filluar si këshilluese biznesi, në një kompani të njohur siç është “Boston Consulting Group”. Jam diplomuar në fushën e ekonomisë dhe biznesit dhe mund ta konsideroj veten si një sipërmarrëse. Momentalisht jam vërtet e kënaqur me punët që Yunus Social Business po zhvillon në rajonin e Ballkanit, për të ndhmuar dhe investuar në sipërmarrësit e rinj social.

2. A është hera e parë që vini në Shqipëri? Çfarë ju solli sot këtu?

Drejtoresha-e-Yunus-Social-Business-Saskia-Bruysten-businessmag

Jo nuk është hera e parë që e vizitoj Shqipërinë. Hera e parë që kam ardhur këtu ka qenë para 4 ose 5 vjet. Shqipëria tashmë është shndërruar në qendër kryesore të Yunus Social Business në rajonin e Ballkanit, kjo është arsyeja që unë e vizitoj kaq shpesh këtë vend. Kësaj here kam ardhur që të takohem me sipërmarrësit socialë që më parë i kemi ndihmuar, për të parë se si kanë ecur dhe çfarë mund të bëjmë për t’i mbështetur më tej. Gjithashtu po punojmë për një program të përbashkët me USAID, që është një nga mbështetësit më të rëndësishëm këtu në Shqipëri.

3. Muhammad Yunus është një emër i njohur këtu në Shqipëri, sidomos pas vizitës së tij disa vite më parë. A mund të përshkruani eksperiencën tuaj si bashkëthemeluese e Yunus Social Business? Çfarë iu bashkoi me z. Yunus për të themeluar këtë program?

Në fundin e të 20-tave, pasi kisha një eksperiencë në një kompani tipike kapitaliste, e pyeta veten nëse do të vazhdoja të bëja të njëjtën gjë deri sa të dilja në pension. Kisha ndjesinë se duhet të bëja diçka më të madhe në shërbim të shoqërisë.
“Gjatë pjesëmarrjes në një konferencë në Londër, ku Muhammad Yunus ishte folës, unë u frymëzova nga idetë e tij dhe menjëherë vendosa të prezantohesha me të. Pasi ia bëra të qartë se doja të përfshihesha në këtë nismë, unë udhëtova për në Bangladesh vetëm pak muaj më vonë dhe u bëra pjesë e skuadrës së Muhammad Yunus. Duhet të theksoj se z. Yunus është një sipërmarrës mjaft i zoti, që ka themeluar 30-40 sipërmarrje sociale, që zgjidhin probleme shoqërore të Bangladeshit. Pas kësaj eksperience frymëzuese vendosa që dhe unë të bëhesha sipërmarrëse që ndihmon sipërmarrësit e rinj socialë kudo në botë.

4. Deri tani, në çfarë rajonesh operon programi Yunus Social Business? Kush janë kriteret tuaja për përzgjedhjen e këtyre vendeve?

Yunus Social Business operon në disa rajone si Brazili, Kolumbia, Karaibet, Ballkani me qendër Shqipërinë, Afrikën Lindore me bazë në Uganda, Tunizi dhe Indi. Përsa i përket përzgjedhjes së këtyre rajoneve, ne marrim informacion nga organizatat dhe qeveritë nëse njerëzit kanë nevojë për shërbimet tona. Në rastin e Shqipërisë dhe Ballkanit, për ne ky rajon është mjaft strategjik dhe mund të konsiderohet si një portë hyrëse në Europë. Këtu në Tiranë gjërat duken mirë dhe mund të shijohet një kafe e këndshme me miqtë, por në pjesën tjetër të Shqipërisë gjërat ndryshojnë dhe problemet shtohen. Vitin e fundit shumë shqiptarë kanë emigruar për në Gjermani, çka tregon se ka akoma mjaft probleme ekonomike dhe shoqërore. Qëllimi ynë si Yunus Social Business është që të provojmë se sipërmarrja dhe biznesi social mund të ndryshojnë gjërat për mirë këtu në Ballkan.

5. A mund të na flisni pak më tepër për rolin e biznesit social në ekosistemin e sipërmarrjes?

Mënyra e të bërit biznes deri tani është bazuar tërësisht në modelin Anglo-Sakson, ku qëllimi kryesor është maksimizimi i fitimit personal. Një sipërmarrës tipik është dikush që përpiqet të nxjerrë sa më shumë fitime nga veprimtaria që ka. Kjo na mësohet në sallat e leksioneve të ekonomisë dhe biznesit. Ky është sistemi që jetojmë dhe si shumica prej nesh edhe unë besoj në fuqinë që ka për zgjidhjen e problemeve, tregu i lirë. Misioni ynë si Yunus Social Business është të përdorim fuqinë që ka sipërmarrja për zgjidhjen e problemeve që na rrethojnë, në mënyrë më të efektshme se sa përdorimi i instrumentave të qeverisë apo organizatave jofitimprurëse.

Saskya 2

Unë jam e frymëzuar shumë nga kjo ide, prandaj vendosa të bashkëpunoja më tej me Muhammad Yunus. Tani sipërmarrësit kanë më shumë mundësi zgjedhjeje para se të hapin një biznes. Ata mund të zgjedhin mënyrën tradicionale, atë të maksimizimit të fitimit apo të përdorin fuqinë e sipërmarrjes për të zgjidhur problemet shoqërore. Roli i biznesit social në ekosistemin sipërmarrës ka filluar të rritet ndjeshëm. Efektet pozitive të këtij stili të ri biznesi kanë filluar të ndjehen në rajonet ku ne operojmë. Ka shumë sipërmarrës që po motivohen jo vetëm për të siguruar fitime nga biznesi, por duke dashur të ndihmojnë në zgjidhjet e problemeve shoqërore.

6. Duke u bazuar në eksperiencën tuaj, a besoni se në rajonin e Ballkanit dhe në Shqipëri mund të lindin biznese të mëdha që kanë ndikim shoqëror të lartë?

Po është plotësisht e mundur. Unë besoj se në çdo vend të botës mund të lindin biznese të suksesshme. Deri tani ne kemi investuar në ide shumë të mira si në Shqipëri, ashtu dhe në rajonet ku operojmë. Çdo problem madhor që shqetëson një shoqëri mund të shndërrohet në një sipërmarrje sociale. Për shembull, në Shqipëri, problemi i papunësisë është kritik. Ne jemi të hapur të financojmë sipërmarrje sociale, le të themi, që orientojnë të rinjtë apo personat me aftësi të kufizur drejt tregut të punës. Gjithashtu në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm të sipërmarrjeve të reja që janë ndihmuar nga Yunus Social Business, siç është rasti i biznesit të bimëve mjekësore që ka rritur numrin e të punësuarve në këtë sektor.

7. Ju jeni përzgjedhur në grupin e ekspertëve të Komisionit Europian dhe në grupin e Sir Richard Branson të quajtur B-Team të cilat fokusohen te biznesi social. A po e mbështet Sir Richard Branson biznesin social?

Drejtoresha-e-Yunus-Social-Business-Saskia-Bruysten-businessmag

Po, Sir Richard Branson është një nga mbështetësit tanë më të rëndësishëm. Ai ka investuar në disa nga programet tona sociale në Haiti, i cili është një nga vendet ku jemi aktivë. Ne jemi pjesë e grupit të quajtur B-Team, i cili mbledh liderë globalë të sipërmarrjes për të trajtuar tema rreth problemeve shoqërore dhe mbrojtjes së mjedisit. Synimi kryesor i këtij grupimi është paraqitja e këtyre problemeve që shqetësojnë planetin, ndaj korporatave që më shumë janë të fokusuar te biznesi i tyre dhe nuk kanë njohuri të thella për këto problematika. Sir Richard Branson është anëtar i bordit tonë të këshillimit. Ai na ndihmon me eksperiencën, pasionin dhe njohuritë e tij për sipërmarrjen, për të qenë sa më efektivë në ekzekutimin e projekteve tona.

8. Ju jeni një folëse e rregullt në konferenca të rëndësishme. Ne si Business Magazine po mendojmë që të organizojmë një event mbi rëndësinë e mentalitetit sipërmarrës, biznesit social dhe angazhimit të shoqërisë në zhvillimin e ideve të reja. A do të pranonit të ishit e ftuar në këtë ngjarje?

Sigurisht që po, do të ishte kënaqësi të ndaja eksperiencën time dhe të ndihmoja sadopak ekosistemin sipërmarrës këtu në Shqipëri.

 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 9 të revistës Business Magazine Albania. Për të shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0