Temperaturat ekstreme të verës kanë përfshirë kontinentin europian, duke shkaktuar zjarre të përhapura, paralajmërime emergjente dhe një valë të nxehti që nuk po jep shenja të tërheqjes. Nga brigjet e Egjeut deri në zemrën e Gadishullit Iberik, moti i nxehtë po vë në provë si autoritetet ashtu edhe qytetarët.Në Turqi, termometri ka kaluar shifrën e 40 gradëve Celsius në disa rajone, duke krijuar kushte të rrezikshme për përhapjen e zjarreve. Flakët kanë përfshirë qytetet Izmir, Bursa, Tekirdag, Sakarya dhe Adana, ku ekipet e emergjencës janë angazhuar në përballjen me situatën. Fatkeqësisht, në Adana, një avion zjarrfikës u rrëzua teksa përpiqej të mbushte ujë nga një digë. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende në zhvillim.
Ndërkohë në Greqi, vala e parë e madhe e të nxehtit për këtë verë ka përfshirë kryeqytetin Athinë, duke detyruar mijëra banorë të kërkojnë freski në bregdet. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 41°C në zonat e brendshme të vendit, me kulmin e valës së të nxehtit që pritet të vijë të premten dhe të zgjasë deri në fundjavë.
Lexo edhe: Porto bën një ndryshim thelbësor në jetën e natës!
Në Spanjë dhe Portugali, vendasit dhe turistët po përgatiten për temperatura ekstreme. Sipas autoriteteve meteorologjike portugeze, vendi mund të përballet me 44°C, duke detyruar lëshimin e paralajmërimeve për mot të nxehtë në të gjithë territorin. Janë dhënë alarme të verdha për pjesën më të madhe të vendit dhe alarme portokalli për zonat e brendshme me risk më të lartë.
Autoritetet në disa shtete kanë lëshuar thirrje publike për vigjilencë maksimale, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin çdo aktivitet që mund të shkaktojë zjarre të reja, pasi erërat e forta dhe toka e thatë rrezikojnë ta përkeqësojnë edhe më tej situatën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto