Gjiganti i hotelerisë Hilton vjen në Shqipëri - Business Magazine Albania

Gjiganti i hotelerisë Hilton vjen në Shqipëri


Rrjeti prestigjioz global i hotelerisë Hilton do të jetë prezent edhe në Shqipëri. Kompania vendase e ndërtimit Enternal Group është nënkontraktuar për të bërë punimet e objektit, i cili është i vendosur tek ish-Uzina Enver përgjatë Rrugës së Kavajës, poshtë kryqëzimit të 21 Dhjetorit.

Burimet nga Shoqata e Ndërtuesve bëjnë me dije se Hilton për disa vite rresht ka shfaqur interes të jetë i pranishëm në Shqipëri, por ndërkohë burimet nga kompania që po ndërton për llogari të rrjetit e konfirmuan këtë fakt. Hilton do të vijë me linjën “Garden Inn”.

Punimet janë në fazën e ngritjes së karabinasë, por godina do të mund të bëhet funksionale në fillim të vitit 2018. Kapaciteti i akomodimit dhe vlera e investimit po mbahen sekret për shkak të politikës së marketingut që ndjek Hilton për investimet e reja.

Enternal Group, është një kompani vendase që tashmë ka përvojë të konsiderueshme në ndërtimin e objekteve të luksit dhe qendrave tregtare. E njëjta kompani ka qenë nënkontraktori kryesor në ndërtimin e godinës për llogari të hotel Sheraton, Qendrës tregtare TEG, Toptani Center, Coins, QTU, ETC, Rolling Hills dhe një sërë objektesh të tjera me funksionalitet të lartë.

Hilton është një rrjet hotelesh luksi i shtrirë në 6 kontinente me rreth 570 linja akomodimi. Të ardhurat e Hilton në 2015-n ishin 11,2 miliardë $ me një rritje gati 10% në krahasim me vitin paraardhës.

Në vitin 2015, Hilton e shtoi kapacitetin e akomodimit me 43,000 dhoma. Që nga viti 2007 biznesi i hoteleve Hilton është zgjeruar me 50%. Nga burimet zyrtare të kompanisë gjiganti i hotelerisë zgjerimin më të madh është duke e bërë në vendet në zhvillim dhe sidomos në Azi. Pjesë e këtij zgjerimi është dhe linja në Shqipëri.

Zgjerimi i markave të njohura të hotelerisë në tregun shqiptar pritet t’i japë një dimension të ri kryeqytetit shqiptar.

Numri i vizitorëve të huaj është vënë në një trend rritjeje të qëndrueshme, ndaj kohët e fundit bizneset vendase dhe të huaja po orientohen drejt investimeve në hotele në vendin tonë.

Qeveria shqiptare nëpërmjet Paketës Fiskale 2018 ka përjashtuar hotelet në pesë vitet e para nga pagesa e tatimit mbi fitimin, teksa ka zbritur TVSH-në në zinxhirin e furnizimit të hoteleve dhe shërbimit të akomodimit në 6% nga 20 që ka qenë më parë.

burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0