Mënyrat më të mira për të kërkuar punë nëse jeni një introvert - Business Magazine Albania

Mënyrat më të mira për të kërkuar punë nëse jeni një introvert

Kërkimi i një pune mund të duket vetë si një punë e lodhshme me kohë të plotë. Por, nëse jeni një introvert, mund të ndiheni edhe më të dëshpëruar dhe të lodhur nëse ju duhet ta shfaqni veten tuaj në disa aspekte që nuk përputhen domosdoshmërisht me mënyrën se si jeni në jetën tuaj të përditshme. Pra, nëse ju ka ardhur në majë të hundës nga këshilla të tilla si “thjesht vazhdoni të aplikoni” ose “krijoni sa më shumë njohje të reja”, atëherë jini të sigurt se nuk jeni të vetmit. Ka mënyra të tjera për të arritur sukses në karrierën tuaj dhe për të gjetur një punë të re që do ta doni me gjithë zemër.

Këtu janë tre mënyrat më efektive për të kërkuar punë nëse jeni një introvert.

Mos aplikoni nëpër punë të ndryshme 24/7 dhe fokusohuni te cilësia, jo te sasia

Mund të keni dëgjuar se, nëse doni të gjeni një punë të re, atëherë duhet të aplikoni te sa më shumë vende pune që të jetë e mundur. Por, si një introvert i zhytur në mendime, i vetëdijshëm dhe reflektues, mund të jetë më mirë që të ndiqni një qasje tjetër gjatë kërkimit tuaj për një punë të re.

Në vend që të dërgoni CV-në kudo dhe të shpresoni për më të mirën, shpenzoni pak kohë për të reflektuar mbi atë që ju duhet në të vërtetë për të shkëlqyer në pozicionin tuaj të ardhshëm. Pastaj, përqendrohuni që të gjeni pozicione dhe kompani që përputhen me nevojat tuaja.

Kjo do t’ju bëjë të ndiheni më të emocionuar për pozicionet për të cilat po aplikoni. Kështu, cilësia e aplikimit do të jetë më e mirë dhe do të keni më shumë mundësi për të bërë dallimin nga të tjerët. Gjithashtu, kjo do të zvogëlojë numrin e aplikimeve që dërgoni çdo javë.

Lexo: 5 arsye pse shkrimi i një libri është një lëvizje e zgjuar për sipërmarrësit

Përcaktoni një kohë të dedikuar për të kërkuar punë dhe më pas shijoni jetën tuaj

Si dikush që pëlqen vetminë, mund të mos e keni problem që ta kaloni gjithë kohën tuaj të lirë duke kërkuar për një punë të re. Megjithatë, me kalimin e kohës, kjo mund të bëjë që kërkimi për punë të zërë pjesën më të madhe të jetës tuaj, duke ndikuar te marrëdhëniet dhe mirëqenia juaj.

Pra, në vend që të shpenzoni çdo moment të kohës të lirë duke kërkuar për një punë të re, përcaktoni një orar të dedikuar për të kërkuar punë dhe më pas vazhdoni të shijoni jetën.

Vendosni se cilat ditë të javës do t’ia përkushtoni kërkimit për një punë të re dhe zgjidhni oraret gjatë këtyre ditëve që janë më të përshtatshme për ju, bazuar te planet që keni bërë.

Në këtë mënyrë, do të jeni në gjendje ta shfrytëzoni vetminë që ju pëlqen aq shumë për të përparuar në kërkimin tuaj për një punë të re, pa qenë nevoja për të anashkaluar marrëdhëniet me rrethin e ngushtë shoqëror dhe me familjen.

Hiqni dorë nga “njohjet” tipike dhe ndërtoni marrëdhënie të vërteta

Sipas këshillave tipike për kërkimin e një pune të re, mund t’ju duhet që të krijoni sa më shumë njohje me sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, nëse doni që të mësoni për mundësitë e reja të punësimit. Megjithatë, nëse jeni një introvert, vetëm ideja se duhet ta bëni këtë gjë mund t’ju bëjë të ndiheni në siklet. Sigurisht, marrëdhëniet janë thelbësore dhe ato ju ndihmojnë për të përparuar në karrierën tuaj.

Por, në vend që të shpenzoni energjinë duke u përpjekur për të krijuar marrëdhënie me të gjithë, shfrytëzoni faktin që ju preferoni lidhje më të mirëmenduara me njerëzit dhe përqendrohuni te ndërtimi i marrëdhënieve të vërteta, autentike me ata që i admironi dhe dëshironi realisht t’i njihni.

Nëse zgjidhni me kujdes lidhjet tuaja me njerëzit, do të keni më shumë mundësi për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe të dobishme me ata persona që vlerësojnë qasjen tuaj të mirëmenduar dhe që duan sinqerisht t’ju ndihmojnë të arrini qëllimet tuaja në karrierë.  Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0