Shkencëtarët kanë zbuluar një qasje të re që mund të ndryshojë mënyrën si diagnostikohen sëmundjet neurodegjenerative si Parkinson dhe Alzheimer, duke i identifikuar ato shumë vite përpara se të shfaqen shenjat e para klinike.
Lexo gjithashtu: Toyota kthen sediljet e makinave në karrige zyre dhe gaming
Një studim i publikuar në revistën Gastroenterology tregon se ndryshime të caktuara në proteina të trupit mund të zbulohen deri në 7 vite përpara diagnostikimit të sëmundjes. Këto shenja të hershme janë vërejtur në mostrat e indeve të zorrëve, duke sugjeruar një lidhje më të fortë mes sistemit tretës dhe trurit sesa mendohej më parë.
Hulumtimi u krye nga ekipi i University of Aberdeen, i cili analizoi biopsi të zorrëve të 196 personave mbi moshën 60 vjeç. Pjesëmarrësit nuk kishin diagnozë neurologjike në fillim, por u ndoqën për më shumë se një dekadë për të parë nëse zhvillonin sëmundje të trurit.
Gjatë analizës, studiuesit identifikuan tre proteina të lidhura me neurodegjenerimin dhe vunë re anomali në shumicën e rasteve që më vonë zhvilluan probleme neurologjike. Në disa raste, parashikimi i sëmundjes rezultoi shumë i saktë.
Sipas autores kryesore të studimit, Jenna Gregory, këto gjetje tregojnë se procesi i sëmundjes nis shumë herët, edhe kur pacienti nuk ka ende asnjë simptomë të dukshme. Ajo thekson se kjo mund të hapë rrugën për diagnostikim shumë më të hershëm dhe ndërhyrje parandaluese.
Edhe bashkëautori i studimit, Angus Watson, sugjeron se në të ardhmen mund të përdoren teste rutinë për të identifikuar personat në rrezik përpara se sëmundja të shfaqet.
Megjithatë, studiuesit janë të kujdesshëm: rezultatet janë premtuese, por ende nuk mjaftojnë për t’u kthyer në metodë standarde diagnostikimi pa kërkime të mëtejshme.
Nëse kjo qasje vërtetohet, mjekësia mund të kalojë nga trajtimi i sëmundjes kur ajo shfaqet… në parandalimin e saj shumë vite më herët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto