Këtë të Enjte pjesë e jurisë ishin:
1. Gerti Boshnjaku është CEO dhe themelues i “New Media Communications”, një kompani e specializuar në marketingun dixhital, dizajn & zhvillimin e zgjidhjeve online, në ndërtimin e faqeve të internetit, aplikacioneve dhe në median dixhitale. Ai është gjithashtu CEO i Business Magazine Albania, e cila është revista e parë online e biznesit dhe sipërmarrjes në shqip. Ajo konsiston gjithashtu në një platformë dixhitale online që përfshin botime periodike të artikujve për biznesin, sipërmarrjen, startupet për profesionistë në kërkim të frymëzimit, por jo vetëm. Pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës, në vitin 2001, në Administrim Biznesi, profili Marketing, ai ka punuar në marketing dhe industrinë e reklamave në kompani të ndryshme të njohura në Shqipëri, si InfoSoft Systems, Shekulli Media Group, DDB Shqipëri dhe Regency Casino. Gjatë viteve të punës në New Media Communications, Gerti ka qenë në krye të të gjitha projekteve të zhvilluara, të cilat fokusohen në zgjidhjet e marketingut dhe PR për klientë të ndryshëm. Infoalbania.al është një tjetër projekt inovativ i iniciuar nga Gerti dhe partneri i tij i biznesit, Enton Mehmeti në vitin 2010, duke qenë një nga portalet e para për shtyp të pavarur në vend. Gerti është gjithmonë në kërkim të mundësive të reja.
2. Ben Petani është themelues dhe administrator i “Pharma One”, një kompani distribucioni i produkteve farmaceutike, OTC, NHP dhe pajisjeve mjekësore e themeluar në 1998. Pharma One ofron per konsumatorët një shërbim të shkëlqyer në çdo kohë, kudo që ata janë me një gamë të gjërë produktesh dhe me cilësi të lartë. Pharma One sot është distributori më i suksesshëm i produkteve farmaceutike në Shqipëri, kjo e arritur përmes ndërtimit të një rrjeti modern shpërndarës të aftë për të realizuar shitje me volume të larta dhe me shpejtësi. Në rrjedhën e 12 viteve të fundit, Pharma One ka blerë disa shpërndarës farmaceutikë që operojnë në tregun vendas.
3. Avni Ponari është CEO i “Sigal Uniqa Group Austria”, një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit. Avni Ponari është jo vetëm lider i suksesshëm, por gjithashtu aksioner i 8 kompanive të sigurimit “SIGAL UNIQA” në rajon (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) si dhe i disa bizneseve të tjera të tilla si: koncensionarë makinash, rrjet hotelerie, agjenci doganore etj.
4. Silvana Ismaili është themeluese e “Silco Distribution Automatic”. Kjo shoqëri ofron shërbimin e kafes dhe snack të ndryshëm në distributorët automatikë në institucione dhe kompani të ndryshme.
5. Armand Peza është themelues i “Geraldina Sposa”, e cila është hapur në 3 Qershor të vitit 1995. Ai ishte i pari sallon vetëm me veshje nusërie dhe sot është ndër më të preferuarit në Shqipëri.
Si në çdo puntatë edhe këtë here 5 konkurentë prezantuan idetë e tyre përpara jurisë në një hark kohor prej 7 minutash secili. Në fund të çdo prezantimi anëtarët e jurisë bënin pyetje rreth produktit apo idesë së tyre.
– Konkurenti i parë ishte Olgert Elezi me idenë e tij “My ProCare”, që konsistonte në një byrzylyk, i cili shërbente për matjen e parametrave jetësorë, si rrahjet e zemrës, presionin e gjakut, matja e pulsit etj. Këto parametra paraqiteshin në një faqe web-i, ku monitoroheshin në raste emergjence personat që e kishin këtë pajisje, në mënyrë që të merreshin masat e duhura si për shembull dërgimi i alarmeve tek spitalet apo lajmërimi i familjarëve. Gjithashtu “My ProCare” ishte e pajisur edhe me një aplikacion mobile, i cili kryente pothuajse të njëjtat funksione. Olgerti kërkonte një investim për produktin e tij, në mënyrë që të zhvillohej më tej.
– Ideja e dytë e prezantuar nga Sonila Lamaj ishte krijimi i një ferme e quajtur “Ferma Diellza” për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe jo vetëm. Ferma do të përmbante një minirestorant, një bar, do të organizonte aktivitete me femijët si dhe do mund të ishte një vend turistik ku vizitorë mund të vinin për të pushuar. Ajo kërkonte një investim prej 30.000 € për rikonstruksionin e banesës, ndërtimin e fermës, blerjen e kafshëve si dhe një atelie krijuese.
–Ideja e tretë u prezantua nga Kamila Hysenllari. Ajo kërkonte mbështetje financiare për fermën e saj “Mama Mjalti”, ku prodhohej mjaltë dhe nënprodukte të saj në qytetin e Korçës. Ajo kërkonte një investim prej 15.000-20.000 € për të zgjeruar parkun, për të punësuar persona të tjerë, ku çdo gjë të bëhej me teknologji mekanike si dhe shtimin e koshereve të bletëve.
– “Artizan Inovatic”, ideja e katërt e prezantuar nga Hodijon Kamelaj, konsistonte në krijime artizanale si punime artistike me gozhda, tapa, guacka, vida etj. Ai kërkonte investim për të zgjeruar biznesin e tij, për pajisje të ndryshme si dhe një aksioner për të bashkëpunuar së bashku. Në një të ardhme të afërt ai donte që të hapte tre studio në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
– Ideja e pestë dhe e fundit e prezantuar nga Hajre Dervishi, e quajtur “Artizane të natyrës”, kishte të bënte me prodhimet natyrale artizanale kozmetike dhe ushqimore tërësisht shqiptare. Hajre kërkonte trajnues të kualifikuar, në mënyrë që të trajnonin akoma më shumë punonjëset që merreshin përpunimin e këtyre produkteve. Gjithashtu ajo kërkoi një fond për dyqan fizik, faqe webi, punishte, për mobilimin si dhe për trasta, të cilat do qepeshin dhe qëndiseshin nga punonjëset e tjera, një mënyrë e mirë kjo që edhe ato të kishin mundësi punësimi. Ideja u pëlqye shumë dhe njëri nga anëtarët e jurisë Gerti Boshnjaku i ofroi krijimin e faqes së internetit për produktet e saj.
Në fund të puntatës së gjashtë, vetëm dy prej ideve arritën të kalonin në fazën tjetër: Olgert Elezi, me biznesin e tij “My ProCare” dhe ideja e fundit “Artizanë të natyrës” nga Hajre Dervishi.
“Do You Have an Idea?” i jep mundësi të gjithë atyre që kanë qëllim për t’i shërbyer njerëzve në nevojë apo t’ua lehtësojnë jetën, që të vijnë në program, ta paraqesin idenë e tyre përballë jurisë dhe të marrin fondin e nevojshëm për të bërë realitet planin e tyre të biznesit.
Business Magazine Albania ju fton që të merrni pjesë në këtë format televiziv për të ndarë me të gjithë idenë tuaj inovative të biznesit. Ndiqeni puntatën e radhës të “Do you have an idea?” të Enjten në datën 20 Prill në Vizion Plus.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.