Shqipëria do të forcojë më shumë masat për mbrojtjen nga sulmet kibernetike. Ligji i botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, parashikon që në 5 vite efektet financiare për këtë qëllim të arrijnë në rreth 11,5 miliardë lekë. Në këtë shifër parashikohen kostot për infrastrukturën për sigurinë kibernetike, kosto për ngritjen dhe implementimin e standardeve, si dhe kostot për rritjen e kapaciteteve. Gjithcka do të zbatohet nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe institucionet rajonale, ato të pavarura dhe institucionet ligjzbatuese.
Për menaxhimin e emergjencave të sigurisë kibernetike, sic ishte rasti i sulmit ndaj portalit e-Albania, apo sistemit TIMS që regjistron hyrje-daljet në pikat kufitare, është ngritur ekipi CERT i cili do të punojë në situatat ku siguria e informacionit ose e rrjeteve të komunikimeve elektronike është cenuar duke vënë në rrezik interesin publik.
Në rast të një incidenti kibernetik, apo kërcënimi të mundshëm, aplikohen masa paralajmëruese, kundërmasa ose masa mbrojtëse të natyrës së përgjithshme. Kur operatorët e infrastrukturës kritike të informacionit kryejnë shkelje lidhur me zbatimin e masave të sigurisë kibernetike, vendosen gjoba deri në 10 milionë lekë.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike po bashkëpunon me organizmat ndërkombëtarë për të forcuar shtuar mbrojtjen ndaj sulmeve kribernetike. Si rezultat i procesit të integrimit europian, Shqipëria raporton rregullisht në lidhje me incidentet kibernetike pranë Agjencisë për Sigurinë Kibernetike të Bashkimit Evropian dhe koordinohet me Rrjetin Evropian të Organizatave Ndërlidhëse të Krizave Kibernetike, për rritjen e nivelit të gatishmërisë për menaxhimin e incidenteve dhe krizave të sigurisë kibernetike në shkallë të gjerë.
Shpejtësia e ndryshimit të teknologjisë të informacionit dhe komunikimit, rrit dita-ditës rrezikun e sulmeve kibernetike. Shumë biznese, agjenci qeveritare dhe individë ruajnë sasi të mëdha të të dhënave të ndjeshme dhe konfidenciale në mënyrë elektronike, duke përfshirë informacionin personal, të dhënat shëndetësore, pronësinë intelektuale, sekretet tregtare dhe qeveritare. Sulmet agresive kibernetike të vitit 2022 ndaj Shqipërisë, të cilat vunë në rrezik shumë prej sistemeve qeveritare, treguan edhe njëherë rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së informacionit.
Sipas SCAN TV
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.