DentistIn, startup-i që lidh dentistët me pacientët - Business Magazine Albania

DentistIn, startup-i që lidh dentistët me pacientët


Programi OFIÇINA është ndërtuar për të nxitur dhe mbështetur iniciativat sipërmarrëse inovatore. Ata ofrojnë mentorim nga mentorët më të mirë në treg të ndërthurur me një program intensiv në bazë të nevojave të ideve tuaja, i cili përfshin shërbime ligjore dhe mbështetëse, konsulencë me ekspertët e nivelit të lartë, aktivitete sociale, hapësira kreative, ambiente pune dhe shumë më tepër.

DentistIn ishte një nga projektet fituese të programit të akselerimit Ofiçina. Albi Prifti themelues i DentistIn tregon më tepër rreth këtij projekti në një intervistë ekskluzive për Business Magazine. 

BM: Çfarë është DentistIn? Si lindi ideja e krijimit të tij?

A: DentistIn është një platformë në fushën e stomatologjisë, e cila lejon pacientët të gjejnë klinika dentare. Kjo platformë përdoret si nga ne që jemi përdorues të thjeshtë, ashtu dhe nga klinikat për menaxhim.

Ideja ka lindur gati 2 vite më parë dhe ne e provuam me një platformë jo kaq të ndërlikuar. Ishte një platformë e ngjashme me DentisIn, por që nuk lejohej që të regjistroheshe vetë.

Ne morëm 6 klinika si bazë për ta provuar sa mund të ecte ideja dhe na funksionoi me të 6-ta. Ishin klinika të reja dhe arritëm t’ua rrisnim punën, sepse nuk i njihte askush.

BM: Si quhej platforma e vjetër?

A: Quhej DentistIm. Tani jemi nisur nga ajo që duam ta bëjmë ndërkombëtare dhe e kemi vendosur DentistIn (Dentist Internacional).  Më përpara, DentisIm nuk lejonte që të regjistroheshin klinikat, i regjistronim ne. Normalisht user-at mund të futeshin të shikonin të dhënat që ne i kishim vendosur dhe arritëm që të rrisnim punën në këto klinika. Kështu që vendosëm ta ndryshonim komplet platformën dhe tani klinikat mund të futen vetë, të regjistrohen, të fusin të dhënat, të bëjnë menaxhimin e brendshëm etj.

BM: Sa kohë keni që jeni online momentalisht?

A: Ne kemi një muaj me DentisIn dhe jemi lidhur me 60 klinika.

BM: Si funksionon ai dhe kush është ekipi që po punon momentalisht me DentistIn?

A: Ekipi fillon me klinikën e pare dentare të futur, e cila na sugjeron për shërbimet dentare që mundet të shtojmë apo të heqim dhe si është më mirë për menaxhimin e një klinike. Është doktoreshë Brikena Duva.

Gertian Brahimaj bashkë-themelues, i cili ka pozicionin e Developer. Ai është personi që ka ndërtuar faqen.

Albi Prifti bashkë-themelues dhe merret me menaxhimin e klinikave, për të gjetur user-a, për të gjetur klinika, për reklamimin në Facebook që kemi bërë deri tani.

Krisela Qirushi juriste, e cila merret me pjesën ligjore, pasi çdo faqe nuk mund të ekzistojë pa këtë pjesë, sepse platforma ka të dhëna sensitive.

Andon Qirushi është bashkë-themelues dhe merret me menaxhimin së bashku me Albi Priftin.

Normalisht çdo klinikë ka vështirësi kur bëhet pjesë e platformës dhe për t’i eleminuar këto vështirësi, ne duhet ta provojmë tek dikush këtë platformë. E para që e provon është Brikena, e cila bën analizimin sesa e përdorshme, fleksibël apo çfarë problemesh lindin me funksionalitete të caktuara. çfarë mungon, si përdoret etj. Pra në momentin që ne bëjmë një ndrywshim e kalojmë së pari nga Brikena, e cila bën një lloj testimi.

Për çdo klinikë merret dhe nje feedback pasi ne i marrim në telefon dhe i pyesim.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 11 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

BM: Ju thatë që janë regjistruar 60 klinika deri më tani. Cili është targeti i synuar, ku doni të shtriheni?

A: Fillimisht duam të arrijmë tregun shqiptar dhe atë të Kosovës. Janë më shumë se 2500 klinika vetëm në Shqipëri dhe Kosovë. Targeti i synuar për këtë vit është 10% i këtyre klinikave. Më pas duam të përhapemi në Itali. Kjo për arsye të turizmit dentar. Deri tani jemi pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë, Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Sarandë. Në Kosovë jemi në Gjakovë, në Prishtinë dhe në Suarekë.

BM: Po nga ana e klientëve, si e shikoni ju, sa të gatshëm janë ata për ta përdorur? A e kanë pranuar menjëherë këtë risi? Kjo pasi ne jemi mësuar që shkojmë në të njëjtën klinikë gjithmonë.

A: Ne duam ta ndryshojmë këtë traditën e të shkuarit vetëm tek një dentist, sepse ne realisht nuk e dimë sesi punon ai. Duke parë dhe 100 persona të tjerë që kanë dhënë feedback dhe vlerësime për atë dentist krijon një ide. Duke e ndryshuar dentistin qoftë edhe 1 herë, të gjesh një klinikë tjetër nëpërmjet platformës dhe duke parë se si një dentist tjetër punon, i krahason të dyja duke dhënë një vlerësim. Kjo është diçka e re në Shqipëri. Ndoshta çdo gjë e re nuk pritet mirë fillimisht, por me kalimin e kohës jam i bindur që do ndryshojë edhe më shumë.

DentistIn

BM: Çfarë ofron ky program për klientët? Po për klinikat? 

A: Për klientët është e thjeshtë, futesh në faqe klikon dentistin.co ose dentistin.al. Shtyp shtetin dhe qytetin në të cilën kërkon klinikën dhe platforma nxjerr të listuara të gjitha klinikat në atë qytet. Nëse hap klinikën aty ke të gjitha të dhënat duke filluar që nga review-t, të gjithë informacioet, fotot e punimeve që ka bërë klinika, çmimet dhe shërbimet që klinika ofron.

Ndërkohë ke dhe profilin tënd, në momentin që ke zgjedhur një klinikë nëpërmjet platformës dhe mbaron një shërbim, të gjitha këto shërbime regjistrohen në kartelën tënde dentare dhe mund të lesh koment apo një feedback për klinikat.

E dyta është menaxhimi i brendshëm i klinikës. Menaxhimi i brendshëm i klinikës punon me një axhendë dhe ka të gjitha oraret që klinika zgjedh për të punuar. Nëpërmjet kësaj axhende merren prenotime online, ku njerëz të ndryshëm prenotojnë oraret në portal.

Ka një statistikë, një faqe që tregon në mënyrë javore, mujore apo vjetore se çfarë punimesh ka bërë klinika, sa u kanë kushtuar këto punime, në çfarë ditësh ka patur më shumë punë. Këto janë funksionet kryesore të platformës.

BM: Çfarë ndodh nëse një klinikë nuk pëlqehet apo nuk ka shumë rezervime, a hiqet ajo nga faqja? 

A: Në qoftë se një klinikë punon në mënyrë jo korrekte dhe pacienti do t’i jap një vlerësim negative, klinika nuk hiqet nga faqja, pasi synimi jonë është që ajo të rrit cilësinë e saj.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 11 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

BM: Dmth ia lini në dorë klientit këtë pjesë?

A: Absolutisht po, është klienti ai që vendos.

BM: Një nga opsionet që na bëri përshtypje në faqen tuaj ishte “Turizmi dentar”, në çfarë konsiston ai?

A: Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit vijnë në Shqipëri për të rregulluar dhëmbët dhe shumë pak prej tyre kanë një pikë kontakti me një klinikë këtu. Ne kemi shumë që na kontaktojnë në Facebook. Përdorin Facebook-un dhe jo platformën, por ne po i drejtojmë drejt platformës. Çmimet janë shumë të lira në Shqipëri dhe nëpërmjet platformës ne duam t’iu ofrojmë një shërbim të plotë. Që nga bileta e avionit, akomodimi apo dhe një person që mundet t’i tregojë vende të ndryshme turistike. Jemi lidhur me disa nga klinikat për ta ofruar këtë pjesë. Jo të gjitha klinikat mund të bëjnë turizëm dentar.

BM: Jeni lidhur me ndonjë agjenci turistike për ta bërë këtë?

A: Deri tani e kemi bërë vetë. Shpresojmë që të lidhemi me ndonjë agjenci, sepse në një moment të dytë në qoftë se numri i turistëve dentarë rritet dhe unë them se mundet të rritet, e vetmja gjë që na pengon janë biletat e avionit, janë shumë të shtrenjta në krahasim me Hungarinë, e cila është pika kryesore e Europës për turizmin dentar. Në qoftë se ne do arrijmë që biletat e avionit të jenë me të njëjtat çmime kam përshtypjen se do rritet shumë numri i tyre, jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i italianëve dhe do të bëhet i vështirë menaxhimi i tyre.

BM: A keni patur mbështetje për të arritur këtu ku jeni sot? Kush kanë qenë partnerët tuaj kryesorë?

A: Ne të gjithë kemi mbështetur njëri tjetrin si nga ana financiare ashtu dhe nga ana e menaxhimit të zhvillimit të faqes. Një mbështetje shumë e madhe ka ardhur nga Ofiçina, sidomos me pjesën e ambjenteve, pasi është një vend që mund të ulesh në orën 8 të mëngjesit dhe të ngrihesh në orën 8 të darkës dhe kështu ka ndodhur derisa arritëm ta nxirrnim në treg platformën. Mbështetje financiare nuk kemi pasur deri më sot, por jemi në kërkim të mbështetjes nga ana e marketingut. Kjo pjesë do të na interesonte shumë.

BM: Cila është strategjia e marketingut që keni ndjekur për t’u njohur?

A: Fillimisht kemi përdorur Facebook-un dhe Instagram-in. Më vonë duke u regjistruar dhe shtuar klinikat kemi filluar dhe të takojmë secilën klinikë presonalisht. Për momentin kjo ka funksionuar. Më vonë duam të krijojmë një event stomatologjie me të gjitha klinikat, edhe me ato të regjistruarat, në mënyrë që të bëjmë një lloj reklamimi tjetër të platformës që dhe ata të shikojnë sesi funksionon apo ka funksionuar dhe ne të marrim një feedback. Edhe telefoni është një mjet lidhës me klinikat.

DentistIn

BM: Si e gjen veten DentistIn përballë konkurentëve në këtë drejtim? Çfarë ju diferencon nga ata?

A: Këtu në Shqipëri konkurentët janë të paktë, është vetëm një i ngjashëm Dentem. Dentem është një platformë e ngjashme që ka filluar pothuajse në të njëjtën kohë me ne, por ata e ndoqën që në fillim duke u futur nëpër akseleratorë dhe duke marrë financime goxha të mëdha. Po t’i krahasosh të dyja platformat në çmime jemi më ulët, gati 30%. Gjithashtu pjesën e turizmit dentar ata nuk e kanë dhe janë më të fokusuar drejt menaxhimit të brendshëm të klinikës sesa drejt një user-i të jashtëm.

BM: Ne ju përgëzojmë për iniciativën që keni ndërmarrë në një moshë relativisht të re. A mund të jepni një këshillë për bashkë moshatarët tuaj, të cilët duan të ndjekin të njëjtën rrugë si ju?

A: Shikoj që shumica e të rinjve këtu pretendojnë për të ikur jashtë, kur mundësitë këtu në Shqipëri janë akoma të hapura. Ndoshta po kufizohen dita ditës, por ka akoma mundësi. Teknologjia është një prej tyre dhe krijimi i një ideje të re, vendosja në akseleratorë apo bërja e diçkaje të re mund të eci akoma, ndryshe nga vendet e tjera, ku mundësitë janë më të kufizuara, sepse ke një konkurencë jashtëzakonisht më të madhe sesa këtu në Shqipëri.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 11 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0