Plani 6 miliardë euro për Ballkanin; 4 fushat që përfiton Shqipëria dhe si do të ndikojnë në rritjen ekonomike - Business Magazine Albania

Plani 6 miliardë euro për Ballkanin; 4 fushat që përfiton Shqipëria dhe si do të ndikojnë në rritjen ekonomike

Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka publikuar të enjten detaje lidhur me Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas një publikimi në rrjetet sociale, zyra në fjalë thekson se ky plan do të bazohet në 4 shtylla kryesore:

1. Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian;

2. Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal;

3. Përshpejtimi i reformave themelore;

4. Rritja e ndihmës financiare.

Këto janë dhe fushat në të cilat do të përfitojë Shqipëria përgjatë periudhës 2024- 2027.   Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2023. Për zbatimin e këtij plani për Ballkanin Perëndimor do të jepen 6 miliardë euro grante dhe kredi, me qëllim për të sjellë ekonomitë e rajonit më afër BE-së.

Plani synon sjelljen e disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, ku themelore është nxitja e rritjes ekonomike dhe përshpejtimi i konvergjencës shumë të nevojshme social- ekonomike.

Nga ana tjetër, plani ka si qëllim që në thelb t’u mundësojë partnerëve të BE-së në rajon që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Për këtë, është propozuar një Instrument i ri për Reforma dhe Rritje në vlerë prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024- 2027. Ato do të janë në dispozicion vetëm pas përmbushjes së reformave për të cilat është rënë dakord.

Zbërthimi i 4 pikave

Rritja ekonomike  

Pika e parë është rritja ekonomike që synon integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm dhe hapja e fushave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre në të njëjtën kohë, në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Fushat kryesore janë lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, zona e vetme e pagesave në euro, transporti, energjia dhe tregu i vetëm digjital”, thuhet në dokument.

Nxitja e integrimit

Nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër çështje që përfshihet në plan, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë 10% në ekonomitë e tyre.

Përshpejtimi i reformave

Plani ka të bëjë edhe me përshpejtimin e reformave themelore, mbështetja e rajonit drejt anëtarësimit në BE, përmirësimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Rritja e ndihmës financiare

Rritja e ndihmës financiare ka si qëllim për të mbështetur reformat themelore. Instrumenti prej 6 miliardë eurosh përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare, me pagesë të kushtëzuar nga përmbushja e reformave specifike nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Plani i Rritjes bazohet në Planin Ekonomik dhe Investues prej 30 miliardë eurosh, i nisur që në vitin 2020. Tani i mbetet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të shqyrtojnë propozimin.

Lexo: Si mund të krijojnë punëkërkuesit aplikacionin ideal dhe si punëdhënësit mund të krijojnë një listë pune që tërheq kandidatët e duhur

Çfarë ndodh pas miratimit?

Pasi të miratohen, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin agjendat e tyre individuale të reformave duke paraqitur reformat social- ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024- 2027. Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Aktualisht, BPV-ja mesatare për kokë banori i rajonit qëndron ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së BE-së.  Integrimi me tregun e vetëm të BE-së ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së. Ndikimi pozitiv në BPV-në e një vendi dhe nivelet e të ardhurave që rrjedhin nga integrimi me tregun e vetëm të BE-së është demonstruar qartë në të kaluarën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0