Çfarë na mëson Steve Jobs për zgjidhjen e problemeve të vështira? - Business Magazine Albania

Çfarë na mëson Steve Jobs për zgjidhjen e problemeve të vështira?

Çfarë na mëson Steve Jobs për zgjidhjen e problemeve të vështira?

Tani, Apple po e bën më të lehtë për punonjësit që të përdorin këtë metodë. Lëvizja më e fundit e kompanisë ndihmon stafin që të zbulojë përgjigjet e pyetjeve të vështira…

Kohët e fundit, Apple i premtoi stafit të vet orare dhe rregulla pune më fleksibël.  Disa e shohin këtë lëvizje si një përpjekje për të parandaluar interesin në rritje mes punonjësve për të krijuar një sindikatë.Megjithëse kjo gjë mund të jetë e debatueshme, ekziston një fakt i pamohueshëm: kompania në mënyrë efektive po nxit punonjësit që të ndjekin metodën me tre hapa të Steve Jobs për të zbuluar ide të reja dhe për t’u gjetur përgjigje pyetjeve të vështira.
Duke i kërkuar stafit që të bëjë më shumë pushime dhe të punojë më pak, Apple po ndihmon jo vetëm në reduktimin e lodhjes dhe të stresit në punë, por edhe në rritjen e produktivitetit dhe të inovacionit.
Me fjalë të tjera, punoni me zgjuarsi, jo duke stërmunduar veten. Kjo është diçka që shumë njerëz e kanë të vështirë për ta bërë, por është pikërisht pika ku Steve Jobs ishte një mjeshtër, gjë që i dha atij mundësinë të gjente frymëzim dhe të zbulonte ide të reja. Ҫdokush mund ta përdorë këtë metodë. Ja cila është metoda me tre hapa e bashkëthemeluesit të Apple për zgjidhjen e problemeve të vështira.

Hapi 1. Zgjeroni horizontin tuaj.

Problemet e vështira kanë zgjidhje që nuk mund të gjehen aq thjeshtë. Procesi i zbulimit të këtyre zgjidhjeve shpesh kërkon ide që lidhen me realitetin subjektiv, fushë në të cilën Steve Jobs kishte aftësi të jashtëzakonshme, sipas Harvard Business Review.

Teksa shumë persona, kur kanë një problem, përpiqen të përqendrohen te një zgjidhje e vetme, në vend të kësaj, ju duhet të filloni duke zgjeruar horizontin dhe duke parë problemin e plotë, me të gjithë elementët e tij. Kjo ju mundëson që të identifikoni saktësisht se çfarë po kërkoni në të vërtetë.

Për ta bërë këtë, vendosini vetes një qëllim për atë që po kërkoni të zbuloni ose të arrini. Dilni jashtë sferës së asaj që është aktualisht e mundur, dhe në vend të kësaj, mendoni për atë që do të ishte e mundur.

Për shembull, Jobs e dinte se teknologjia e tij do të ishte e shkëlqyer, që përpara se të ekzistonte produkti i parë i Apple. Aq i bindur ishte ai për këtë, saqë kur u hap dyqani i parë i Apple në vitin 2001, Jobs tha se qëllimi i tij nuk ishte që të “shiste kompjuterë”, por të “përmirësonte jetën e njerëzve”, sipas Forbes.
Lexo: NASA, kapsula Orinon përfundoi me sukses misionin

Hapi 2. Përqendrohuni.

Pasi të jeni të qartë për atë që po kërkoni, duhet të kaloni një fazë duke menduar me kujdes dhe duke mbledhur fakte.

Ky është momenti kur ju vendosni atë që dëshironi të arrini dhe punoni pa pushim për ta arritur atë. Për këtë gjë, Jobs ishte një ekspert. Ai shfaqte një fokus intensiv dhe obsesiv (ose “hiperfokus”), dhe është pikërisht kjo aftësia që e bënte atë kaq efektiv në motivimin e punonjësve.

Fokusi intensiv dhe obsesiv mund të jetë përgjigjja për të gjetur ide të reja – pavarësisht rrugës që zgjidhni për të arritur te këto ide. Për shembull, Albert Ajnshtajni ka thënë: “Nëse do të kisha një orë kohë për të zgjidhur një problem, do të shpenzoja 55 minuta duke menduar për problemin dhe 5 minuta duke menduar për zgjidhjen e tij.

” Nga ana tjetër, Tony Robbins ka deklaruar të kundërtën e kësaj në Twitter, duke thënë se, “Liderët shpenzojnë 5 për qind të kohës duke menduar për problemin dhe 95 për qind të kohës për zgjidhjen e tij”. Sido që të jetë, çdo rrugë lidhet me përqendrimin intensiv dhe destinacioni përfundimtar mbetet i njëjtë.

Hapi 3. Shkëputuni nga problemi.

Kur shikoni se jeni duke u sjellë rrotull një problemi kot së koti pa gjetur një zgjidhje, bëni një pushim. Bëni një shëtitje.

Shkëputuni nga problemi. Siç tha dikur Steve Jobs, ju nuk mund të gjeni të gjitha informacionet e nevojshme për një problem duke parë përpara. Ju mund ta bëni këtë vetëm kur shikoni prapa.
Distancimi nga diçka është shpesh momenti kur ne qartësohemi dhe bëhemi më krijues. Pra, të bërit e pushimeve sjell shumë më tepër përfitime sesa thjesht një shkëputje nga puna. Në të vërtetë ai sjell të menduarin kritik, zgjidhjen e problemeve dhe risi.

Për shembull, Tomas Edison dremiste sa herë nuk mund të kuptonte një pyetje ose një ekuacion kompleks, sipas Scientific American.
Duke vepruar kështu, ai më pas do të zbulonte përgjigjen që kërkonte. Kjo është arsyeja pse njerëzve shpesh u vijnë idetë më të mira kur bëjnë aktivitete të zakonshme, si për shembull kur ngasin makinën, kur ulen pranë bregdetit ose kur bëjnë dush.

Ndonjëherë, ju duhet të largoheni nga problemi për t’iu afruar më shumë përgjigjes. Kjo ishte një nga strategjitë e Jobs për të rritur krijimtarinë e ekipit.
Një nga arsyet pse Jobs i pëlqente takimet që zhvilloheshin duke ecur, nuk ishte thjesht fakti se kjo e ndihmonte atë të gjente përgjigje; kjo gjithashtu ndihmonte të gjithë punonjësit e tij që të largoheshin nga tavolina e punës dhe të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin për të gjetur përgjigjen që po kërkonin dhe për të zgjidhur çdo problem për të cilin po punonin. INC

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0