Shkolla Digjitale, startup-i kosovar që ka marrë përmasa ndërkombëtare

Shkolla Digjitale, startup-i kosovar që ka marrë përmasa ndërkombëtare


Hana Qerimi vetëm një vit më parë, fitoi çmimin Gruaja e Vitit në ICT. Televizioni ndërkombëtar (gjermano-Francez) “Arte”, i ka kushtuar një dokumentar të tërë. Modeli i saj i biznesit po shtrihet në nivel ndërkombëtar. Në ciklin e dokumentarëve për vendet në zhvillim, ku ndiqet se çfarë po bëjnë ndërmarrësit e rinj, Hana Qerimi është bërë pjesë e xhirimeve dy ditore.

Bashkëthemeluesja e Shkollës Digjitale mendon se grupit të xhirimit të “Arte” u ka bërë përshtypje zgjerimi i Shkollës Digjitale në tregun ndërkombëtar, pasi është kompania e parë dhe e vetme në Kosovë që ofron shërbimin franchize për shtetet e huaja në fushën e edukimit.

Artikulli u publikua më parë në faqen 58 të numrit 21 të revistës Business Magazine AlbaniaJu mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Shkolla Digjitale synon ta shesë plan-programin e saj. Një program që u mëson fëmijëve dhe të rinjve programim dhe shkenca kompjuterike. Sot programet e Shkollës Digjitale operojnë në Slloveni, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë. Drejtuesit janë në kontakt edhe me shtete të tjera për mundësi bashkëpunimi.

Mes vështirësive që has në bashkëpunim me kompanitë e huaja dhe ndërkombëtare, Hana përmend paragjykimet e shumta dhe mungesën e liberalizimit të vizave. Kjo e fundit i kufizon për të gjetur klientë të rinj jashtë Kosovës, pasi partnerët në biznes kërkojnë takime dhe bisedime të vazhdueshme. Hana na tregon në një intervistë se, “jemi në kontakt me një kompani gjermane, e cila ka shfaqur interesim për të hapur një franshizë në Gjermani. Atje kjo fushë është ende e re dhe nuk është zhvilluar në nivelin në të cilin jemi duke e zhvilluar këtu në Kosovë. Ka qenë punë e hatashme të bindnim gjermanët për të parë Kosovën. Ata mendonin se është vend me rrezik shumë të lartë. Natyrisht, nëse do të ishim në ndonjë vend tjetër, do të ishte më e lehtë për të bërë biznes”. Nga hulumtimet e shumta të bëra, Hana mendon se nëpër botë, mësimi i fëmijëve për programim është diçka e re dhe aktuale.

“Shtetet e tjera janë duke ofruar vetëm hyrje në programim, teknologji informative përmes kurseve të thjeshta për fëmijë. Avantazhi ynë në këtë drejtim është që ne jemi duke përdorur një planprogram tre-vjeçar, të cilin e kemi zhvilluar vetë”. Hana tregon se shkolla po përpiqet të krijojë ekspertë të vegjël, të cilët po bëhen gati për tregun e punës shumë më herët krahasuar me moshën që kërkohet për të punuar.

“Planprogrami që po zhvillojmë e ka bërë Shkollën Digjitale atraktive për t’u blerë si franshizë nga shtete të huaja si Sllovenia. Por, duhet të kemi parasysh se ata binden vetëm nga rezultatet që tregojmë. Kanë ardhur te ne, sllovenë, maqedonas, boshnjakë, tani edhe gjermanë dhe kanë parë rezultatet e fëmijëve”, thotë Hana duke treguar se e vetmja mënyrë që partnerët e mundshëm në biznes të binden është kur i shohin rezultatet e fëmijëve dhe krijojnë përshtypje të mira. Hana tregon se, shkolla ka fëmijë të moshës 13-14 vjeçare që i kanë të plotësuara portofoliot e tyre të punimeve me projekte si: aplikacione për telefona, website profesionale dhe komerciale. Avantazh për fëmijët e kësaj shkolle është fakti që gati 80 % e nxënësve flasin rrjedhshëm anglisht.

Shkolla Digjitale zhvillon gjithashtu edhe shkollën verore, me synim që t’u mësojë fëmijëve aftësi të tjera përveç programimit. Fëmijët kanë mundësi të zgjedhin dy programe në shkollën verore

  1. Programi një-mujor, ku çdo ditë mbahen dy orë mësimore dhe
  2. Programi dy javor nga tetë orë në ditë.

Në të dyja programet fëmijët do të mësojnë për arkitekturën e kompjuterave. Kanë mundësi t’i hapin kompjuterët, t’i mësojnë funksionet e tyre, që të mos varen nga mbështetja e një tekniku për gjëra të vogla. Mësojnë multimedia, dizajn për diçka të vogël për uebfaqen e tyre, ose bëjnë video-montazhe. Gjithashtu, në program parashikohet të mësojnë edhe siguri kibernetike, që të mbrohen dhe të identifikojnë rreziqet në internet. Pra, 4 aftësi kyçe që i duhen secilit fëmijë sot.

Hana, partneri i saj Darsej Rizaj dhe stafi, ia dedikojnë suksesin e Shkollës Digjitale punës së tyre të vazhdueshme. Kanë fituar dy herë grante shumë të vogla nga disa organizata jo-qeveritare, por tregojnë se nuk kanë marrë përkrahje institucionale. Megjithatë, për tre vite Shkolla Digjitale ka punësuar 33 punonjës, ka hapur dy qendra në Prishtinë, një në Ferizaj, Mitrovicë, Prizren dhe në Pejë. Hana mendon se të rinjtë duhet të fillojnë që në moshë të hershme t’i mësojnë aftësitë teknologjike.

Kjo është e domosdoshme sipas saj për të ardhmen e tyre, për çdo drejtim që mund të marrin, pasi në të ardhmen çdo profesion do të jetë i lidhur me teknologjinë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 58 të numrit 21 të revistës Business Magazine AlbaniaJu mund të Shfletoni Këtu nr. 21 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0