Post Startup Grind, Armir Harris: "Duhet të kesh disiplinë, të punosh shumë, të kesh vullnet dhe ambicie çdo ditë."

Post Startup Grind, Armir Harris: “Duhet të kesh disiplinë, të punosh shumë, të kesh vullnet dhe ambicie çdo ditë.”


Startup Grind Tirana u rikthye pas pushimeve në datën 19 Shtator me të ftuar Armir Harris, themeluesi dhe CEO i Shofur, platforma më e madhe në Atlanta e rezervimit të autobusëve. Ata ofrojnë transport për shumicën e kompanive të Fortune 500 në 100 qytete në mbarë vendin.

Shofur u themelua në vitin 2012 nga Armir Harris me vetëm 800 $ ndërsa punonte në kompaninë e xhaxhait të tij. Kur Konventa Kombëtare Demokratike arriti në Charlotte dhe kërkoi shërbimin e autobusit me kartë për të gjithë veprimtarinë, Harris mblodhi 60 automjete nga kompani të ndryshme në të gjithë juglindjen. Pas suksesit të konventës, Harris zhvilloi një platformë online për të përmirësuar procesin e rezervimit dhe për të lidhur klientët me operatorët e autobusëve. Deri në vitin 2017, mbi 1000 kompani të autobusëve janë bashkuar me platformën që shërben në mbi 250 qytete në mbarë botën.

Kompania ka përjetuar rritje të shpejtë duke e vendosur atë larg nga kompanitë e tjera. Shumë botime teknologjike kanë shkruar për të, përfshirë Engadget dhe Skift.

Në Gusht të këtij viti, Shofur u rendit në 21 kompanitë me rritje më të shpejtë në SHBA nga Inc Magazine.

I ftuar nga komuniteti i Startup Grind Tirana, në një intervistë me Gerti Boshnjaku, Armir ndau me të pranishmit momente domethënëse të karrierës së tij dhe përcolli mesazhe mjaft të rëndësishme dhe plot vlera për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen dikush në jetë.

Çfarë ndodhi në Startup Grind me Armir Harris po i shtjellojmë duke prezantuar disa nga thëniet më të komentuara pas intervistës mes pjesëmarrësve.

I kthyer mbas 21 vitesh për herë të parë në Tiranë, Armiri tregoi në këtë intervistë më shumë rreth fëmijërisë, familjes dhe hapave të parë në rrugën drejt suksesit.

I larguar në vitin 1996 së bashku me familjen për në SHBA pa dokumenta, kur ishte vetëm 7 vjeç, Armiri tha se fillimet ishin shumë të vështira në “tokën e premtuar”.

“Kur shkuam ne kishim vetëm 2000$ në xhep, por paratë na mbaruan shumë shpejt. Shpesh herë flinim në park, në stacionin e trenit ose në stolat e restorantit ku mamaja ime punonte natën sepse nuk kishim dokumenta.”

“Në SHBA duhet ta gjesh vetë rrugën, sepse ai është një shtet kapitalist dhe askush nuk të ndihmon.”

“Gjatë vitit të parë të kolegjit hasa shumë vështirësi megjithatë mësova shumë dhe 2 vitet e fundit dola me të gjitha 10-ta.”

“Puna ime e parë ishte agjent shitje i shtëpive megjithëse nuk fitoja shumë, ajo më mësoi si të punoja me vullnet, si të bëja marketing në internet, si të shisja etj.”

“Vetëm nga gabimet mund të mësosh.”

Rreth fillimeve të kompanisë, ai tregon:

“Shofur është e ngjashme me shofer në shqip. Ideja e Shofur më erdhi në vitin 2012, kur për 1 event që realizohej në vendin ku jetoja duheshin rreth 60 autobusë dhe asnjë kompani nuk i kishte në gjendje.”

“Unë kurseva shumë para gjatë gjithë kohës dhe nuk shpenzoja. Kur e nisa biznesin dhe për 2 vite me radhë nuk bleva makinë.”

I pyetur nga Gerti rreth investimit që duhet për të nisur një startup, ai tha:

“Ka të bëjë shumë se çfarë biznesi do të hapësh. Nëse do të hapësh një biznes në internet, nuk të duhen shumë para. Nëse doni të hapni një aeroport ose ndonjë biznes tjetër të këtij lloji, sigurisht që duhen para.”

“Gjëja e parë që duhet të bëjnë të gjithë është të mësojnë anglisht. Anglishtja është gjuha me të cilën e gjithë bota po bën biznes.”

“Në një nga javët e para kur nisa biznesin, nuk dola fare nga apartamenti im për 1 javë rresht dhe njerëzit më shikonin sikur të isha i çmendur. Por kush është i çmenduri tani ? :D”

“Duhet të kesh disiplinë dhe të punosh shumë, të kesh vullnet dhe ambicie, por duhet të ndryshojë edhe mentaliteti që ekziston. Vetëm kështu mund të zhvillohet ekonomia e një vendi.”

“Nuk shikon asnjë person në Amerikë, i cili është bërë i pasur vetë pa bërë sakrifica. Nuk ka rëndësi nëse është një kompani teknologjike apo një aeroport.”

“Në kompaninë time ka njerëz shumë më të zgjuar se unë, por ndryshimi është se unë kam më shumë vullnet se ata.”

“Duhet të punësosh persona, të cilët kanë vullnetin dhe vizionin tënd. Shumë e rëndësishme është edhe të jesh transparent çdo ditë të punës tënde.”

“Në 5 vitet e ardhshme ne do të përhapemi në industrinë e aeroplanëve privatë, aplikacionin që kemi aktualisht për punonjësit, do të jetë i disponueshëm edhe për klientët tanë, si dhe do të përhapemi në shtete të tjera të Europës. Ne duam të jemi të parët përsa i përket teknologjisë.”

Së fundmi, një këshillë për të gjithë të rinjtë shqiptarë:

“Duhet të punosh shumë fort, të mos dorëzohesh dhe të jesh fleksibël. Gjithashtu duhet të dish të bësh marketing pasi nëse nuk e bën si duhet, ti nuk do të shesësh.” – kjo është këshilla ime për startupet shqiptare, e përfundoi ai intervistën.

Në fund, si çdo radhë u bënë shumë pyetje nga pjesëmarrësit, duke mësuar edhe më shumë prej tij. Me dashamirësi Armir Harris u takua me të gjithë të pranishmit me të cilët diskutoi për idetë e tyre.

Ne si staf i Business Magazine Albania ishim pjesë e këtij eventi, ashtu siç do të jemi edhe në të gjitha eventet e tjera të organizuara nga Startup Grind Tirana, jo vetëm si partner mediatik, por edhe për të mësuar më shumë mbi botën e sipërmarrjes. Është një mundësi shumë e mirë jo vetëm për sipërmarrësit apo startupet, por për të gjithë të rinjtë të cilët aspirojnë të futen në botën e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Startup Grind është një komunitet global i startupeve i krijuar me qëllimin për të edukuar, frymëzuar dhe ndërlidhur sipërmarrësit nga e gjithë bota me njëri-tjetrin. Evenimenti organizohet në më shumë se 250 qytete dhe 100 vende në të gjithë botën ku marrin pjesë themeluesë lokalë, inovatorë, edukatorë, investitorë të suksesshëm të cilët ndajnë historitë e nisjes së biznesit dhe mësimet e mësuara në rrugën e ndërtimit të kompanive të suksesshëm.

Intervistat mujore në Startup Grind me një të ftuar të fushës së biznesit dhe investimeve japin një mundësi të shkëlqyer për networking dhe vendosjen e lidhjeve afatgjata dhe të besueshme midis aktorëve pjesëmarrës në event. Duke parë impaktin pozitiv në dhënien e shembujve konkretë për të rinjtë që kanë ide dhe duan të katapultohen në botën e biznesit, Startup Grind është vendi i duhur për ju.

BusinessMag iu fton të merrni pjesë dhe të shpalosni idetë tuaja, sugjerimet, inovacionin dhe të jeni pjesë aktive e komunitetit më të madh në vend të startupeve. Për më shumë informacione ju ftojmë të vizitoni adresën StartupGrind.com.

Videot e Startup Grind Tirana mund të gjenden online dhe t’i ndiqni KËTU

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0