Geart Ferhati, 15-vjeçari sjell revolucion në gjimnazet shqiptare përmes “I-vote.al” - Business Magazine Albania

Geart Ferhati, 15-vjeçari sjell revolucion në gjimnazet shqiptare përmes “I-vote.al”

Geart Ferhati

Teknologjia si instrument zhvillimi i jetës tonë dhe të ardhmes, po frymëzon çdo ditë e më shumë të rinjtë në Shqipëri, të cilët sa vjen e po rrisin kapacitetet e tyre në aspektin e formimit teknologjik. Një ndër këta të rinj është Geart Ferhati. Ai është vetëm 15 vjeç dhe krahas pasioneve të moshës, pjesën më të madhe të kohës ia dedikon kodimit.

Ai ka nisur të kodojë që kur ishte 12 vjeç, kohë kur prindërit e regjistruan në një kurs kodimi për fëmijë, thjesht për t’u argëtuar. Por sot, pas 3 vitesh si pjesë e botës së pafundme të inovacionit, Gearti ka kuptuar që, kodimi për të nuk është thjesht pasion, por edhe mision. Përmes teknologjisë, ai mund të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të lehtësojë bashkëpunimin në kohë reale mes njerëzve kudo ku ata ndodhen. I tillë është edhe projekti I-vote.al, një platformë elektronike zgjedhore përmes së cilës bëhet i mundur digjitalizimi i procesit zgjedhor për qeverinë e nxënësve, në shkollat e arsimit para-universitar. Kjo platformë, jo vetëm do të mbetet në gjimnazet e vendit si një arritje në koncept dhe veprim, por është edhe tepër funksionale, dukë bërë kështu të mundur kalimin nga epoka e votimit klasik në epokën digjitale.

Por çfarë është I-VOTE.AL?

I-VOTE.AL është një platformë elektronike, tërësisht inovative, e cila shërben për digjitalizimin e votës, me qëllim që të kemi një proces të shpejtë dhe të sigurt gjatë votimeve për Qeverinë e Nxënësve. Përmes kësaj platforme bëhet i mundur ndërtimi i databazes, ku përfshihen listat e nxënësve dhe kandidaturat për çdo klasë. Çdo nxënës mund të aksesojë përmes një username dhe password. Secili mund të ushtrojë votimin e tij të lirë, përmes votës së fshehtë, për të zgjedhur senatorin e klasës ku ai bën pjesë. Duke qenë se sistemi është krejtësisht elektronik, pasqyrimi i rezultateve bëhet në kohë reale.

Geart a ka pasur probleme themelore, të cilat ju kanë nxitur të ndërtoni këtë aplikacion?

Kodimi, i cili për mua nisi si një loje, tashmë është kthyer në një mision. Përmes tij mund të kontribuoj në shoqëri. Problematika ka pasur patjetër, pasi çdo ide nis të zhvillohet kur gjendemi para një problemi. I-vote.al është një projekt që e kam nisur prej pothuajse një viti. Ne po rritemi në një epokë digjitale. Secili nga ne ka një smartphone dhe jeta jonë është e lidhur ngushtë me teknologjinë. Më dukej shumë e padrejtë që ne të zgjidhnim senatorin e klasës duke grisur letra nga fletoret, e përveç kësaj në shkollë bëhej shumë rrëmuje dhe rezultati në të shumtën e rasteve kontestohej. Votimi për qeverinë e nxënësve në shkolla është një proces që kërkon seriozitet, shumë angazhim, kosto e mbi të gjitha kohë! Atëherë, pse të mundohemi kaq shumë kur e gjithë kjo mund të zgjidhet me një klik?

Cilat janë do të mund të ofroheshin nëpërmjet I-vote.al, cilat do të ishin ato?

Çdo vit, mbi 100.000 fletë përdoren për një proces zgjedhor, vetëm në shkollat e mesme të Shqipërisë.  Me votimin tradicional në letër, ka shumë hapa të përfshirë, që nga fletët e votimit e deri te numërimi i votave me dorë. Ne mund t’i shmangim të gjitha këto me votimin online përmes  I- VOTE. AL, duke rritur kështu efikasitetin, përmirësuar saktësinë dhe ulur kostot. Gjithashtu një avantazh tjetër është që, përmes I-vote.al mund të marrin pjesë në votime edhe nxënësit të cilët për arsye të ndryshme nuk ndodhen prezent në shkollë ditën e votimeve. Ata mund të logohen në sistem përmes një kodi ID dhe mund të votojnë, nga kudo që ndodhen. Rezultatet e votimeve dalin në kohe reale.

Çfare synoni të arrini përmes këtij aplikacioni?

Ky është veçse versioni 1.0, dëshira ime është ta zhvilloj dhe ta përmirësoj në shumë aspekte.
Kalimi me sukses i fazës së pilotimit në gjimnazin Sami Frasheri, ku edhe unë bëj pjesë tashmë, më përforcon ambicien, që ky projekt të mund të aplikohet, jo vetëm në të gjitha gjimnazet e Tiranës, por edhe në të gjithë Shqipërinë.
Sigurisht që shtrirja në përdorim masiv sjell edhe angazhim më të madh, dhe ketu gjej rastin të ftoj bashkëmoshatarët e mi, të cilët kanë pasion kodimin, të bëhen kontributor në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj platforme.

A mendon që ky aplikacion do të pranohet nga gjimnazet e tjera?
Sigurisht qe po. E gjithë jeta jonë tashmë është në proces digjitalizimi. Pagesat, regjistrimet, vërtetimet, cdo gjë po kalon online. Përveç kësaj, mënyra se si është ndërtuar ky aplikacion, duke i ofruar përdoruesve një experience unike në përdorim, si dhe garancia për një rezultat të shpejtë dhe te sigurt, më bën besimplotë qe do të gjejë përdorim tek të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë.

Geart ku ka nisur për ju pasioni për këtë fushë?

Çdo gjë nisi si një lojë, ku përmes platformës scratch mësova të krijoj lojëra. Mora shumë kënaqesi kur fillova të luaj me lojërat qe unë kisha krijuar. Me thellimin e njohurive të programeve dhe moduleve më të avancuara, kuptova se sa e bukur dhe e pafundme është bota e kodimit. Kur isha 13 vjeç, krijova platformen School Management System, e thënë ndryshe, një regjister digjital për shkollën ku unë mësoja. Gjithashtu, gjatë kohës së pandemise krijova Students4Student, një platformë rinore digjitale, me të cilën u vlerësova si finalist në ICTAwards, kategoria Rising Star.

Ku e sheh veten në të ardhmen?

Kudo! Të merresh me kodim do të thotë të jetosh në një botë te pazbuluar e të pafundme. Unë jam i ri dhe kam shumë për të mësuar. Nuk kam një plan konkret akoma, por thjesht dua të rritem në dije dhe të kem mundësi të studioj në një nga universitetet më të mira të teknologjisë në botë.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #30 - Nëntor 2022
Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0