Zgjerimi i kompanive dhe përshtatja me kërkesat dinamike të tregut këto kohë është në sfidën e saj më të madhe. Pandemia po orienton shumë shërbime drejt platformave online. AlbAcademy ka nisur rrugëtimin e saj rreth një vit më parë, me trajnime offline në disa shërbime në qytete të ndryshme të vendit.
Së fundi, ekipi i saj po punon për të ardhur me kurse online të fushave të ndryshme, krahas trajnimeve offline që do të vazhdojë të ofrojë.
Në një intervistë për Businessmag, drejtuesja e AlbAcademy, Valbona Begolli tregon për mundësitë që do të kenë të gjithë të interesuarit për të çuar një hap më tej aftësitë e tyre profesionale dhe shumë aftësi të tjera soft skills.
Si e keni menduar zhvillimin e platformës së mësimit online?
AlbAcademy është një kompani e ndarë në dy drejtime kryesore, atë të kurseve online dhe offline. Platforma e-learning ka në bazë të saj kurset online të fushave të ndryshme, të ndërthurura me ushtrime, literaturë, shembuj ilustrues për ta bërë shumë më të lehtë dhe efektive përthithjen e informacionit të ri. Platforma është menduar të jetë sa më e thjeshtë në përdorim, duke ofruar të gjitha opsionet brenda patformës për një eksperiencë sa më të mirë dhe përthithje sa më të shpejtë të informacionit.
Cilat janë fushat që po prekni më shumë dhe cilat fusha apo tema do të mund te gjenden në platformë?
Kur u mendua platforma online AlbAcademy, një ndër qëllimet tona ishte që çdokush që futet të gjejë veten brenda në platformë, të mos dalë asnjëherë pa një kurs që u përshtatet nevojave të tij. Duke ndjekur këtë parim, fushat që mund të gjenden në Albacademy janë të ndryshme si : Biznesi që përfshin Financë, Marketing, Shitje, Burime Njerëzore, Komunikim, Manaxhim Projekti, Analizë të dhënash, IT dhe Software, Zhvillim personal qe perfshin lidership, motivim, manaxhim stresi, psikologji, inteligjenca emocionale, Design, Shëndet dhe Higjienë. Por kjo nuk do të thotë që ndalojme këtu. Në vazhdimisht po rritemi për t’ju ofruar një gamë sa më të gjerë të gjithë ndjekësve tanë.
Albacademy nisi me trajnimet, kryesisht në fushën e Housekeeping dhe u zhvillua fillimisht me kurse offline. Tani keni ndryshuar tërësisht objektiv, keni kaluar dukshëm online. A mund të na bëni një koment për këtë? A ju duket si një epokë tjetër ajo e një viti më parë?
AlbAcademy lindi si një nevojë e tregut dhe klientëve tanë bashkëpunëtorë të AlbPastrim, AlbSolution, në fushën e higjienës dhe housekeeping. E nisëm me trajnime tek klientët tanë, e më pas tek individë, me anë të projekteve të ndryshme, por duke parë kërkesën në rritje për trajnime të fushave të ndryshme, duke parë edhe gjendjen e tregut, menduam të fillojmë një projekt ambicioz për tregun shqiptar. Gjithashtu, për ne ishte diccka e re ndërtimi i një platforme online dhe sipas standardeve që kërkonim, sado kishte vite qe ishim klientë të shumë platformave të huaja të tilla. Ndërtimi i një platforme të tillë të përshatur për tregun shqiptar, përgatitja e kurseve online me instruktorët tanë ishte një sfidë më vete. Por një falenderim i madh shkon për të gjithë instruktorët tanë, të cilët na kanë mbështetur në gjithë zhvillimin e kurseve. Pa to, AlbAcademy nuk do mund të zhvillohej. Ndryshimi për ne vetë është shumë i madh, por jemi shumë entuziast dhe optimist dhe besojmë që impakti do të jetë shumë i gjerë.
Lexo: Valbona Begolli: Ndiq pasionin në biznes. Historia e sipërmarrëses që ka 3 fëmijë dhe 3 biznese
Pse duhet të zgjedhë një sipërmarrës, një profesionist, apo një student platformën tuaj dhe kurset e ekspertëve tuaj?
Kurset në AlbAcademy do jenë më shumë të orientuara drejt praktikës dhe do të jenë në nivele të ndryshme dhe do të jenë të përshtatura për individin. Eksperienca që merret në një kurs është shumë e gjerë, individi ka mundësi të rishohë disa herë kursin, ta ndjekë kudo që të jetë, në ccdo orar, ka mundësi të aktivizohet duke bërë ushtrime të ndryshme, të marrë njohuri praktike që mund t’i zbatojë në punën e tij dhe në jetën e përditshme. Kursi do të jetë shumë interaktiv dhe çdonjëri prej kursantëve ka mundësinë që të pyesë për pika të ndryshme instruktorët në chat-in e kursit. Instruktorët, të cilët zhvillojnë kurset janë indvidë të suksesshëm dhe ekspertë të fushave dhe është një vlerë e shtuar për cdo individ që është pjesë e AlbAcademy.
Lexo: AlbAcademy, vjen me një cikël webinaresh falas
Në Shqipëri po zhvillohen disa akademi së fundi. Si e mendoni, çfarë keni planifikuar t’ju diferencojë në treg?
Pandemia kishte ndikimin e saj të madh në hapjen e shumë akademive, sicc edhe tek e jona, por po të shohim me një sy objektiv dhe kritik, sa prej tyre janë vërtet në nivelin dhe standardet e duhura për sa i përket përmbajtjes, çmimit, konsistencës? Në fakt në fushën e e-learning konkurrenca nuk është vetëm brenda Shqipërisë por dhe me tregun ndërkombëtar, klientë të të cilëve kemi qenë prej vitesh. Ne si AlbAcademy kemi si qëllim që ccdo individ që merr një kurs të dalë prej tij me të gjitha pritshmëritë dhe objektivat e kursit të arritura dhe të jetë gati për t’i praktikuar, të kemi kurse në standardet më të larta ndërkombëtare përsa i përket cilësisë së kursit dhe përçimit të informacionit. AlbAcademy do të jetë një shtëpi për të gjithë individët që kërkojnë gjithmonë e më shumë nga vetja për t’u përmirësuar dhe për të qenë një hap përpara!
Në dy vitet e fundit nga një kompani keni kaluar në një grup kompanish tashmë. Cilat janë planet tuaja në të ardhmen e afërt?
Ne e kemi nisur rrugëtimin tonë në biznes me AlbPastrimin përpara 10 vitesh, me rritjen tonë, shërbimet që ofronim u zgjeruan dhe më vonë lindi nevoja e ndarjes në tre kompani, AlbPastrim, AlbSolution, AlbAcademy. Tashmë nën një emër, AlbGroup. Në çdo ditë të punës tonë punojmë për të rritur cilësinë e shërbimit, për të qenë më pranë me nevojat e klientit dhe aktualisht synojmë të përmirësojmë çdo hallkë të shërbimeve tona dhe të rritemi në mënyrë të qëndrueshme në treg.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.