Pse po krijohen bizneset kopjuese? - Business Magazine Albania

Pse po krijohen bizneset kopjuese?


Në mungesë të një strategjie të mirëfilltë ekonomike zhvillimore, afaristët në Kosovë vazhdojnë të hapin biznese të një veprimtarie të njëjtë, duke krijuar kështu konkurrencë të panevojshme në treg dhe duke dëmtuar njëra-tjetrën, thonë përfaqësuesve të bizneseve dhe ekspertë të fushës.

Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 150 mijë biznese.

Prej tyre, më shumë se 90% u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se në Kosovë konkurrenca e këtyre bizneseve të shumta me veprimtari të njëjtë, po zhvillohet brenda tregjeve shumë të vogla dhe me një numër të vogël të konsumatorëve që nuk janë më shumë se rreth 2 milionë.

“Duke vepruar kështu, duke ndjekur të njëjtat modele të të bërit biznes apo duke investuar në të njëjtin sektor të të bërit biznes, ato vetëm sa e ashpërsojnë konkurrencën në sektor dhe industri të caktuara. Kjo po ndodh si rezultat i mungesës së planeve konkrete të biznesit, mungesës së shfrytëzimit të konsulencës afariste që ende është një pjesë e kulturës së të bërit biznes që duhet të ndryshojë në vendin tonë dhe së fundi si rezultat i kreativitetit dhe inovacionit”, thotë Zeka.

Kosova si një vend me importin më të madh të produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike, ka nevojë për lloje të ndryshme të bizneseve.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë do të duhet të kopjojnë njëra-tjetrën në fushën e bujqësisë, por jo në veprimtari të tjera që tashmë janë të shumta, pasi tregu në Kosovë është jashtëzakonisht i madh në krahasim me ofertën që ekziston në treg, derisa kopjimi i bizneseve në fushën e shërbimit, turizmit, pishinave, pompave të benzinës është jashtëzakonisht i dëmshëm pasi afarizmi i tyre do të ketë bilanc negativ.

Një pjesë të fajit për këtë dukuri të bizneseve të së njëjtës veprimtari, sipas drejtorit ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, e kanë edhe institucionet e Kosovës.

Sipas tij, institucionet përkatëse nuk kanë krijuar një kornizë të përshtatshme ligjore që të inkurajojnë zhvillimin e hulumtimit dhe rrjedhimisht inovacionit në vend. Po ashtu, edhe në aspektin fiskal, thotë Zeka, nuk ka ndonjë masë stimuluese për kompanitë që do të investonin në krijim të produkteve apo shërbimeve të reja.

“Ministria e Financave duhet të inkurajojë përmes lirimeve tatimore kompanitë që synojnë të investojnë në hulumtim dhe zhvillim, pavarësisht sesa është kjo përqindje e shpenzimeve. Ata duhet të jenë më fleksibiël sesa që janë aktualisht”, thekson Zeka.

Në mungesë të një industrie të zhvilluar të prodhimtarisë, Kosova vazhdon të importojë gati të gjitha produktet, duke filluar nga ato të konsumit, deri te produktet strategjike.

Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë sipas të dhënave zyrtare, arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës, nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.

burimi: politiko.net

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0