Gjithmonë dhe më shumë po dëgjojmë mbi bursën energjetike, integrimin e saj në tregun europian të energjisë, implementimet e energjive alternative dhe veçanërisht atyre fotovoltaike, futjen e efiçiencës energjetike dhe auditimit dhe në përgjithësi ecjen drejt qyteteve inteligjente apo smart city, etj.
Risi që duket se po shtohen dita-ditës, edhe pse shpesh kalojnë përmes sfidave apo ecin jo me shpejtësinë e pritshme, duke u vonuar të përkthehen në mundësi të reja për biznesin dhe punësim, por jo vetëm pasi edhe qytetarët duket se do mund të përfitonin direkt, duke ulur kostot, përmirësuar komfortin, rritur sigurinë energjetike, etj.
- Cilat janë trendet e deritanishme dhe sfidat e sektorit të energjisë?
Sigurisht që sektori i energjisë është në përparim të vazhdueshëm, duke ndjekur dy trendët kryesore, që janë ato të liberalizimit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Targete që nuk janë aq të thjeshta për t’u arritur. Pasi, nuk kemi të bëjmë thjesht me marrje vendimesh në tavolinë, por me arritjen në praktikë të një ekuilibri shumë të vështirë dhe delikat midis përmbushjes së kërkesës në rritje për energji pa cënuar mjedisin, sigurimin e furnizimit me një çmim të volitshëm, etj.
Aspekte që nuk ka si të ndodhin vetvetiu dhe kanë nevojë, së pari për politika te bazuara mbi një vizion dhe mbështetje me rregullim të efektshme. Për më tepër, në çdo rast duhet të jemi të vetëdijshëm që objektivat që synojmë një zhvillim të qëndrueshëm, me rritjen e burimeve të ripërtëritshme dhe efikasitetin në përdorimin e energjisë, zvogëlim të ndotjes së mjedisit, etj., shoqërohen me kosto të drejtpërdrejta, por dhe indirekte për pjesën tjetër të sistemit.
Për këtë, politikat duhet të synojnë të vendosin një kuadër, i cili të ankoroj zhvillimin e sistemit drejt mekanizmave ekonomike të tregut. Për të realizuar duhen njohuri dhe ekspertizë e mirëfilltë (know how), të cilat në finale do të sillnin aktivizimin e kapitaleve private të brendshme dhe përthithjen e atyre të huaja për financimin e projekteve në praktikë.
- Kështu, po të hymë me në detaje, problemi kryesor në finale duket se qëndron tek mungesa e hapjes së tregut?
Vitet e fundit zhvillimi i qëndrueshëm është kthyer në një megatrend transformues. Në këtë kuadër duhet të kuptojmë që kjo është kryefjala e të gjitha politikave të sotme që vijnë nga BE-ja, me të drejtë fokusohen tek “efiçienca e para”. Në fakt, në ambientet akademike prej vitesh flitet për një revolucion të katërt industrial. Por natyrisht kjo nuk është e mundur të pritet të ndodhe vetëm me mbështetjen buxhetore as tek vendet më të avancuara të BE-së. Kështu me fondet publike që ne kemi në dispozicion, thjesht do duheshin dekada të realizohen.
Duke qenë edhe më konkret, çdo projekt që të jetë efiçient, duhet të kalojë përmes provës së tregut. Në të kundër, lidhur me sistemin tonë energjetik, megjithë reformën e thellë strukturore, hapësirat e krijuar për sipërmarrjen janë parciale dhe deri diku përngjasojnë me dekadën e viteve ’90, ku patëm një nënshkrim të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare me iluzionin që ato do të sillnin ndryshimin vetvetiu.
Problemi është se akoma dhe sot, në mënyrë paradoksale, lidhur me energjinë kudo kemi mbizotërimin e kompanive publike, kontrata afatgjatë midis tyre, çmime të rregulluara për të gjithë klientët, madje tarifa të rregulluara edhe gati për të gjithë prodhuesit, pra thjesht vendimarrje administrative dhe përsëri pretendojmë të jemi të aftë të përthithim investime private efiçiente.
- Përgjegjësia e sa më sipër siç jemi mësuar të quajmë, është “faji” politikës, apo mungesës së kapaciteteve të autoriteteve, kompanive publike dhe biznesit?
Në këtë pikë pikëpyetja që ngrihet mbi përgjegjësit është me shumë vend,dhe se ajo nuk duhet kërkuar vetëm në një drejtim. Në thelb ajo duhet shikuar si një produkt i një mendësie të trashëguar nga imobiliteti i gjatë, i cili papritur kërkon rrugëdaljen në zgjidhje të shpejta dhe “çudibërëse”. Aspekt i emfatizuar edhe nga vështirësitë objektive që paraqet energjia në funksionin e saj të dyfishtë si mall i veçantë dhe shërbim publike Politika, nëse jo tjetër, i ka munguar roli udhëheqës apo për t’u bërë pararendëse e transformimeve.
Por duhet thënë se, ky nuk është një transformim i lehtë dhe mendoj se duhet të punojmë akoma shumë për ta bërë të mundshëm. Edhe se këtu nuk duhet të marrë si emergjencë, apo kërkuar për t’u plotësuar vetëm formalisht për hire të procesit të integrimit, por duhet vënë në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik dhe integruar me qëndrueshmërinë, inovacioni dhe politikat e punësimit, konsumatorin, etj.
Tashmë zhvillimi i qëndrueshëm është kudo një trend që duhet kthyer në modus operandi. Kështu, po t’i referohemi të dhënave të fundit, aktualisht në botë janë mbi 10 milionë vende pune lidhur me energjitë e rinovueshme, por e rëndësishme është të shikohet që këtyre vetëm vitin e fundit (pra 2017) ju shtuan, mbi gjysmë milioni vende të reja pune. Pra një rritje e rëndësishme eksponenciale. Ndërsa tek ne kur është e vështirë të hapim vende pune në industri (pra të kemi një prodhim të mirëfilltë), nuk mund të kemi luksin që të importojmë edhe deri tek 60% e energjisë elektrike që përdorim, duke lënë resurset tona të bollshme natyrore pa u shfrytëzuar).
- Atëherë cilat duhet të ishin hapat e parë që duhet të bëhen me patjetër?
Në të vërtetë, që sa më sipër të ndryshojë duhet të fillohet nga bazat, me edukimin, formimin e ekspertizës në vend, ndërtimin e kapaciteteve dhe jo thjesht të strategjive, por planeve të saktë veprimi me instrumente operative dhe përgjegjësi konkrete. Me tej fokusi duhet të jetë ndjekja me efektivitet e plotësimit të reformave, por mbi të gjitha kërkohet monitorim dhe mirë menaxhim i aseteve ekonomike. Pra në finale është një shumëllojshmëri aspektesh që bën që gjërat të lëvizin.
Por për të qenë më konkret, guri i parë i themelit qëndron tek plotësimi i hapjes së tregut. Për të bërë atë të cilën kërkohet të punohet si për sa i përket infrastrukturës, si për shembull ndërlidhjen me rajonin (me Maqedoninë dhe shikuar ajo me Italinë bashkë me ndërtimin e pjesës nënujore të TAP-it) dhe forcimin e rrjetit të brendshëm. Siç nga ana tjetër duhet të avancohet me pjesën soft të reformës, duke lançuar bursën e energjisë, si hap i parë i një efekti domino për integrimin me vendet e tjera (aspekt që e kanë kuptuar të gjitha vendet më teëzhvilluar si Kroacia, Serbia dhe madje janë në prag të realizimit dhe Maqedonia, Bosnja, e Mali i zi).
- Çfarë efektesh do kishte kjo për ekonominë dhe konsumatorët?
Efektet do ishin të shumta nga rënia e nevojës për subvencione tek aftësimi i kompanive duke u kthyer në aktorë të zhvillimit. Kështu, KESH i cili është gjenerues i rëndësishëm të paktën në rajon, falë rezervës hidrike që lejon një rol dominues, do përfitonte duke shitur kur çmimi arrin pikun në bursat rajonale. Po të shikojmë këtu bëhet nga të gjithë aktorët e tjerë privatë (Statkrafti, Ayen) të cilët nuk shesin në vend (në OSHEE, OST) pasi optimizojnë bazuar në avantazhet që të jep energjia hidrike.
Lexoni: Sfidat e komercializimit për klientët fundorë të energjisë
Me të ardhurat që do siguronte do mund të kompensonte eventualisht ato që duhen në buxhet për energjinë që duhet të blejë OSHEE-ja si ofrues i shërbimit për të gjithë konsumatorët e mbrojtur (FSHU). Edhe se në fakt unë druaj të ketë nevojë pasi OSHEE-ja si Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pra duke pasur një portofol të gjerë, mund të optimizojë duke blerë me shumicë praktikisht në çdo treg të gjithë bazën vjetore të energjisë që ka nevojë me kontrata afatgjatë, pra me një çmim shumë të volitshëm.
Siç nga ana tjetër Furnizuesi i Shërbimit Universal (OSHEE), duhet të çlirohet nga barra për të furnizuar konsumatorët e mëdhenj, të cilët janë plotësisht të aftë të blejnë në tregun e liberalizuar (po të krijohen masat rregullatore të nevojshme për ta bërë ketë!). Mjafton të sjellim shembullin, që sikur kjo të kishte ndodhur gjatë 5 muajve të parë të këtij vitit (pra deri këtu) për konsumatorë e lidhur në nivelin 35 kV, të detyruar ta bënin, por që hezituan (pasi nuk e njohin dhe shohin tregun!) do kishin blerë më lirë.
- Po për konsumatorin familjar (pra me konsum më të vogël)?
Për konsumatorët familjarë sa me sipër do ishte edhe më direkte pasi do të sillte një ridizejnim më të qartë të çmimit të energjisë që paguajnë. Njëherësh, kjo do hapte rrugën edhe derregullimin, pra futjes së shumë operatoreve dhe ofrimin e çmimeve më konkurruese. Njëkohësisht kjo do bënte që ata që janë në nevojë të kenë mundësinë e mbrojtjes më të mirë me politika sociale.
Me tej lidhur me konsumatorët e vegjël, por që kanë më shumë konsum apo mundësi për të investuar, do të transformonin qasjen duke kaluar nga thjesht konsumatorë në vetprodhues. Siç njëkohësisht sa këtu do bënte të mundur marrjen e qartë të vendimeve, nga autoritet publike, se çfarë mbështetje duhet të ofrohet për efeçiencën dhe fillimin e vënien në praktikë të opsioneve me synim kursimin e energjisë (pra jo vetëm ndërtime të reja, por mirëmenaxhim të atyre ekzistuese si mbrojtja më e mirë e mjedisit).
- Pra besoni se do kishim më shumë investime dhe më pak nevoje për subvencione dhe me mbrojtje më të mirë të mjedisit?
Absolutisht po, madje do ishim më efiçientë në përdorimin e energjisë dhe do të paguanim më pak!
Por po të ecim me radhë, nëse hedhim një sy në përgjithësi në sektorin e energjisë, ky sektor mund të quhet ‘toka e subvencioneve’. Çfarë kuptohet me këtë megjithëse është një ekzagjërim. Në thelb në historinë e sistemeve të energjisë elektrike, është shumë e vështirë të gjesh një teknologji të vetme gjeneruese që kurrë nuk është subvencionuar në një mënyrë apo në një tjetër. Kjo ndodh veçanërisht kur teknologjia hyn për herë të parë në formën e një detyrimi pasi nuk ka më parë një treg të hapur që ta tërheqë vetë atë. Sa këtu ka sjellë pikërisht fenomenet e investimeve të gabuara dhe në finale abuzime me mjedisin.
Por kjo duhet të ndryshoj dhe koha ka ardhur që të paktën të vijë në mënyrë më të balancuar. Për ketë BERZH dhe ministria e energjisë janë duke përgatitur kuadrin ligjore, kur për herë të parë do të kemi dhënien e kapaciteteve të reja bazuar në ankande për Pv-të nga 10-30 MW. Pra, do hapet gara mbi projektin e ministrisë (dhe jo të privatit) dhe jo vetëm mbi përzgjedhjen e fituesit, por edhe për mbështetjen që do marrin (pra çmimin e blerjes së energjisë). Energji që madje nuk do kalojë si tani nga OSHEE-ja (procedurë që deri më këtu bllokon dhe hapjen e tregut), por do të shitet në bursën e energjisë (pra duke krijuar likuidet).
Kështu, për sa mbështetja është e paevitushme duhet të bëhet e justifikuar. Madje ky ndryshim qasjeje i ka dhënë efektet, duke influencuar që nga marsi 2018, që ministria e energjisë të bëjë një dyfishim të kapacitetit për instalimet fotovoltaike dhe eolike. Ndihma nëse të nevojshme mund të jepen në rrugë të tjera, që nuk dëmtojnë konkurrencë si në aspektin fiskal, ku ditën e djeshme në kuadër të rishikimit të paketës fiskale, midis lehtësimit për sipërmarrjet në disa sektorë, për sektorin fotovoltaikë është zyrtarizuar përjashtimi nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makinerive dhe pajisjeve.
- Për të plotësuar sa këtu, po të kthehemi në mbyllje të diskutimit tek ajo përmendur si kryefjala e të gjitha politikave energjetike “efiçienca e para”. Shkurtimisht cilat janë sfidat dhe mundësitë?
Efiçienca ndryshe nga investimet e objekteve infrastrukturore dhe energjetike nuk do të thotë me patjetër investime intensive apo të përqëndruara dhe në qendër të filozofisë së saj ka mirë menaxhimin e aseteve ekzistuese, duke aktivizuar kontributin që vjen nga figurat profesionale të audituesve, menaxherëve të energjisë, etj.
Që sa këtu të bëhet efektive aktualisht kërkon daljen e akteve nënligjorë. Kuadër i cili është kërkuar me ngulm të plotësohet nga organizmat ndërkombëtare, duke u finalizuar për herë të parë me një masë detyruese nga Sekretariati i Energjisë në Vjenë, më 14 Dhjetor 2017, që imponon përmbushje nga vendi sa me parë të angazhimeve në fushën e efiçencës.
Pra me gjithë vështirësitë dhe ngecjet e reformës në shumë sektorë kjo është një fushë e pamat dhe e paprekur, që po kërkohet që të hapet me patjetër dhe bazuar në zbatimin e masave të propozuara në planin e veprimit për efiçiencë të rishikuar në dhjetor 2017. Në mbështetje të së cilës është parashikuar edhe alokimi direkt nga buxheti në rreth 110 mil/Euro brenda vitit 2020.
Alokim që parashikohet të ketë një efekt moltiplikues dy shifror të aktivizimit të kapitaleve private. Edhe se për disa sektorë llogaritjet janë duke u zhvilluar (si p.sh. lidhur me transportin, industrinë, etj.), vetëm kostoja e investimeve kapitale për rinovimin e ndërtesave, deri në vitin 2030, parashikohet në 1.1 miliardë Euro. Për më tepër, kostot shtesë të investimeve në ndërtesat e reja parashikohet 593 milionë Euro.
Ndonjë gjë të fundit për të shtuar lidhur me sa diskutuar më sipër?
Në mënyrë përmbyllëse, shikohet e rëndësishme të theksuarit të pasjes së një kornize ligjore të mirë, por nevojës të punuarit më shumë për të përcjellë qartësi dhe transparencë, pra ajo që në finale përkthehet në siguri juridike për çdo investitor. Dhe në këtë fushë, parimi kryesor i zhvillimit është heqja e pengesave, duke lënë dhe përmisuar vetëm ato pak elementë që janë të domosdoshme për funksionimin, apo që i paraprijnë qëllimeve ambicioze për rritjen ekonomike, diversifikimin, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe rrjedhimisht mundësive për investime të rëndësishme dhe punësim.
/Intervistë e zhvilluar në emisionin “Për të Fol” në TV Scan
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.