SHBA mbetet lider i padiskutueshëm global në qendrat e të dhënave, me më shumë se dyfishin e totalit të Bashkimit Europian. Gjermania dhe Britania e Madhe renditen përpara Kinës. Euronews Next analizon më nga afër numrin e qendrave të të dhënave dhe faktorët që nxisin investimet.
Qendrat e të dhënave janë shtylla kurrizore e Inteligjencës Artificiale dhe fuqizojnë gjithçka, nga kërkesat në chatbot-e AI, videot streaming, deri te skedarët e ruajtur në cloud.
Ato janë struktura të mëdha që strehojnë serverë, sisteme ruajtjeje dhe pajisje rrjeti, të përdorura për të ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë të dhëna. Sa më shumë qendra të të dhënave, aq më i madh potenciali për AI, por ato kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe sipërfaqe toke.
Sipas raportit “AI Index Report 2026” nga Stanford Institute for Human-Centered Artificial Intelligence, këto qendra janë “vendi ku ndodhet fuqia llogaritëse”. Raporti thekson se kapaciteti, shpërndarja gjeografike dhe zinxhirët e furnizimit përcaktojnë çfarë sistemesh AI mund të ndërtohen dhe ku.
SHBA dominon me diferencë të madhe
Infrastruktura globale e qendrave të të dhënave është e përqendruar në pak vende. Sipas Cloudscene, SHBA kryeson me 5,427 qendra në vitin 2025, më shumë se dhjetë herë krahasuar me çdo vend tjetër, duke reflektuar epërsinë e saj.
Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar përpara Kinës
Dy ekonomi të mëdha europiane, Gjermania (529) dhe Mbretëria e Bashkuar (523), ndjekin pas SHBA-së. Interesant është fakti se ato renditen përpara Kinës (449), pavarësisht fuqisë së saj teknologjike.
Kanadaja(337), Franca (322) dhe Australia (314) janë gjithashtu mbi pragun e 300 qendrave. Holanda afrohet me 298.
Shumica e vendeve të tjera kanë më pak se 300 qendra. Russia (251) dhe Japonia (222) plotësojnë dhjetëshen e parë. Brazili dhe Meksika kanë midis 150 dhe 200.
BE mbetet pas SHBA-së
Vendet e BE-së së bashku kanë 2,269 qendra të të dhënave, rreth 42% e totalit të SHBA-së. Me përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar, kjo shifër arrin në rreth 51%, duke nënvizuar sërish avantazhin amerikan.
Lexo gjithashtu: Historia e “babait” që po ndryshon jetë përmes YouTube
Shpërndarja në Europë
Pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Holandës, vetëm disa vende europiane kanë mbi 100 qendra: Italia (168), Spanja (144), Polonia (144) dhe Zvicra (121). Modelet rajonale janë të qarta: Europa Perëndimore dominon, ndërsa Europa Veriore ka rol strategjik. Europa Qendrore dhe Lindore mbetet më e fragmentuar dhe më pak e zhvilluar.
Disa vende të BE-së kanë më pak se 35 qendra. Ndër vendet kandidate, Turqia kryeson me 35.
Tregjet FLAP-D
Industria europiane e qendrave të të dhënave përqendrohet në disa qytete kryesore: Frankfurt, Londër, Amsterdam, Paris dhe Dublin, të njohura si tregjet FLAP-D.
Këto zona tërheqin pjesën më të madhe të investimeve për shkak të pikave të mëdha të shkëmbimit të internetit, kërkesës së fortë nga sektori financiar dhe teknologjik, lidhshmërisë së avancuar dhe një mjedisi të qëndrueshëm rregullator.
Kapaciteti ka rëndësi
Numri i qendrave nuk tregon gjithçka. Raporti thekson se madhësia, kapaciteti llogaritës dhe niveli i përdorimit ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve. Sipas Bankës Botërore, katër faktorë kryesorë përcaktojnë investimet në këtë sektor:
- energjia e besueshme dhe me kosto të përballueshme,
- lidhshmëria broadband e qëndrueshme,
- gjeografia dhe aksesueshmëria e tokës,
- dhe një mjedis politik e biznesi i qëndrueshëm.
Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme përballen me vështirësi në tërheqjen e investimeve për shkak të dobësive në energji, infrastrukturë dhe klimë biznesi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto