Banka Botërore ka të njëjtin qëndrim me atë të FMN-së, e cila ka pohuar më herët se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet tek ndërmarrjet e mëdha dhe kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.
Hilda Shijaku, eksperte e Bankës, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor tha se barra administrative për të mbledhur TVSH-në te biznesi i vogël është e ulët, duke theksuar se edhe përfitimi që mund të vijë nga kjo nismë është i ulët.
Jens Reinke, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, është shprehur se “pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime.”
Pavarësisht këtyre qeveria vazhdoi me planin e saj dhe TVSH për biznesin e vogël filloi të zbatohej më 1 Prill, duke ngjallur pakënaqësi të shumta te sipërmarrjet e vogla, të cilat kanë mbyllur qepenat disa herë në formë proteste.
Lexoni: Ahmetaj: Nuk tërhiqemi nga TVSH e Biznesit të Vogël
Nga ana tjetër ministri i Financave Arben Ahmetaj, ka këmbëngulur se skema e TVSH që përfshin bizneset e vogla, është një hap i rëndësishëm për të luftuar informalitetin. Sipas ministrit, kjo reformë ka në fokus saktësimin e deklarimeve të biznesit të madh dhe jo gjenerim të ardhurash nga biznesi i vogël.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto