Qeveria e Shqipërisë ka dorëzuar dje pranë Komisionit Europian aplikimin për përfitimin e grantit prej 71 milionë euro, për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural, në kuadër të programit IPARD 2014-2020.
Autoriteti Menxhues në Ministrinë e Financave dhe autoriteti zbatues në Ministrinë e Bujqësisë, kanë dorëzuar dje pranë Komisionit Evropian, kërkesën për marrjen e detyrave të Zbatimit të Buxhetit për programin IPARD 2014-2020.
“Ky program ka si synim të mbështetesë fermerët, sipërmarrjet ekonomike bujqësore, stabilimentet e përpunimit ushqimor, personat fizikë ose juridikë, mikrobizneset dhe sipërmarrjet e vogla private jo-bujqësore të kryejnë investime për prodhimin dhe përpunimin në sektorin e qumështit, të mishit, fruta-perimeve, bimëve të mbrojtura dhe vreshtave. Gjithashtu, programi synon të mbështesë investimet në Akuakulturë, turizëm natyror dhe rural dhe prodhim të energjisë së rinovueshme”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave.
Në përfundim të këtij programi parashikohet të mbështeten afërsisht 2055 projekte investimi dhe do të krijohen rreth 800 vende pune. Zbatimi i programit parashikohet të fillojë në vitin 2017.
burimi: fax.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto