Superheroi Publer ua bën jetën virtuale më të thjeshtë - Business Magazine Albania

Superheroi Publer ua bën jetën virtuale më të thjeshtë


Publer është platforma e parë shqiptare që bën menaxhimin e skedulimeve në rrjetet sociale. E themeluar nga Ervin Kalemi tashmë me punën e palodhur kjo platformë është kthyer në superheroin e kohëve të sotme, i cili po ua lehtëson aktivitetin në rrjetet sociale çdo individi, grupi apo biznesi, jo vetëm këtu në Shqipëri, por dhe përtej saj.

Për t’u njohur më shumë me atë çfarë ofron Publer, BusinessMag pati kënaqësinë të zhvillonte intervistën e mëposhtme.

BM: Si ju lindi kjo ide biznesi dhe sa kohë ka që operon online?

Publer lindi si një dëshirë e imja për t’u angazhuar në projekte jashtëshkollore, por edhe si një nevojë e vëllait tim për të planifikuar postimet në Facebook për agjencinë e tij turistike. Në mënyrë që të fokusohej plotësisht tek biznesi i tij, ai kishte nevojë për dikë që të publikonte postimet, pra për një publikues (në Anglisht publisher, nga vjen dhe emri Publer).

Bëhet fjalë për vitin 2012, kohë kur Facebook nuk e ofronte këtë shërbim dhe numri i platformave të treta që e ofronin ishte i limituar. Prototipi i parë dhe pse i ndërtuar brenda një fundjave, u përqafua shumë shpejt nga përdoruesit. Nuk kishte një ndërfaqe të bukur, siç mund ta shikoni më poshtë, por njerëzit e donin sepse thjesht bënte punën.Pas përfundimit të shkollës fillova punë me kohë të plotë në Houston dhe mungesa e kohës së lirë bëri që ta lija Publer pas dore duke e shkëputur nga tregu për një periudhe 1-2 vjeçare.

Duke parë komentet e ish-përdoruesve “na mungon Publer”, ecurinë e platformave të tjera dhe kërkesës në rritje, vendosa të kthehem në Shqipëri pikërisht për të vazhduar misionin e Publer, për të cilin gjithashtu kam ngritur dhe një skuadër.

BM: Si fuksionon dhe cilat janë shërbimet që ofron Publer?

Mjafton të kesh qasje në internet dhe të shkosh tek https://publer.me qoftë nga kompjuteri, qoftë nga tableti apo celulari. Mund të krijosh një llogari duke përdorur një email dhe password ose direkt nëpërmjet profilit tuaj në Facebook, Twitter apo LinkedIn.

Në momentin e parë që do të hyni do ju shfaqet një tutorial, i cili do ju ndihmojë të lidhni një llogari sociale (faqe ose grup Facebook, Twitter, profil ose kompani LinkedIn) dhe të planifikoni postimin tuaj të parë.

Mbas shtimit të llogarive, mjafton të krijosh një postim, të selektosh për kë llogari është ky postim dhe të zgjedhësh një orë kur ky postim duhet publikuar. Në momentin që do të vijë ora, qoftë dhe pas një viti, Publer do e publikojë atë për ju në të gjitha llogaritë e selektuara, qofshin Facebook, Twitter apo LinkedIn, pa qenë nevoja që ju të jeni online.

Publer është falas për deri në 5 llogari sociale dhe mund të kesh të planifikuara deri në 10 postime (statuse, linqe dhe foto teke) për secilën llogari. Në momentin që një postim i planifikuar publikohet, atëherë mund të planifikosh një të ri, mjaftueshëm për përdorim personal.

Përveç planifikimit manual të postimeve, Publer ofron falas dhe planifikimin automatik të postimeve. Në qoftë se keni një kalendar të paracaktuar postimesh, Publer do t’ju kursejë jashtëzakonisht shumë kohë. Një shembull i një kalendari të paracaktuar postimesh është si më poshtë: Çdo ditë të javës në orën 15:00 një artikull (link) rreth biznesit dhe në orën 19:00 një artikull (link) rreth sportit. Në orën 17:00 dhe 21:00 një foto çfarëdo.

Tashmë ju ngelet vetëm të krijoni postimet. Nuk do të jetë e nevojshme të zgjidhni manualisht orën e publikimit për çdo postim, pasi Publer do e bëjë këtë gjë për ju automatikisht në bazë të kalendarit tuaj. Në qoftë se kalendari juaj për këtë javë është plotësuar, Publer do shikojë për javës tjetër e kështu me radhë deri në pafundësi.

Përveç shërbimeve falas, Publer ofron dhe shumë shërbime me pagesë, të cilat mund t’i provoni po falas. Do të veçoja:

 

 

• Planifikimi i disa postimeve njëherësh

Pse të planifikoni postimet një nga një kur mund t’i planifikoni të gjitha njëherësh? Mund të përdorni ndërfaqen e Publer për të krijuar më shumë se një postim, ose mund t’i importoni ato nga një skedar CSV.

Më pas mjafton të zgjidhni orën për çdo postim, ose të lini Publer t’i planifikojë ato për ju në bazë të kalendarit tuaj të paracaktuar të postimeve.

 

 

• Vendosja automatike e logos së biznesit tuaj në çdo foto dhe video

Vendosja e logove në foto dhe video është një mënyrë shumë e mirë për të mbrojtur materialet, si dhe për të rritur njohjen e markës tuaj (brand awareness), por fatkeqësisht kërkon kohë dhe aftësi në editim.Publer sërish në ndihmë! Disa klikime dhe çdo foto dhe video që postoni nëpërmjet Publer do të ketë automatikisht logon e biznesit tuaj. Askush nuk do e kuptojë në qoftë se keni punësuar një dizajner grafik apo një Superhero virtual.

• Bashkëpunim brenda ekipit

Përdoruesit e të njëjtit biznes / ekip mund të bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Publer të lejon caktimin e roleve, tek cilat llogari sociale çdo pjesëtar mund të ketë qasje si dhe në qoftë se postimet e pjesëtarëve kanë nevojë për aprovim nga një Admin përpara se të publikohen.

BM: Stafi është aseti kryesor i punës së një kompanie. Momentalisht sa persona jeni që merreni me të?

Momentalisht jemi 4 programues që “fshihemi” pas maskës së Publer:

Nga e majta në të djathtë: Shefqet Lika (Backend / Test Automation), Kristi Buda (Frontend / Dizajner), Aldo Ziflaj (Backend / Arkitekturë), Ervin Kalemi (Full-stack / Themelues).

Shpresoj të zgjerohemi nga fundi i vitit duke qenë se do nisim punën dhe për një produkt të ri, po prapë mbi rrjetet sociale, por që do të fokusohet në një aspekt tjetër të tyre.

BM: Sa biznese/persona janë regjistruar deri më tani në Publer? Si ka qenë ecuria përgjatë kësaj kohe? A ka patur interes?

Rikthimi i Publer në treg ka qenë tepër i vështirë. 7 muaj për të arritur 1,000 përdorues janë vërtetë shumë, kur përpara shkëputjes personale ka patur 10,000 të tillë.

Pavarësisht (ri)nisjes së dobët, me shumë këmbëngulje sot numërojmë rreth 30,000 persona të regjistruar, ndër të cilët më shumë se 1,000 kanë qenë me pagesë dhe kanë qëndruar të tillë nga 1 muaj deri në 3 vjet që është dhe klienti jonë më besnik. 99% e përdoruesve me pagesë kanë qëndruar me ne për më shumë se një muaj, një shenjë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë një produkt cilësor.

Si çdo biznes, Publer ka patur ulje dhe ngritje, pavarësisht se numri i përdoruesve ka ardhur gjithmonë në rritje. Skandali me Cambridge Analytica ka ndikuar jo pak tek ne. Për shkak të ndryshimeve të Facebook dhe vendimit për të ri-aprovuar manualisht çdo aplikacion, 3 muajt e fundit nuk kemi patur të drejtë të postojmë nëpër grupe, që për ne përkthehet në mbi 50 përdorues me pagesë të larguar dhe një numër i madh përdoruesish falas.

Gjithsesi, jemi në përfundim të ri-aprovimit nga Facebook dhe shërbimet e Publer do jenë sërish funksionale dhe për grupet 🙂

BM: A është Shqipëria target-grupi juaj kryesor apo keni planifikuar që të përhapeni globalisht?

Faktikisht është e kundërta. Jemi përhapur globalisht dhe shumë pak, për të mos thënë fare, në Shqipëri. Arsyeja është se ka qenë dhe vazhdon të mbetet shumë e vështirë për të hyrë në tregun vendas, jo për shkak të çmimeve apo të konkurrentëve, por për shkak të mosbesimit. Ndoshta fakti i të qenit një produkt shqiptar ka bërë që të ndeshemi shumë shpesh me pyetje të tipit “Po sikur të na merrni password-in e Facebook-ut?” (nuk është e mundur edhe sikur të donim!).

Rasti më i fundit ka ndodhur para disa muajsh me redaksinë e një media tepër të njohur. Pas një prezantimi disa ditor në fund më pyetën “Ti do kesh qasje tek llogaritë tona sociale. Sa të sigurtë jemi ne që nuk do postosh diçka që nuk e kemi autorizuar?”

Një mosbesim që fatkeqësisht ka zbehur deri diku dëshirën për të bashkëpunuar me bizneset vendase. Diçka e tillë nuk ka ndodhur me tregun e huaj, kryesisht atë Amerikan, Europian dhe Aziatik ku Publer është më tepër i përhapur.

Duke parë ecurinë deri më sot, tregu Amerikan vazhdon të ngelet target-grupi jonë kryesor.

BM: Po përsa i përket konkurrencës, sa e keni ndjerë presionin e saj? A është pozitive apo problematike, pasi siç e dimë ka shumë platforma globale që e ofrojnë këtë shërbim? Pse agjencitë e marketingut, personat që punojnë në këtë fushë, apo freelancer duhet të zgjedhin pikërisht Publer kur ka platforma globale si Buffer apo Hootsuite?

Konkurrenca është tepër pozitive në treg, jo vetëm për konsumatorin, por edhe për bizneset pasi nxit inovacionin. Buffer dhe Hootsuite mund të jenë platforma lider në botë, por nuk janë të pathyeshëm. Kemi patur shumë përdorues (me pagesë) që kanë braktisur keto platforma për ne. Rasti më i fundit, ai i një zonje pikërisht nga qyteti ku ndodhen zyrat qëndrore të Hootsuite:

Përveç suportit më të mirë, ndër të tjera Publer ofron:

• Çmime më të favorshme

Në qoftë se të tjerët kanë çmime fikse, çmimet që ne ofrojmë janë fleksibël. Paguan për çfarë të nevojitet. Për shembull, në qoftë se një agjenci marketingu menaxhon në total 15 llogari sociale do të duhej të zgjidhte paketën “Small Business” të Buffer që kushton $99/muaj, paketë e cila mbulon deri në 25 llogari sociale, pavarësisht nëse të nevojiten apo jo. E njëjta gjë vlen dhe për Hootsuite. Për 15 llogari sociale Publer kushton vetëm $21/muaj, rreth 80% më lirë.

• Më shumë funksionalitete

Publer është i vetmi aplikacion që të lejon planifikimin e albumeve të reja në Facebook dhe ndoshta i vetmi aplikacion që të lejon planifikimin e disa postimeve njëherësh, qoftë në mënyrë manuale qoftë në mënyrë automatike duke përdorur një kalendar paraprak postimesh. Hootsuite ofron diçka të ngjashme, por të limiton në përdorimin e një skedari CSV dhe nuk funksionon për foto ose video. Buffer nuk e ofron fare një shërbim të tillë.

Vendosja automatike e logos së biznesit tuaj në çdo foto dhe video, si dhe vendosja automatike e një Nënshkrimi (Signature) në çdo postim janë një tjetër plus.

• Ndërfaqe moderne

Ndërkohë që Hootsuite konsiderohet si “Internet Explorer” i platformave të menaxhimit të rrjeteve sociale përsa i përket ndërfaqes së përdoruesit, Publer vjen me një pamje krejtësisht moderne, estetike dhe shumë të lehtë në përdorim.

BM: Cila ka qenë sfida më e madhe që nga nisja e Publer?

Sfida me e madhe ka qenë kalimi nga një skuadër me tek person (unë) në disa persona. Menaxhimi i një ekipi dhe transmetimi i ideve dhe vizionit tek të tjerët është një eksperiencë krejtësisht e re për mua. Jo pak herë më duket sikur po të isha vetëm do të kisha ecur më shpejt, por gjithmonë i kujtoj vetes fjalën e urtë Afrikane: “Në qoftë se do të shkosh shpejt, shko vetëm. Në qoftë se do të shkosh larg, shkoni bashkë.”

BM: Para pak kohësh keni lançuar versionin e ri të Publer. Cilat janë planet për të ardhmen?

Versioni i ri është rindërtuar nga fillimi në mënyrë që të ofronim një ndërfaqe më moderne dhe të suportonim përveç Facebook-ut dhe rrjetet e tjera sociale (për momentin Twitter dhe LinkedIn). Dhe pse duket si një produkt i kompletuar, për ne është vetëm fillimi. Kemi shumë plane për të ardhmen, por ndër të tjera do të veçoja:

• Ofrimi i shërbimeve të Publer për Instagram (në pritje të aprovimit nga Facebook)
• Analitika (si kanë ecur postimet në rrjetet sociale; kush postim ka patur më shumë shikueshmëri; kush ka marrë më shumë pelqime; tek cili rrjet social duhet të fokusoheni etj)
• Rekomandime për çfarë të publikosh në bazë të analitikës dhe inteligjencës artificiale
• Publer për Android dhe iOS
• API publike në mënyrë që programues të tjerë të ndërtojnë produkte dhe shërbime mbi platformën tonë (ashtu siç ne kemi ndërtuar mbi platformën e Facebook, Twitter dhe LinkedIn)

BM: Faleminderit për intervistën. Ju urojmë shumë suksese!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0