Për shkak të kësaj letre të humbur, ai dhe partneri i tij në biznes Mike Cannon-Brookes, u bënë miliarderët e parë australianë në fushën e teknologjisë.
“Nëse letra do të vinte më herët, historia ime mund të kishte marrë një tjetër kahje”, thotë Scott.
Vetëm me një kartë krediti, partnerët themeluan kompaninë softuerike Atlassian në vitin 2002. Kompania tashmë vlen 25 miliardë dollarë dhe dy partnerët kanë një pasuri prej shtatë miliardë dollarësh secili.
Scott thotë se gjithmonë ka pasur një pasion për kompjuterët.
“Më kujtohet që qaja gjatë natës sepse shoku im kishte kompjuter dhe unë e doja një të tillë”, thotë ai.
Prindërit e tij i blenë një kompjuter të përdorur dhe ai kaloi rreth një vit duke u përpjekur që ta vinte në punë. Më vonë filloi të programonte.
Scott u takua me Mike, kur të dy po studionin për shkenca kompjuterike dhe biznes në Universitetin e New South Wales në Sidnej. Të dy miqtë e mbaruan shkollën dhe donin të punonin për veten e tyre. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë, të mos bënin një jetë luksoze dhe të fitonin më shumë se 35 mijë dollarë amerikanë në vit. Kjo shumë ishte afërsisht paga që u ofrohej të diplomuarve të tjerë nga bankat e mëdha dhe firmat e kontabilitetit.
“Në atë fazë, unë po jetoja në një shtëpi të përbashkët në universitet dhe po haja makarona të konservuara çdo ditë. Nuk kishim shumë për të humbur”, thotë Scott.
Mënyra se si një kompani e mbështetjes teknike u kthye në një biznes softueri, ishte magjike. Klientët ishin të vështirë për t’u fituar në fillim dhe ishin përgjithësisht njerëz që ata i njihnin.
Pastaj një ditë, në vitin 2003, mbërriti një faks. Ishte një porosi nga American Airlines. Ai faks akoma qëndron i varur jashtë zyrës së Scottit në bazën e kompanisë në Sidnej. Ishte fundi i asaj çfarë ai e përshkruan si një lloj beteje “derë më derë” për të gjetur klientë. Tashmë ata po ndërtonin Atlassian-in e vërtetë.
“Ajo ishte pika e kthesës kur ne e kuptuam që po ia dilnim mbanë”, thotë ai.
Scott ia atribuon rritjen që pësoi kompania pjesërisht modelit të saj të shitjeve. Duke i hedhur produktet e tyre në internet, ata i bënë software-t e tyre të biznesit drejtpërdrejt të arritshëm nga klientët. Kjo do të thotë që Atlassian, e cila vitin e kaluar arriti një miliard dollarë të ardhura, mund të kishte qasje në tregje të cilat nuk mund t’i përballonte me mënyrat tradicionale të shitjes. Në ditët e sotme, Coca-Cola, Twitter dhe Visa janë në mesin e mijëra firmave që përdorin produktet e tyre.
Teksa biznesi rritej, ata siguruan një investim të jashtëm prej 60 milionë dollarësh në vitin 2010. Atlassian, i emërtuar sipas perëndisë greke Atlasit, i hyri tregut të aksioneve në New York, NASDAQ më 2015.
Por Scott është i bindur se rrugëtimi i tyre nuk ka shkuar gjithmonë mirë.
“Kanë kaluar 17 vjet e gjysmë. Ne kemi bërë gabime gjatë rrugës. Ne shpesh e kemi vonuar lançimin e produkteve dhe kohët e fundit na u desh të likuidonim një produkt për shkak se nuk pati sukses në treg”, thotë ai, duke theksuar se kompania nuk është një “sukses brenda natës”.
Por përkushtimi i Scott-it ndaj biznesit është i padiskutueshëm. Teksa ishte në muajin e tij të mjaltit në Afrikë ai fluturoi përsëri në Sidnej për t’u marrë me një problem në punë.
“M’u deshën disa vite për t’ia shlyer gruas time”, thotë ai.
Analisti i teknologjisë Ray Wang thotë se miqësia e ngushtë e Scott dhe Mike është një faktor kryesor për suksesin e Atlassian.
“Historia e Atlassian është aq e mirë për shkak se ata kanë qenë miq për kaq shumë kohë. Ata janë njerëz të qëndrueshëm, normalë. Ata janë pragmatikë dhe e dinë që ishin me fat”, thotë Wang.
Scott thotë se ai dhe Mike, i cili është moshatar me të dhe mban titullin e drejtorit ekzekutiv, e “plotësojnë” njëri-tjetrin.
Përveç drejtimit të një kompanie me 3000 punonjës, ata janë gjithashtu fqinj në dy shtëpitë më të shtrenjta të Australisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.