Çdo revolucion fillon me një individ dhe me një ide. Kjo është historia e një djali kreativ që u lind në Vlorë, u shkollua dhe mori eksperincat e para në Itali e më pas erdhi në Shqipëri për të ndryshuar skenën e inovacionit dhe atë të kateringut në mënyrë të pakthyeshme. Në takim të parë Genti Selenica nuk të bën ndonjë përshtypje të madhe; modest në sjellje, i veshur thjesht por me stil, shikim të qartë e të thellë, theksin e lehtë nga Vlora përzierë me zanoret e Italishtes dhe një mjekër që e përkëdhel sa herë reflekton mendueshëm.
Çfarë kërkon në Shqipëri një djalë i ri që dikur punonte për një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës teknologjike në Itali, që paguhej më shumë se një deputet e që kishte një cilësi jetese për t’u patur zili? Ku e gjen motivimin një njeri kaq i kualifikuar e me kaq potencial sa mund të ngrinte biznes në çdo vend të botës për të punuar në Shqipërinë e pluhurit, zhurmës dhe dembelizmit? Pak patriotizëm dhe shumë fantazi. Genti mendon që Shqipëria ofron oportunitete pafund për biznes, por ne na janë mbyllur sytë nga debatet e parlamentit.
Baboon u krijua në përgjigje të një nevoje reale të tregut. Punonjësit e zyrave nuk kanë çfarë hanë në drekë, sepse restorantet rreth e rrotull ose janë të shtrenjta ose ofrojnë menu shumë të kufizuara. Përse mos t’i listojmë gjithë restorantet e mira në një aplikacion që gjithkush të mund të porosisi çfarë të dojë dhe ta marri porosinë brenda 30 minutash? Kjo punë dikur kryhej duke marrë një recepsioniste në telefon, por nga ana tjetër shpesh gjeje dikë që nuk fliste qartë se paguhej pak dhe në dërgesë pjatat vinin përmbys. Aplikacioni Baboon nuk lejon vend për gabime. Sapo ti porosit përmes aplikacionit restoranteve ju del porosia e shkruar në printerin e dedikuar, nëse ti je i pakënaqur nga shërbimi aplikacioni të jep mundësinë të bësh një “review” dhe restorantet kujdesen shumë mos të marrin review të keqija.
Në fund kemi një zinxhir pozitiv që ju jep vlerë gjithë pjesëmarrësve. Klientët marrin ushqimin që duan në kohë të shkurtër, restorantet rrisin të ardhurat dhe detyrohen të mbajnë standarte të larta, ndërsa punonjësit e Baboon bëjnë një nga punët më të bukura në botë; inovacion nga Tirana. Të kesh një mundësi të tillë në moshën 23 apo 25 vjeç duhet të jesh me fat. Në vend që të punosh për një korporatë mbytëse ku të trajtojnë si skallv, puno për një startup frymëzues dhe një menaxher si Genti që jep aq shumë nga vetja sa duket sikur është i pashtershëm.
Sot kemi një model të përkryer që duhet ndjekur e replikuar nga të rinjtë. Identifiko një nevojë të tregut, bëj një biznes plan, prezantoje tek investitorë potencialë dhe pasi të kesh buxhetin e nevojshëm nisja punës sa më parë. Sfida do ketë rrugës sa të duash sidomos me gjetjen e stafit të kualifikuar, por kjo nuk është arsye për t’u ndalur. Genti ka kaluar aq shumë vështirësi sa të tremb, por është gati ta nisë sërish udhëtimin që ka kryer me Baboon. Është thjesht një udhëtim i bukur.
Me këtë thirrje për t’u ngritur dhe për të bërë një ndryshim e mbyll Baboon postimin e tij. Ne sna ngelet gjë tjetër veçse t’i urojmë edhe 100 një startup-i që nisi nga zero dhe sot është shndërruar në një model suksesi për t’u ndjekur nga të gjithë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.