“Verdikti i forintit”/Si po reagojnë investitorët pas fitores dërrmuese të opozitës në Hungari - Business Magazine Albania

“Verdikti i forintit”/Si po reagojnë investitorët pas fitores dërrmuese të opozitës në Hungari

Tregjet financiare në Hungari kanë reaguar fuqishëm pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, ku opozita e udhëhequr nga Péter Magyar siguroi një fitore bindëse. Indeksi kryesor i bursës në Budapest (BUX) u rrit ndjeshëm të hënën, duke arritur një rekord historik mbi 136,000 pikë, ndërsa investitorët po reflektojnë pritshmëritë për reforma të thella ekonomike dhe politike.

Rritja e interesit nga investitorët ka nxitur performancën e kompanive kryesore të listuara, si OTP Bank, MOL Group, Gedeon Richter dhe Magyar Telekom, të cilat shënuan rritje nga 2% deri në 5% gjatë sesionit të tregtimit.

Ky zhvillim vjen në kontrast me tregjet e tjera europiane, të cilat kanë qenë në rënie për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe dështimit të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit.

Në zgjedhjet e së dielës, partia Tisza e Magyar fitoi 138 nga 199 vendet në parlament, duke siguruar një shumicë të cilësuar që pritet të mundësojë ndryshime të shpejta ligjore dhe një transformim të thellë të kursit politik të vendit. Kjo fitore i jep fund 16 viteve në pushtet të Viktor Orbán dhe partisë së tij Fidesz.

Magyar ka premtuar rikthimin e standardeve demokratike dhe zhbllokimin e rreth 17 miliardë eurove fonde të ngrira nga Bashkimi Europian, të cilat ishin pezulluar për shkak të shqetësimeve mbi shtetin e së drejtës gjatë qeverisjes së mëparshme. Këto fonde, së bashku me aksesin në kredi me kosto të ulët për mbrojtjen dhe infrastrukturën, pritet të mbështesin rritjen ekonomike të vendit.

Sipas analistëve, tregjet po reagojnë ndaj reduktimit të pasigurisë politike dhe pritshmërive për politika më të harmonizuara me BE-në. Një faktor shtesë stabilizues konsiderohet edhe emërimi i mundshëm i András Kármán si ministër financash, i cili shihet si një figurë me kredibilitet të lartë në tregje ndërkombëtare.

Investitorët duket se e interpretojnë këtë rezultat si eliminim të një “premiumi rreziku” politik që prej kohësh kishte rënduar mbi asetet hungareze. Shumica prej dy të tretash në parlament i jep mundësi qeverisë së re të ndërmarrë reforma të shpejta, përfshirë edhe heqjen e taksave të jashtëzakonshme sektoriale që kishin prekur bankat, kompanitë e energjisë dhe sektorin e shitjes me pakicë.

Analiza nga Morgan Stanley sugjeron se këto ndryshime mund të rrisin potencialin e rritjes së PBB-së së Hungarisë me 1 deri në 1.5% në vitet e ardhshme, falë rritjes së investimeve dhe rikthimit të transfertave nga BE.

Lexo edhe: Fundi i epokës Orbán/Magyar fiton zgjedhjet në Hungari

Ndërkohë, edhe monedha vendase ka përfituar nga ky zhvillim. Forinti është forcuar ndjeshëm, duke arritur nivelin më të lartë ndaj euros në më shumë se katër vite. Kursi EUR/HUF zbriti në 366.64, niveli më i ulët që nga prilli 2022, ndërsa valuta hungareze u forcua edhe kundrejt dollarit amerikan.

Ekspertët e tregjeve vlerësojnë se kjo forcim lidhet me pritshmëritë për stabilitet politik dhe rikthim të kapitalit të huaj, sapo fondet europiane të rifillojnë të derdhen në ekonomi.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si politika monetare do të përshtatet me këtë realitet të ri. Aktualisht, norma bazë e interesit në Hungari qëndron në 6.25%, ndjeshëm më e lartë se në vende të tjera të rajonit si Polonia. Analistët presin që në vijim të ketë një normalizim të normave dhe potencialisht ulje të tyre, për të stimuluar rritjen ekonomike.

Në këtë kontekst, vëmendja e investitorëve pritet të zhvendoset nga luhatjet valutore drejt politikave të normave të interesit dhe masave stimuluese që mund të ndërmarrë qeveria e re për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0