Studimi : Gratë kanë nevojë për më shumë gjumë se burrat! - Business Magazine Albania

Studimi : Gratë kanë nevojë për më shumë gjumë se burrat!

Studimi : Gratë kanë nevojë për më shumë gjumë se burrat!

Studime të ndryshme kanë zbuluar se gratë jo vetëm që kanë nevojë për më shumë gjumë se burrat, por gjithashtu përjetojnë pasoja më të rënda kur u mungon gjumi. Sipas një studimi të publikuar nga Duke Magazine, i realizuar nga studiues të Universitetit Mjekësor Duke në SHBA, u analizuan 210 burra dhe gra në moshë të mesme. Rezultatet treguan se gratë që vuajnë nga mungesa e gjumit janë më të prirura ndaj depresionit, nervozizmit dhe çekuilibrave psikologjikë.

“Zbuluam se për gratë, gjumi i dobët shoqërohet fuqishëm me nivele të larta stresi psikologjik dhe ndjenja më të theksuara të armiqësisë, depresionit dhe zemërimit,” – shprehet profesori Edward Suarez, autor kryesor i studimit dhe pedagog në departamentin e psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Universitetin Duke. “Në të kundërt, këto ndjenja nuk ishin të lidhura në të njëjtën shkallë me mungesën e gjumit tek burrat.”

Gjithashtu, një grup ekspertësh të gjumit nga Britania mbështetën këto gjetje, duke arritur në përfundimin se gratë realisht kanë nevojë për më shumë orë gjumë. Sipas raportimit të Daily Mail, ekspertët theksuan se gjumi ndihmon trurin të rikuperohet dhe të riparohet nga stresi i akumuluar gjatë ditës.

Lexo edhe:Corona hap dyert e “Corona Island” – parajsa natyrore në brigjet e Kolumbisë

Profesor Jim Horne, drejtor i Qendrës së Kërkimeve për Gjumë në Universitetin Loughborough, ka publikuar librin “Sleepfaring: A Journey Through The Science Of Sleep”, ku thekson se gratë, për shkak të natyrës së tyre si mendimtare të thella dhe të afta për të bërë më shumë detyra njëkohësisht, aktivizojnë më shumë pjesë të trurit krahasuar me burrat.

“Gratë kanë prirjen të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë, janë më fleksibël dhe për këtë arsye përdorin më shumë zona të trurit të tyre sesa burrat. Kjo është arsyeja pse ato kanë nevojë për më shumë gjumë,” – shpjegon profesori Horne. “Edhe një burrë që ka një punë shumë komplekse që kërkon vendimmarrje të vazhdueshme dhe mendim lateral, mund të ketë nevojë për më shumë gjumë se burrat mesatarë – por ndoshta sërish jo aq sa një grua. Kjo sepse truri i grave është i ndërtuar ndryshe dhe është më kompleks, çka sjell edhe një nevojë më të madhe për rikuperim përmes gjumit.”

 

PH

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0